Uji Dea

Fatmir Sejdiu: S’jam takuar me Thaçin dhe nuk jam pjesë e “pazareve” politike

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nëpërmjet një reagimi të dërguar në media, Fatmir Sejdiu mohon të jetë pjesë e pazareve politike për krijimin e Qeverisë s së re. Ai edhe një herë mohon takimin me Hashim Thaçin

Lexojeni të plotë reagimin:

“Reagim i ish-presidentit Fatmir Sejdiu në një lajm të rremë në gazetën Exspress

Një mashtrim i madh i Gazetës Express

Fatmir Sejdiu

Prishtinë, 17.06. 2014

Portali Gazeta Express, sot, para pak minutash lëshoi një “lajm ” – rrenë të madhe me titull: “Tradhëtia e Fatmir Sejdiut ndaj LDK-së – Hashim Thaçi ia ofron postin e kryeministrit”

Me këtë “lajm” – rrenë të kulluar kjo Gazetë dëshiron që në këtë situatë kaq delikate për Kosovën të “gjejë zgjidhje” sipas agjendës së vet duke konstruktuar lajm me shkelje të rënda etike dhe profesionale.

Unë vetëm mund të them me përgjegjësi të plotë morale dhe njerëzore, se as nuk jam takuar me Hashim Thaçin dhe as nuk do të takohem me askënd për të bërë “pazare” të tilla cfarë Gazeta Express i konstrukton. Zgjidhja është në dorë të liderëve që morën pjesë në zgjedhje dhe unë si anëtar dhe kryetar Nderi i LDK-së, shpresoj që të gjendet zgjidhja më e mirë në dobi të qytetarëve të Kosovës.

Një lajm kaq i pavërtetë, i cili plasohet pa emër dhe mbiemër dhe pa burime reale, dhe që nuk më kontakton fare mua, bën shkelje të rëndë etike dhe profesionale. Kjo bëhet për të shkaktuar huti në opinion publik në këtë kohë të ndjeshme për Kosovën.

Sa për informim të opinionit dua të them se nga data 10 qershor deri në ditën e sotme kam qenë jashtë vendit në pushim me familjen time të ngushtë

Gazeta Express, përkatësisht gazetarët e saj, siç e do etika gazetareske, për këtë “zbulim” të madh të “Tradhtisë së Fatmir Sejdiut ndaj LDK-së” është dashtë të bëjnë përpjekje të verifikojnë saktësinë e tij përmes burimeve në të cilat ata thirren, për çfarë unë do të kërkoj të sqarohen në rrugë ligjore.

Prandaj unë do të shfrytëzoj të gjitha mundësitë ligjore për të paditur këtë redaksi për “lajmin” e lëshuar me qëllim ofendues, denigrues dhe mashtrues që, përsëris edhe njëherë, është një rrenë e kulluar.

UBT

Nuk kam qenë,nuk jam dhe nuk do të jem në asnjë rast pjesë e agjendave që krijojnë probleme për funksionimin normal dhe demokratik të institucioneve të shtetit tonë. Legjitimiteti buron nga vota dhe ajo përcakton mundësitë e alternativave qeverisëse. Ky është qëndrimi imi i politik dhe profesional.

Se cili është qëndrimi im ndaj LDK-së dhe anëtarësisë së saj, e kam shprehur gjithmonë dhe e shprehu edhe tani. LDK-ja është shtëpia ime dhe dua të ardhmen dhe zhvillimin e saj të fuqishëm për çfarë kam dhënë dhe do të jap përherë ”

Fatmir Sejdiu për Express: Nuk kam kontaktuar me Thaçin, kjo është shpifje

Kryetari i Nderit i LDK’së, Fatmir Sejdiu mohon çdo përfshirje në kalkulimet politike për krijimin e qeverisë së re kosovare.

“Gjithçka në këtë rast është veç një shpifje. Unë kam qenë me familjen time të ngushtë jashtë vendit”, thotë Sejdiu, për Gazetën Express.

Ish-Presidenti Sejdiu që e la këtë post me dorëheqje pasi Gjykata Kushtetuese e zuri duke e shkelur Kushtetutën ka deklaruar se nuk ka pasur kontakt me Hashim Thaçin për çështjen krijimit të Qeverisë.

Ai ka paralajmëruar padi për shpifje kundër Express dhe e quan vepër penale cilësimin e tij si “tradhtar”.

Tradhtia e Fatmir Sejdiut ndaj LDK’së – Hashim Thaçi ia ofron postin e Kryeministrit

Hashim Thaçi ka bërë një plan dinak për të mbetur edhe më tutje në pushtet. Dhe, në këto synime atij i ka ardhur në ndihmë Fatmir Sejdiu, ish-Kryetari i LDK’së që kishte qenë shërbëtor i tij besnik gjatë qeverisjes PDK-LDK.

Burime të Gazetës Express thonë se Thaçi ia ka ofruar Sejdiut postin e Kryeministrit.

“Hashim Thaçi dhe Fatmir Sejdiu janë takuar këto ditë dhe Thaçi ia ka ofruar atij postin e Kryeministrit. Plani është që Sejdiu të marrë me vete edhe 7-8 deputetë të LDK’së, menjëherë pas certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ’së”, ka thënë një burim i Gazetës Express.

Express ka kontaktuar zyrtarë të LDK’së dhe ata shfaqen të bindur se e kanë në kontroll plotësisht grupin parlamentar, derisa lojërat e Fatmir Sejdiut me Hashim Thaçin i konsiderojnë tradhtitë e radhës së Kryetarit të Nderit.