Fatmir Limaj: Kosova ka pak burrështetas!

Kryetari i NISMA-s për Kosovën, Fatmir Limaj, vlerëson se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të gjithë kanë pritur vazhdimin e konsolidimit tonë si shoqëri. Megjithatë, sipas tij, sidomos gjatë këtij viti që e kemi lënë pas, Kosova nuk ka qenë në pozitë më të vështirë, që nga paslufta.Në një intervistë për Telegrafin, Limaj ka thënë se pasojat e vendimeve që janë marrë gjatë këtij viti mund të jenë me pasoja të mëdha për të ardhmen.
“Mendoj se që nga paslufta asnjëherë Kosova nuk ka qenë në pozita më të vështira në të gjitha drejtimet: politike, ekonomike, sociale, por edhe shoqërore. Pas shpalljes së pavarësisë të gjithë kanë pritur vazhdimin e konsolidimin tonë shoqëror, por në vitin 2015 ka ndodhur e kundërta. Gjatë këtij viti vendi ka kaluar nëpër sfida të mëdha politike dhe ky vit është karakterizuar nga një papërgjegjësi e madhe politike”.
Kosova ka nevojë për politikanë të sinqertë
Limaj konsideron se për Kosovën nuk ka asgjë më të nevojshme se të ketë politikanë të sinqertë dhe të devotshëm.
“Ne kemi me shumicë njerëz që merren me politikë, por Kosova ka pak burrështetas, për të mos thënë hiq. Kosova ka nevojë me ia thënë popullit atë që është realitet. Ne sot kemi probleme me shëndetësinë, kemi probleme me një armatë njerëzish që gjoja po i shkollojmë me arsim superior, duke ndërtuar universitete në çdo fshat – jemi duke i mashtruar djemtë dhe vajzat e reja. Kjo situatë dhe në këtë situatë fajin kryesor e kanë politikanët”.
Sipas Limajt, pasojat e vendimeve që janë marrë gjatë këtij viti mund të jenë pasoja për të ardhmen, andaj sipas tij ka ardhur deri tek reagimi i Opozitës.
“Prej janarit vazhdimisht është insistuar që të hapet debat për çështje të rëndësishme. Kemi paralajmëruar koalicionin qeverisës që të ketë kujdes dhe të mos shfaq arrogancë të pushtetit dhe të numrave. Por fatkeqësisht kjo ndodhi. Kemi kërkuar transparencë, kemi kërkuar që për çështjet nacionale të kërkohet konsensus. Fatkeqësisht të gjitha këto kërkesa të opozitës janë injoruar nga koalicioni qeverisës, pas së cilës edhe kemi ardhur deri tek veprimet e fundit të opozitës”.
Limaj ka vlerësuar se pushteti aktual ka shfaqur tendenca që Kuvendin ta kthejë në një organ opinionesh ku shkon e dëgjon opinionet e të gjithëve dhe vendimet i merr vetë.
Përveç organ opinionesh, sipas tij, Kuvendi është shndërruar po ashtu edhe si organ partiak, duke e përshtatur agjendën e Kuvendit me atë të dy individëve, Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit.
“Është bërë suprimimi i të drejtës së parlamentit të Kosovës për të dhënë qëndrimin e vetë për çështje të rëndësishme nacionale siç e parasheh Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës”, konsideron kryetari i NISMA-s.
“Për shembull, për Asociacionin, Qeveria apo thënë më mirë, Mustafa e Thaçi kanë vendosur që rreth kësaj çështje të mos merret mendimi i Parlamentit dhe kjo shmangie ka qenë kulmi. Opozita e bashkuar duke parë se këta po shkojnë drejt suprimimit të së drejtës së parlamentit ka gjetur rrugën e shpëtimit të parlamentit – kthimin e parlamentit në institucion siç e sheh Kushtetuta e ligjet”, pretendon Limaj.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka krijuar një realitet të ri juridiko-politik në vend
Njëri nga kryetarët e tri partive politike opozitare në Kosovë vlerëson se tanimë së fundmi janë dy momente të rëndësishme të zhvillimeve në Kosovë.
Sipas tij, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese tregon qartazi se marrëveshja e parimeve, e nënshkruar më 25 gusht në Bruksel është marrëveshje në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Ai konsideron se pjesa më e madhe e atyre pikave janë shpallur antikushtetuese.
“Ne mendojmë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka krijuar një realitet të ri juridiko-politik në vend dhe këtë duhet ta lexojnë të gjithë”.
Dhe sipas tij, shenja e parë e respektimit të këtij vendimi është dorëheqja e Qeverisë.
“Pas vendimit të GJK-së, nuk është më në vullnetin e Qeverisë anulimi i marrëveshjes, atë e ka anuluar gjykata. Tanimë qeveria duhet të jap përgjegjësi”, ka vlerësuar Limaj.
Madje, sipas Limajt, kjo nuk është shkelje e thjeshtë normale siç ka qenë në rastin e ish-presidentëve, Sejdiu e Pacolli.
“Kjo ka qenë shkelje shumë e rëndë, sepse prek sovranitetin e vendit, prek rregullimin tonë të brendshëm. Ka pas tendencë për përmbysje të rendit kushtetues”, vlerëson Limaj.
VLAN-in e prishi GJK-ja
Fatmir Limaj, në intervistën dhënë për Telegrafin ka folur edhe rreth prishjes së koalicionit paszgjedhor – VLAN.
