Faturat lirohen, milionat nuk kompensohen
Faturat e energjisë elektrike të muajit dhjetor do të vijnë më të lira për rreth 3,5 për qind. Kjo ngase, KEDS-i, KOSTT-i dhe KESCO janë udhëzuar nga ZRRE-ja (Zyra e Rregullatorit të Energjisë), që kostoja e furnizimit me energji elektrike për katër komunat e veriut të Kosovës të mos mbulohen më përmes tarifave përfundimtare.
Qytetarët paguan edhe për veriun e pakontrolluar
ZRRE-ja ende pa Bord, kërkohet llogaridhënie
Faturat e energjisë elektrike të muajit dhjetor do të vijnë më të lira për rreth 3,5 për qind. Kjo ngase, KEDS-i, KOSTT-i dhe KESCO janë udhëzuar nga ZRRE-ja (Zyra e Rregullatorit të Energjisë), që kostoja e furnizimit me energji elektrike për katër komunat e veriut të Kosovës të mos mbulohen më përmes tarifave përfundimtare.
Analistët e ekonomisë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile me të drejtë janë ankuar se të gjitha qeveritë e pasluftës te ne janë tallur me qytetarët shqiptarë dhe kanë lejuar që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, në vitin 1999, në pamundësi të qasjes në veri dhe pasi nuk arritën të lexojnë njehsorët, t’ua dërgojnë faturat qytetarëve në veri dhe as të mbledhin të hyrat për energjinë e shpenzuar atje, këto humbje të lejojnë që t’u ngarkojnë në mënyrë joligjore qytetarëve të tjerë shqiptarë, që janë shumicë në Kosovë. Të dhënat zyrtare të institucioneve kompetente tregojnë se vetëm për vitin 2016 vlera e energjisë elektrike të pafaturuar në pjesën veriore të Kosovës llogaritet të jetë rreth 8 milionë euro dhe ajo është paguar nga qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës. Analistët pyesin se kush do t`ua rimbursojë paratë qytetarëve kosovarë dhe me çfarë të drejte kishte marrë vendim ZRRE-ja që t`i ngarkojë shumicën e qytetarëve për mospagesën e serbeve në 4 komuna të veriut të vendit. Me gjithë pyetjet e gazetës se çfarë thonë për këtë çështje që janë drejtuar në adresë të KEDS-it, Qeverisë, MZHE-së dhe ZRRE-së, vetëm përfaqësuesit e MZHE-së dhe KEDS-it kanë kthyer përgjigje për gazetën, ndërkohë që kanë heshtur Qeveria dhe ZRRE-ja.
Përshpejtohet kompletimi i Bordit të ZRRE-së
Zyrtarja për Informim e MZHE-së, Fitore Ajeti, ka thënë për gazetën ” Kosova Sot”, se politikat e tarifave për energji elektrike janë përgjegjësi e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. “Siç e dini, Rregullatori është mekanizëm i pavarur nga Qeveria dhe çdo interferim në punën e tyre nga ana e Qeverisë mund të ketë konsekuenca në raport me pavarësinë e tyre dhe e cila është e garantuar me legjislacionin në fuqi”, u shpreh Ajeti. “Ajo që është detyrë e jona urgjente dhe që jemi duke proceduar me shpejtësi maksimale, aq sa na lejojnë procedurat administrative, është të përfundojnë procedurat e rekrutimit për anëtarët e rinj të Bordit të ZRRE-së dhe si Qeveri t’i propozojmë Kuvendit kandidatët potencialë për të kompletuar Bordin e Zyrës së Rregullatorit, në mënyrë që ky institucion sa më parë të ketë fuqinë vendimmarrëse për çështjet që ju i keni ngritur dhe janë kompetencë ligjore e kësaj Zyre”, tha më tej zyrtarja e Ministrisë. Ndërsa, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, në përgjigjen që ka dhënë për gazetën”Kosova Sot”, ka thënë se është detyrë dhe obligim i KEDS-it dhe KESCO-s, si aktorë të zinxhirit energjetik në Kosovë, që të implementojnë vendimet dhe politikat e ZRRE-së. “ZRRE-ja, tanimë e ka marrë një vendim rreth konsumatorëve në pjesën veriore të vendit dhe ne do ta implementojmë atë plotë- sisht”, u shpreh ai.
Komisioni këmbënguli tre vjet
Eksperti i ekonomisë dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa për gazetën ” Kosova Sot” tha se ky ka qenë një veprim që kaherë ka qenë dashur që të ndërmerret. “Neve si komision kemi insistuar që tre vjet që të bëhet kjo, ngase së pari e kemi kërkuar këtë në mbledhjet e Komisionit Hetimor Parlamentar, ku është folur për mënyrën e faturimit të energjisë elektrike, pastaj kjo është kërkuar edhe me rastin e trajtimit të Raporteve të Punës së ZRRE-së që është bërë në komisionin tonë”, u shpreh ai. “Derisa është marrë vendimi i Gjykatës, ka qenë ZRRE-ja ajo që i ka bishtnuar këtyre sugjerimeve tona dhe tash është bërë mirë që është bërë kjo punë”, theksoi Mustafa. Sipas tij, puna e ZRRE-së ka ngelur në gjysmë të rrugës, sepse kanë mbetur edhe një pjesë e konsumatorëve tanë që nuk janë nga veriu i Kosovës dhe që nuk paguajnë energjinë elektrike dhe për ata konsumatorë janë të detyruar që të paguajnë qytetarët e tjerët, andaj edhe kjo çështje duhet të zgjidhet. “Problemi nga ana e ZRREE-së nuk është zgjedhur në tërësi por vetëm pjesërisht dhe atë për veriun e Kosovës”, ka thënë Muhamet Mustafa.
