UBT

Familjarët kërkojnë ndriçimin e vrasjes së Enver Malokut

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Me rastin e katërmbëdhjetë vjetorit të vrasjes së veprimtarit Enver Maloku, familja e tij u ka bërë thirrje të gjitha organeve vendëse dhe ndërkombëtare të drejtësisë që të fillojnë sa më shpejt punën për ndriçimin e kësaj vrasjeje.

Në komunikatën për media të lëshuar nga familja Maloku, thuhej se kjo familje ka kaluar 14 vjet në pritje të ndonjë hapi konkret të institucioneve sa i përket zbulimit të vrasjes enigmatike të Enver Malokut, por, fatkeqësisht, deri më sot, gjithçka ka mbetur në nivelin deklarativ kryesisht në raste përvjetorësh dhe në kohë fushatash zgjedhore.

“Dhjetëra familje në Kosovë janë lodhur nga deklaratat e vazhdueshme të zyrtarëve të lartë të vendit përfshirë krerëve shtetërorë e partiakë, në lidhje me vrasjet politike e krimet e luftës. Ka ardhur koha që të thyhet miti i heshtjes dhe autorët e këtyre krimeve makabre ndaj aktivistëve më të dalluar të Lëvizjes për Liri e Pavarësi, të marrin dënimet më të ashpra nga drejtësia. Familja Maloku pret që institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare që veprojnë në vendin tonë, të fillojnë sa më shpejt ndriçimin e vrasjes monstruoze ndaj Enver Malokut, e cila ndodhi më 11 janar të 99-s në sy të gruas e fëmijëve.

Më tej në komunikatë thuhej se janë të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjitha organet e hetuesisë në lidhje me rastin, në mënyrë që kjo vrasje dhe dhjetëra të tjera që kanë ndodhur në Kosovë të mos mbeten të pazbuluara dhe kundërshton çdo shpërdorim të këtij rasti për poenë politikë dhe kërkon drejtësi për ekzekutorët dhe porositësit e kësaj vrasjeje.

“Njëherësh, në këtë përvjetor të katërmbëshjetë pa më të dashurin tonë, falënderojmë të gjithë miqtë brenda dhe jashtë Kosovës që kanë qëndruar pranë nesh në kohë të vështira”, thuhet në komunikatë.

Përkujtohet veprimtari Enver Maloku

Uji Dea

Me rastin e 14 vjetorit të vrasjes së veprimtarit Enver Maloku, përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës sot kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh te përmendorja e tij. Të pranishmit thanë se Enver Maloku u vra pa asnjë arsye dhe se me vrasjen e tij Kosova ka humbur një intelektual të madh dhe një njeri të përkushtuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Me këtë rast, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se vrasja e Enver Maloku ishte një humbje e rëndë jo vetëm për LDK-në por për gjithë Kosovës, humbje e një veprimtari të madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Sot u mbushën 14 vite nga vrasja e fundit, Enveri ishte një intelektual, ishte shef i qendrës për informim të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e një qendre që ishte jo vetëm zëdhanëse e LDK-së por ishte edhe zëdhanëse e Kosovës edhe brenda edhe jashtë Kosovës. Ishte një prej intelektualëve të shquar të Kosovës, shkrimtar i mirënjohur i cili u vra pa asnjë arsye, dhe me vrasjen e tij jam i bindur se Kosova e humbi një intelektual të madh, e humbi një njeri të përkushtuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe humbi një prej bashkëpunëtoreve të ngushtë të presidentit Ibrahim Rugova” tha Mustafa.

Ai tha se ajo çfarë dëshiron sot është që të zbardhen të gjitha këto vrasjet e veprimtarëve të LDK-së dhe të nderohen njerëzit që punuan për Kosovën.

Pas homazheve ata kanë vizituar edhe familjen e këtij veprimtari. /Kosovapress/