Fatmir Parashtica, mjeku i luftës që shëroi plagët e UÇK-së dhe ngriti standardet shëndetësore në Anamoravë
Gjilan – Dr. Fatmir (Rizah) Parashtica, specialist i Mjekësisë Familjare dhe Anesteziologjisë me Reanimacion, është një nga figurat më të spikatura të mjekësisë në Anamoravë. Ai i përket atij brezi të mjekëve që nuk hezituan të futen në zemër të luftës për të shëruar luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullatën e pambrojtur që përjetoi mizoritë e agresionit serb. Profesionist i palodhur, mjek me ndërgjegje të lartë dhe mantelbardhë i përkushtuar, Parashtica nuk iu nda asnjëherë avancimit shkencor e profesional.
Sot ai udhëheq Poliklinikën “Diagnoza”, një institucion i krijuar me vizion modern e standarde të larta, i cili është shndërruar në model se si duhet të funksionojë një qendër shëndetësore që vlerëson pacientin, respektin dhe profesionalizmin.
“Diagnoza” është investim jo vetëm në pajisje dhe kushte, por para së gjithash në njerëzit dhe në shërbimin e ndershëm.
Dr. Parashtica njihet si një mjek i qetë, me komunikim dinjitoz e modern, pritje shembullore dhe sjellje që rrallë e gjen në mjediset shëndetësore. Për të, vlera më e madhe ka qenë gjithmonë populli i Kosovës, sidomos ata që gjatë luftës përjetuan dhimbje, humbje dhe terror.
Gjatë luftës, ai nuk pati dilema, sakrifikoi gjithçka për të qenë pranë të plagosurve të UÇK-së dhe për t’i shërbyer civilëve shqiptarë në mesin e ofensivave kriminale të Serbisë.
“Janë momente krenarie e gëzimi për mua, sepse e kam bërë me shumë dashuri e respekt për luftën e UÇK-së dhe për qëndresën heroike të popullit të Kosovës. Këto vlera rrallë i gjen te ndonjë popull tjetër”, u shpreh ai për rajonipress.
I njohur për modestinë e tij, Dr. Parashtica rrallë ndalet të flasë për rolin e vet, megjithatë ai ka qenë ndër krahët më të fortë të mjekëve të luftës, bashkë me dr. Shpëtim Robajn dhe të tjerë.
Kontributi i tij shtrihet në shumë dimensione, profesional, organizativ, humanitar dhe shoqëror.
Gjatë viteve të okupimit, Dr. Parashtica ishte pjesë e protestave, ecjeve paqësore dhe aktiviteteve humanitare, përfshirë angazhimin në SHHB “Nënë Tereza”.
Me fillimin e rezistencës së UÇK-së, në korrik 1998 ai, së bashku me mjekë të tjerë, u angazhua në Spitalin e parë të UÇK-së në Likoc. Aty, përveç trajtimeve kirurgjikale, organizoi dokumentacionin mjekësor, protokollet, raportet dhe strukturën funksionale të spitalit.
Me pak fjalë, shumë ecuri dhe një emër në themel
Të gjitha arritjet e rëndësishme në fushën e shëndetësisë në Anamoravë lidhen ngushtë me angazhimin e pandërprerë të Fatmir Parashticës, i cili në asnjë moment nuk ka hezituar të çojë përpara vlerat, cilësinë dhe humanizmin në shërbimet mjekësore.
Përkushtimi i tij i qetë, profesionalizmi i palëkundur dhe vullneti për të avancuar standardet kanë lënë gjurmë të prekshme në komunitet.
Pak histori e dr. Fatmir Parashticës nga koha e okupimit, luftës dhe pasluftës
Dr. Parashtica diplomoi në Prill 1986 në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Fillimisht punoi tri vite në Shtëpinë e Shëndetit në Dardani, dhe në vitin 1989 nisi specializimin në Anesteziologji në Spitalin e Gjilanit, për ta vazhduar më pas në Klinikën e Anesteziologjisë në Prishtinë. Ai ishte aktiv në organizata shëndetësore, përfshirë Këshillin Komunal të Shëndetësisë dhe Shoqatën e Mjekëve të Anamoravës, ndërsa në vitin 1994 u zgjodh kryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve Shëndetësorë në Gjilan.
Pas përjashtimeve masive të mjekëve shqiptarë nga institucionet shëndetësore, ai vazhdoi specializimin në Zagreb, por meqë nuk iu lejua ta përfundonte aty, e kreu me sukses të shkëlqyeshëm në Beograd (1992). Megjithatë, për shkak të angazhimit sindikal dhe rezistencës aktive, u largua nga puna nga organet okupatore.
Në vitin 1992, së bashku me vëllanë e tij, Dr. Ilazin, themeloi Poliklinikën “Diagnoza” në Gjilan. Përveç shërbimeve mjekësore, ajo u bë qendër edukimi ku stazhin dhe praktikën e kryen dhjetëra mjekë, infermierë dhe teknikë shëndetësorë.
Gjatë viteve të okupimit, Dr. Parashtica ishte pjesë e protestave, ecjeve paqësore dhe aktiviteteve humanitare, përfshirë angazhimin në SHHB “Nënë Tereza”. Me fillimin e rezistencës së UÇK-së, në korrik 1998 ai, së bashku me mjekë të tjerë, u angazhua në Spitalin e parë të UÇK-së në Likoc. Aty, përveç trajtimeve kirurgjikale, organizoi dokumentacionin mjekësor, protokollet, raportet dhe strukturën funksionale të spitalit.
Ai vazhdoi angazhimin në Gradicë, në Spitalin Ushtarak të Llapit në Llapashticë dhe u emërua udhëheqës i Batalionit të Shëndetësisë së Zonës Operative të Karadakut. Me fillimin e bombardimeve të NATO-s, ai ishte aktiv në “Diagnoza” duke trajtuar pacientët, të plagosurit dhe të torturuarit, ndërsa dhuroi pajisje të tëra të sallës së operacionit për nevojat e UÇK-së.
Pas luftës, u kthye si shef i Emergjencës në Spitalin e Gjilanit, e më pas punoi si mjek rajonal në UNMIK dhe Forcën e EULEX-it deri në vitin 2016. Për shumë vite ka qenë pjesëmarrës në takime e trajnime në Kampin Bondsteel, ku përveç aspektit profesional promovoi vlerat dhe të drejtat kombëtare.
Ai ka ligjëruar edhe temën “Kujdesi shëndetësor para, gjatë dhe pas luftës në Gjilan”, duke dokumentuar me fakte represionin dhe plagët e asaj periudhe.
Që nga viti 2013, Dr. Parashtica është anëtar i Kuvendit të Odës së Mjekëve të Kosovës (I, II dhe III). Në vitin 2021 përfundoi specializimin e dytë në Mjekësinë Familjare. Është autor dhe bashkautor i disa punimeve shkencore.
Sot ai vazhdon të punojë si specialist dhe Drejtor Klinik në Poliklinikën “Diagnoza” në Gjilan, me një staf prej rreth 40 punëtorësh shëndetësorë, përfshirë 20 specialistë të fushave të ndryshme./rajonipress/