Shitja mashtruese e kompanisë
Eksperti ekonomisë, Nehat Emrullahu tha për gazetën ” Kosova Sot” se për kosovarët në çmim të lirisë është integruar edhe kostoja e privatizimi, papunësisë si dhe gjithçka tjetër duke përfshirë edhe çmimin e energjisë elektrike. “Shitja e KEDS-it dhe përcaktimi i çmimit të energjisë padyshim që ishte një “Pako Mashtruese” nga përgjegjësit e asaj kohe, të cilët edhe sot vazhdojnë me pozita të larta. Sikur për çmimin e shitjes edhe për çmimin e lartë të energjisë elektrike është folur, shkruar dhe protestuar, megjithatë, realizimi i programit mirë të planifikuar ka shkuar në vazhdimësi në dëm të qytetarëve”, potencoi ai. ” Dyshohet se humbjet teknike si dhe ato komerciale në tërësi janë mbuluar me fatura të konsumatorëve”, vijoi më tutje Emrullahu. “Duhet të kërkojmë vendosmërisht nga Qeveria aktuale që të bëhet zbardhja e të gjitha rrjedhave me ndikim të dëmshëm për qytetarët që të dalin para sistemit gjyqë- sor në të kundërtën, ata tashmë janë rehatuar duke realizuar edhe biznese të tjera “legale” derisa për qytetarët mbetet vetëm ngushëllimi se ne kemi shtet të pavarur “, u shpreh analisti Nehat Emrullahu.
Kriza energjetike dëmtoi edhe bizneset
Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri tha për “Kosova Sot” se jemi dëshmitarë se faturimi i këtij muaji ka ardhur më i lirë si pasojë e presionit qytetar dhe mediatik ndaj ZRRE-së. “Siç dihet, konsumatorit kosovar iu ka faturuar edhe energjia elektrike e shpenzuar nga komuniteti serb, normal me një marrëveshje në mes Qeverisë dhe ZRREE-së, duke dëmtuar konsumatorin kosovar për rreth 8 milionë euro”, u shpreh ai. “Për çudi, nuk ka pasur një reagim nga ana e shtetit, mendoj që paratë e vjedhura nga ZRRE-ja duhet të kompensohen në faturim dhe të ngritët një padi ndaj këtij vendimi skandaloz, se me çfarë të drejte duhet ta detyrosh konsumatorin kosovar të paguajë energjinë elektrike të një komuniteti që nuk e njeh shtetin, pra duhet një mobilizim qytetar dhe organizim i mirë për të ndalur këtë masakër”, vijoi më tej ai. Beqiri tha se veç çmimit të lartë dhe hajnisë, qytetarët ballafaqohen edhe me ndërprerje të gjata, ndërsa bizneset kanë pengesa me të cilat përballen gjatë zhvillimit të aktivitetit të tyre ditor. “Ndër vështirësitë më të shpeshta me të cilat ballafaqohen bizneset në aktivitetin e tyre ditor, operacional është rryma elektrike, infrastruktura e keqe, konkurrenca jolojale, mungesa e sundimit të ligjit, si dhe niveli i lartë i taksave”,theksoi analisti Beqiri. Ai sqaron se një nga kushtet esenciale për funksionimin normal të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) është furnizimi i bollshëm me energji elektrike. “Mungesa e furnizimit me energji elektrike ka penguar në masë të madhe konkurrencën e ekonomisë kosovare”, potencoi Beqiri. Sipas tij, të gjitha anketat e bëra me biznese kanë identifikuar furnizimin e pasigurt të energjisë elektrike, si njërën prej pengesave kryesore në zhvillimin e tyre.
Konsumatorët duan kompensim
Selatin Kaçaniku (“Konsumatori”) tha për gazetën ” Kosova Sot” se rrjedhjet teknike dhe humbjet komerciale dikur arrinin deri në 38 për qind dhe e gjithë kjo i faturohej qytetarit konsumator. “Para dy vjetësh e gjysmë kësaj ia shtuan edhe 6 për qind për mbulimin e shpenzimeve të eksplozionit në KEK, thuajse qytetari konsumator ishte shkaktar, fajtor i shpërthimit. Siç po shihet, as kërkesa për kompensim as vendimi gjyqësor nuk janë të kompletuar”, u shpreh ai. “Që nga pas lufta KEK, KOSTT, KEDS-KESCO, ZRRE-ja, Kuvendi e Qeveria e Kosovës, MZH-ja, MPMS-ja, MF-ja, MTI-ja, të gjithë bashkë duhet t’ia kompensojnë qytetarit konsumator 44 për qind, duke ia shtuar kësaj shume edhe dështimet me standarde, ndotjen e mjedisit dhe kontributet fiskale”, ka theksuar Kaçaniku. Sipas tij, ZRRE-ja, si të gjithë rregullatorët, agjencitë e mekanizmat e shtetit, i shërbejnë partive politike, grupeve të lobit e të interesit, bizneseve e grupeve donatore në Kuvend, Qeveri, Ministri, Parti. “Të gjithat duhet definitivisht të depolitizohen dhe përgjegjësi të japin edhe propozuesit e tyre duke u eliminuar edhe nga listat zgjedhore”, vijoi më tutje ai. Sipas tij, nuk duhet ta harrojmë as faktin se në KEK, KOSTT, KEDS, pas luftës janë investuar rreth 2.5 miliardë euro donacione nga miqtë ndërkombë- tarë, por që askund nuk vërehen gjurmët e këtyre donacioneve.
(Kosova Sot)


