Familjarët: Nuk jemi terrorist, mos na merrni në qafë?

Gjilan – Kryefamiljarët Xhevat Mehmeti nga Zarbinca e Bujanocit dhe Qamil Hyseni nga Bresalci janë të revoltuar me aksionin e fundit të policisë e cila arrestoj djemtë e tyre Ardian Mehmetin dhe Musli Hysenin. Nuk jemi marrë kurrë me punë të liga e aq më pak me terrorizëm. Ne nuk po kemi bukë me hëngër e leje me u marrë me armë siç po na akuzojnë policia thotë Xhevat Mehmeti.
Ardian Mehmeti dhe Musli Hyseni janë dy nga të arrestuarit e grupit të fundit të dyshuar për terrorizëm që nga ana e policisë janë arrestuar në lokacione të ndryshme në Prishtinë e Bresalc. Atyre tashmë u janë caktuar nga një muaj paraburgim, derisa familjarët e tyre janë të shqetësuar dhe të befasuar me dyshimet e ngritura siç thonë ata të pabaza ndaj tyre, raporton rajonipress.
Kryefamiljari i Ardian Mehmetit, Xhevati(foto) tha për rajonipress se si mund të quhet terrorist djali i tij kur ai është kapur si student dhe me indeks në dorë.”Ne nuk po kemi bukë me hangar e leje me u marrë me armë e terrorizëm. Terrorizmi pasha mixhën donë pare e zotësi e ne si familje nuk i kemi asnjërën” shprehet Xhevat Mehmeti.
Mehmeti është i bindur se djali i tij po akuzohet pa asnjë fakt.”Djali im s`ka faj dhe nuk është i përfshirë në punë të këqija. Gjithçka që është shkruar e deklaruar nga policia është e montuar dhe e fryer për qëllime të dikujt. Djali ishte student në Fakultetin e Studimeve Islame dhe na morën në qafë policia” shton ai.
Mehmeti i cili ka prejardhje nga Zarbinca e Bujanocit, por që tani jeton në lagjen “Arbëria” në Gjilan tha se policia në shtëpinë e tij kanë gjetur vetëm një armë dhe paramendojeni kanë konfiskuar edhe parfume familjare të grave, me arsyetimin se prej tyre ndërtohen bomba?.
Edhe Qamil Hyseni(foto) babai i Musli Hysenit nga Bresalci thotë se djemtë tanë i akuzojnë se kanë punuar si grup terrorist.”Ne jemi familjarë dhe miq mes vete dhe kjo s`ka lidhje me asnjë grup. Kanë ardhë policia në shtëpi, po asgjë nuk kanë gjetur. Djali im është njeri fetar dhe ka autoritet në Bresalc. Unë i mbajë 13 anëtar të familje dhe vërtet jemi në gjendje të rëndë sociale. Ky proces është fund e krye i montuar dhe dikujt po i shërben për të treguar se Kosova po e luftoka gjoja terrorizmin” shprehet Hyseni.
Hyseni thotë se djali i tij duhet të lirohet dhe duhet t`i kthehet familjes sepse terrorizmi dhe puna e fëmijëve tanë janë shumë larg njëra tjetrës./rajonipress/