Familja Osmani nga Zhegra pësoi rëndë dhe akoma ka dhembje
Gjilan – Sot janë bërë 17 vjet të luftës në Kosovë (1999). Kjo luftë e barbarisë serbe ka shkaktuar shumë dhembje në familjet shqiptare. Ajo nuk ka zgjedhur mjete për të vrarë e masakruar njerëz të pafajshëm. Ishte luftë e pabarabartë. Luftë që zhvilloi forcat e errëta serbe për ta zhbënë popullin shqiptar nga faqja e dheut. Në këtë luftë, familja Osmani, nga Zhegra, pati humbje të madhe në njerëz. Ajo tash e 17 vjet më parë mbeti me dhembje. Dhembja e kësaj familje nga Zhegra e Gjilanit, akoma nuk është shëruar. Dhe, dhimbja e tyre nuk shërohet lehtë.
Kjo familje e ngushtë e Ajvaz Osmanit nga Shurdhani, e cila ishte vendosur kaherë në fshatin Zhegër, në luftën e fundit, më 25 mars të vitit 1999, asaj i janë ekzekutuar katër anëtarë të ngushtë nga forcat e errëta serbe. Këta janë: Zymrije Osmani (1944-1999), Lulzim Osmani (1971-1999), Luan Osmani (1975 -1999 dhe Arijeta Osmani (1973 -1999). Kjo familje ka jetuar kaherë në Prishtinë.
Dhe, kur filloi lufta, ata janë zënë keq. Nuk kanë mundur të ikin kah sytë-këmbët. Duke menduar se nuk do të ketë aq dhunë, ata qëndrojnë disa ditë në banesën e tyre. Por, kur fillojnë paramilitarët serbë të hyjnë nëpër banesa, këtë familje e detyrojnë me dhunë të egër që të ta lëshojnë banesën. Dalin, por pa asnjë gjë me vete. Duke ikur rrugës, më në fund, katër anëtarët e familjes u gjenden në Fushë Kosovë. Aty, pa i pyetur fare, paramilitarët serbë i kanë ekzekutuar me shumë të tjerë. Bile, pas luftës, këto viktima janë gjetur në një shakte të ujësjellësit.
Pra, ky vend ku janë gjetur këta martirë të luftës së fundit, ishte një lloj varri masiv se pati edhe viktima të tjera të luftës. Pas pak kohe, familjarët i viktimave i kanë zhvarrosur të ekzekutuarit dhe i kanë varrosur me nderime nga familja dhe na të afërmit e tyre. Por, edhe pas kësaj kohe, dhimbja ka mbetur dhimbë e pa shëruar. Ajo nuk shërohet lehtë./tefik selimi/rajonipress/


