Fatmir Sejdiu: Rugova, engjëll mbrojtës i Kosovës
Sot është ditëlindja e 72’të e Presidentit Ibrahim Rugova, i cili vdiq më 2006 pas një beteje me kancerin. Në këtë përvjetor të lindjes, Rugovën e ka kujtuar edhe njeriu që e pasoi në postin e Presidentit pas vdekjes, Fatmir Sejdiu.
Ai e ka lartësuar veprën e Rugovës duke e quajtur “Engjëll Mbrojtës i Kosovës”. Sejdiu, kishte marrë drejtimin e LDK’së pas vdekjes se Rugovës ndërkohë që ambicie për të udhëhequr me këtë subjekt, ka edhe tani.
Ja çfarë shkruan ai.
Lindi 72 vjet më parë, për të qenë sot e përjetësisht Engjëlli Mbrojtës i Kosovës
I tillë u bë me punë, dije, përkushtim, vizion dhe dashuri ndaj vendit. E donte lirinë, e donte Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane dhe demokratike.
Për një Kosovë të tillë punoi përjetësisht e pafundësisht.
Kujtojmë fillin e tij politik, mbi filozofinë e Durimit dhe atë Refuzimit, mbi të gjitha mbi atë Kuptimit dhe të Interpretimit më të mirë të mundshëm, të kërkesave të një populli i cili donte lirinë dhe vetëm lirinë.
Rugova në politikë erdhi nga domosdoshmëria për një prijëtar të ditur dhe të guximshëm, për një lider me vizion, i cili mbi individualen ndërton të përgjithshmen, mbi robërinë ndërton lirinë.
Nuk erdhi nga nevoja për realizim të interesave personale a grupore, por për interesin e përgjithshëm te vendit, për liri dhe pavarësi, të cilën po e gëzojmë dhe jetojmë sot.
I tillë erdhi, i tillë mbeti.
Përjetësisht, Engjëll Mbrojtës i Kosovës !


