Fundamenti

Farsa e Feridit

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Imer Mushkolaj – Pavarësisht se ka dështuar gjatë kohës sa ka qenë ministër i Shëndetësisë dhe nuk e ka realizuar asnjë premtim elektoral, Ferid Agani ka zënë vend sërish në kabinetin e Isa Mustafës. Në krye të Ministrisë së Mjedisit, ai nuk po i zbaton vendimet e pararadhësit të tij, ndërkohë që po i promovon si të reja masat ligjore ekzistuese. Farsë e vërtetë. Ai vazhdon të shesë moral – “në emër të zotit – me drejtësi”

Po të realizoheshin premtimet e bëra nga ai, kosovarët tashmë do të kishin sigurimin shëndetësor, pensionistët barna falas, vajzat që bartin shami do të shkonin pa probleme në shkollë, ndërkaq mësimi i fesë do të ishte pjesë e planprogrameve shkollore. Por, Ferid Agani, që tash mban postin e ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nuk e ka përmbushur asnjë nga këto premtime. Për më tepër, në pozitën që mban tash, ai nuk po zbaton vendimet e paraardhësit të tij, ndërkohë që po promovon kinse si të reja udhëzime administrative që janë në fuqi tash sa kohë.

I gjendur në krye të Partisë së Drejtësisë, një parti me orientim islamik, Agani ia doli që mandatin e kaluar të bëhet ministër i Shëndetësisë, pasi iu bashkua koalicionit të Begjet Pacollit, ndërkaq në zgjedhjet e kaluara ai me partinë e tij u fut në listën e PDK’së, për të marrë post ministri sërish në qeverinë e Isa Mustafës.

Por as atëherë, e duket as tash nuk ia arriti e nuk po ia arrin të realizojë gjë të hajrit nga premtimet e bëra me pompozitet. E tëra doli të jetë një farsë veç me qëllim të ardhjes në pushtet.

Në maj të vitit 2014, ai premtonte se shamia në shkolla do të lejohej që nga shtatori i atij viti. Natyrisht, kjo nuk ndodhi. Ai zotohej edhe për futjen e mësimbesimit në shkolla, por gjithçka mbeti një premtim i thatë. Ndërkaq, janë të panumërta premtimet e tij si ministër i Shëndetësisë, që kishin të bënin me sigurimin shëndetësor për kosovarët, që thoshte se do të ndodhë herë këtë vit, herë vitin tjetër. Zotohej se qytetarët e Kosovës do ta gëzojnë të drejtën e sigurimit shëndetësor më së largu në prill të vitit 2015. Jemi në janar të vitit 2016, apo jo? Natyrisht, pa sigurime shëndetësore.

* * *

Hidromorava

Gjatë mandatit të tij, Agani nuk ia ka dalë të përmirësojë gjë në sistemin e shkatërruar e të korruptuar shëndetësor. Për më shumë, pikërisht gjatë kohës së tij si ministër kanë ndodhur skandali i stentave dhe skandali farmaceutik, ku u përfshinë zyrtarë të lartë të këtij sektori. Vetë Agani është njëri nga të dyshuarit e Prokurorisë, në rastin “Stentat”.

Por, pavarësisht performancës kurrfare si ministër i Shëndetësisë, ai u bë pjesë e kabinetit qeveritar të Isa Mustafës, tash si ministër i Mjedisit. Natyrisht, votat në zgjedhje i fitoi prapë me premtimet e vjetra dhe duke shitur moral. Ndërkohë, gjendja në sektorin e mbrotjes së mjedisit dhe planifikimit hapësinor është skandaloze.

Pararadhësi i tij në ministri, Dardan Gashi, pat nisur një aksion për rrënimin e ndërtimeve pa leje në Prevallë, me ç’rast ishin rrënuar rreth 300 sosh. Por aksioni nuk u vazhdua nga Agani, i cili nuk po ekzekuton rreth 40 vendime që kanë mbetur të nënshkruara nga Gashi dhe nuk po rishikon rreth 200 leje në aspektin e tejkalimit të ndërtimit në atë zonë.

Gashi ka thënë se Agani mendon se duhet të ndërpriten rrënimet në Prevallë dhe se duhet lejuar prapë eksploatimi i zhavorrit nëpër lumenj. Ai ka shfaqur dyshimin se vendimet nuk po ekzekutohen shkaku i objektit “Kulla e Jetimëve”. Ky objekt ilegal ka qenë në shënjestër të hetimeve dhe bastisjeve për aktivitete të dyshimta të lidhura me terrorizmin.

Ndërkohë, qendra turistike Brezovica vazhdon të shkatërrohet dhe të pushtohet nga ndërtimet e egra. Pavarësisht se aty janë identifikuar qindra objekte për rrënim, Agani vazhdon të rrijë duarkryq. Dhe të shesë moral.

Kështu u shfaq këtë fillimviti, kur në Facebook postoi fotografi në të cilat shihet duke i ndihmuar disa qytetarë të përfshirë në një aksident trafiku, në magjistralen Prishtinë-Pejë, si për të treguar se sa human është. Gjithsecili ndihmon në raste të atilla, por jo domosdoshmërisht e dëshmojnë këtë me postimin e fotografive në Facebook. Po të donte të tregojë humanizëm, Agani e ka pasur rastin gjatë një mandati si ministër i Shëndetësisë. S’ka nevojë të shesë moral e humanizëm tash. Ai ka përgjegjësi politike dhe duhet të veprojë politikisht. Të paktën t’i mbajë premtimet që, sipas ish-zyrtarëve të lartë të partisë së tij, që tashmë e kanë braktisur, nuk i ka realizuar asnjëherë, duke e tradhtuar elektoratin.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.