Hidromorava

Faraoni Morsi

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Presidenti egjiptian, Mohammed Morsi, ka sjellë një dekret, përmes të cilit vetes ia jep autorizime të gjera, pa mundësi ankimi. Në pajtim me to, ai tashmë ka ndërruar prokurorin e shtetit dhe ka urdhëruar rigjykimin e ish-zyrtarëve të lartë të shtetit të kohës së Mubarakut.

Komisionit që po puno në propozimin e kushtetutës së re, Morsi i ka dhënë imunitet ndaj çfarëdo vendimi eventual të gjyqit për pezullimin e tij. Morsi Po këtij komisioni i ka garantuar mbrojtje edhe në Dhomën e Lartë të Parlamentit të Egjiptit, ku aleatët islamikë të Morsit përbëjnë shumicën.

Presidenti i Egjiptit ka sjellë edhe një dekret përmes të cilit është parandaluar këdo që të ankohet ose që të vejë në pikëpyetje vendimet e tij, që i ka sjellë presje ka ardhur në këtë post, në muajin qershor, dhe ato që mund t’i sjellë deri në aprovimin e kushtetutës së re.

“Presidenti mund të sjellë çfarëdo vendimi ose mase për të mbrojtur revolucionin. Deklaratat kushtetuese, vendimet dhe ligjet që i sjellë presidenti janë përfundimtare, dhe ndaj tyre nuk mund të ushtrohet asnjë ankesë”, deklaroi zëdhënësi i presidentit Morsi, Jaser Ali, në televizionin shtetëror.

Veç kësaj, Morsi ka urdhëruar rigjykimin e ish-zyrtarëve të lartë shtetëror të kohës së Mubarakut, i cili është rrëzuar nga pushteti më 11 shkurt të vitit të kaluar.

Sipas agjencisë Reuters, kjo nënkupton se edhe vetë Mubaraku do të mund të përballet së shpejti me një rigjykim, edhe pse ai në muajin qershor është dënuar me dënim me burg të përjetshëm, për shkak se nuk ka parandaluar vrasjet e demonstruesve gjatë kryengritjes kundër regjimit të tij.

Me këtë vendim Morsi ka plotësuar kërkesat e demonstruesve, të cilët kërkonin që të gjithë ish-zyrtarët e lartë të shtetit, të cilët ishin pjesëmarrës në dhunën e ushtruar gjatë protestave kundër regjimit të vitit të kaluar, ndaj të rigjykoheshin.

RCCOLA

Në përputhje me autorizimet e tij të reja, presidenti egjiptian tashmë ka ndërruar prokurorin e shtetit, Abdel Megwid Mahmoud, dhe në vend të tij ka emëruar Talat Ibrahim Abdalah. Përndryshe, Morsi tentoi që prokurorin Mahmoud ta ndërronte edhe në muajin tetor, me qëllim që në këtë mënyrë t’i qetësonte demonstruesit, por hoqi dorë nga ky synim për shkak të kundërshtimit të gjykatësve të vendit.

Me dekret të presidentit Morsi asnjë organ i drejtësisë nuk mund të shpërbëjë parlamentin e vendit, në të cilin dominojnë përfaqësuesit e islamistëve, të cilët tani janë duke përgatitur kushtetutën e re të Egjiptit. Parlamenti ndërkohë është vënë në shënjestër të kritikave të opozitës sekulariste, për shkak se në të nuk përfaqësohen të gjitha segmentet e shoqërisë së larmishme egjiptiane.

Të gjitha këto lëvizje, siç vlerëson agjencia e lajmeve AFP, sigurisht që do të ndikojnë shumë në përkeqësimin e mëtutjeshëm të raporteve të presidentit Morsi me autoritetet gjyqësor të vendit.

Me këto vendime Morsi “i ka uzurpuar të gjitha kompetencat e shtetit, ndërkohë që veten e ka shpallur njëlloj faraoni të ri të Egjiptit”, nënvizon udhëheqësi i opozitës egjiptiane, Mohammed el-Baradei. Sipas tij, këto veprime “paraqesin një goditje të fuqishme dhënë revolucionit, e cila mund të ketë pasoja të paparashikuara”.

Për shkak të dekretit të presidentit Morsi, grupet opozitare kanë caktuar për të premten protesta masive. Forca të shtuara të policisë dhe ushtrisë janë vendosur të premten para institucioneve shtetërore në Kajro, ndërkohë që dhjetëra-mijëra njerëz janë tubuar në sheshin e tij.

Ndryshe, përmes një deklarate të lëshuar ditë më parë nga presidenti Morsi, kuvendi kushtetues, i cili numëron 100 deputetë, ka përfituar edhe dy muaj shtesë për të përpiluar projekt-propozimin e kushtetutës së re, e cila do të zëvendësojë kushtetutën aktuale të Egjiptit , që është suspenduar pas rrëzimit nga pushtetit të ish-presidentit Mubarak.

Procesi i përpilimit të kushtetutës së re, i cili do të duhej të përfundonte në muajin dhjetor, është përcjellë me dhjetëra akuza të atyre që e vënë në pikëpyetje përbërjen e kuvendit kushtetues.