Një ndryshim politik nuk vjen lehtë, konsideron Limaj, sidomos kur, siç thotë ai, kemi të bëjmë me një vend ku një qeveri ka kontroll të tërësishëm të shtetit, kontrollon çdo pore të shtetit.
“Krijimi i VLAN ka pasur atë shpresë. Por fatkeqësisht ndryshimi nuk erdhi i plotë. Megjithatë mendoj se vetë formimi i VLAN ka sjellë ndryshime – u pa e re diçka e re në Kosovë”.
E sipas tij, ka shumë faktorë të jashtëm për prishjen e këtij koalicioni, por krejt përgjegjësinë këta faktorë të jashtëm ia kanë lënë vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Nëse do të vinte VLAN në pushtet, minimalisht do të sillte ndryshime, pavarësisht kush do të ishte udhëheqës i qeverisë. Sa do të arrihej të ishte i madh ky ndryshim nuk mund të themi. Me rëndësi ka qenë ndryshimi”, ka vlerësuar Limaj.
Fatmir Limaj ka folur edhe rreth rolit të NISMA-s në jetën politike dhe zhvillimeve të fundit në vend.
“Kemi qenë një subjekt modest por shumë dinjitoz. Kemi kontribuar shumë në bashkimin e bllokut opozitar. Nuk kemi pranuar të jemi pjesë e lojërave të prapavijës dhe prapaskenave. Kemi qenë shumë transparent me bindje të plotë se një opozitë e bashkuar është në interes të vendit. Për herë të parë Kosova ka një opozitë të bashkuar. Në legjislacionin e kaluar, partitë opozitare më së shumti kanë pasur përplasje ndërmjet vete se me qeverinë”, ka thënë Limaj, duke shtuar se beson që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej.
Limaj ka folur edhe për mundësinë e kthimit të tij në partinë, pjesë e së cilës ishte vite me radhë, në PDK.
“Unë jam kryetar i NISMA-s dhe pyetja rreth kthimit të mundshëm në PDK e ka marrë përgjigjen me themelimin e NISMA-s. Ne jemi që këtë projekt me çu përpara. Koha e ka dëshmuar arsyeshmërinë e këtij projekti. Ne jemi të kënaqur që nuk jemi bërë pjesë e askujt, asnjë blloku, asnjë grupi, kemi mbajtur qëndrimin tonë”.
Autostrada ka ndryshuar hartën e Ballkanit
Ish-ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit, si njërën ndër të arriturat e tij, përkatësisht kontributeve të tij për vendin, ndër vite, vlerëson edhe ndërtimin e autostradës Ibrahim Rugova.
Megjithatë, më shumë se për autostradën, ai thotë se më së miri ndihet kur mendon për ndërtimin e infrastrukturës në pjesët rurale.
“Kemi arritur që të asfaltojmë rreth 98 për qind e fshatrave të Kosovës. Kur kemi filluar kanë qenë vetëm 12 për qind të asfaltuara”.
E kur flet për ndërtimin e autostradës ai thotë se e falënderon Zotin, për siç thotë, i ka dhënë mundësinë që të jetë pjesë e ekipit të implementimit të këtij projekti.
“Projektet e mëdha gjithmonë janë kontestuar dhe kanë pas telashe. Autostrada ka ndryshuar hartën në këtë pjesë të Ballkanit – hartën ekonomike, politike, sociale. Dhe jo vetëm hartën e Kosovës dhe Shqipërisë, por të gjithë rajonit”.
Autostrada ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e njerëzve
Limaj thotë se kohën e lirë përveçse me familjen, nipërit dhe mbesat e tij e kalon kryesisht edhe duke vizituar të afërm, miq, familjarë, familje të dëshmorëve, invalidë, shokë studentë.
Ai gjithashtu thotë se do të parapëlqente një pushim në bjeshkë se sa në deti.
Limaj tregon se për pasion e ka leximin dhe se pika më e fortë e tij është besimi dhe bindja për të bërë gjërat që i beson.
Si pjesë e zhvillimeve, për më shumë se 20 vite në Kosovë, Limaj thotë se gjatë kësaj periudhe, përveç momenteve të vështira, ka pasur edhe momente që kanë mbetur thellë në memorien e tij.
Dhe ndër to, ai përmend një rast i cili ka lidhje me autostradën “Ibrahim Rugova”, përkatësisht ndikimin e saj të drejtpërdrejt në jetën e njerëzve.
“Me ish-ministrin Sokol Olldashin kishim vizituar një familje të vendosur me shtëpi afër tunelit. Kur kemi dalë nga aty, një veturë, kur e ka kaluar tunelin është ndalur. Ishte një burrë i moshuar, i cili doli nga vetura dhe na përshëndeti. Na zgjati dorën, duke na shprehur falënderimin dhe na tregoi se falë autostradës ai kishte mundur ta dërgonte fëmijën e vetë të sëmurë – nuk di nëse kishte leukemi – në Tiranë. Prej aty e kishte dërguar në Itali. Siç i kishin thënë mjekët, nëse dërgimi i fëmijës do të vononte edhe për 3-4 orë, ai do të rrezikonte së mbijetuari”, përfundon rrëfimin Fatmir Limaj. /Hakim Kasami/Telegrafi/