Uji Dea

Falsifikuesit dhe kutia e votimit

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Ardian Gjini- Falsifikimi është vjedhje dhe rrjedhimisht krim i rëndë. Por disa falsifikime është lehtë të dokumentohen dhe eliminohen e disa më vështirë. Kartëmonedhat e falsifikuara për shembull, pasi të identifikohen mund të hiqen nga qarkullimi. Mallrat e falsifikuara po ashtu. Por janë disa falsifikime të cilat lënë pasoja tejet të dëmshme dhe afatgjata. Ndër to është certifikimi i rrejshëm për dijen e arritur.

Me fjalë tjera kjo do të thotë ta kryesh fakultetin e të mos dish asgjë. Ose ta kalosh testin e maturës pa ditur shkrim lexim. Njerëzit që marrin diploma pa qenë me të vërtetë të përgatitur bëhen barrë e shoqërisë. Ata shkaktojnë stagnim afatgjatë sepse i zënë vendet e punës ku kërkohet kualifikim i lartë dhe e ulin performancën e sistemit, kudo që shkojnë. Kështu dekurajohen njerëzit e zellshëm dhe të aftë. Nxënia bëhet e pavlefshme. Falsifikimi bëhet normë.
Fatkeqësisht, Kosova është zhytur me të dyja këmbët në këtë sistem të mbrapsht. Dhe njerëzit në pushtet janë bartës të këtij falsifikimi të madh.

Falsifikim tjetër tepër problematik është mashtrimi elektoral. Votat e familjeve blihen me nga një thes miell. Kutitë mbushen me fletëvotime nga ana e komisionarëve. Votat e numëruara nuk paraqiten saktë nëpër formularë. Dhe në fund ndërrohen kutitë e votimit në tërësi pas mbylljes së qendrave të votimit. Ky falsifikim i demoralizon njerëzit, e trason kulturën e padrejtësisë, e shkatërron konceptin e drejtësisë dhe sundimit të ligjit. Edhe në këtë falsifikim, udhëheqin njerëzit e pushtetit aktual.

Këto dy lloje falsifikimesh janë shkaktarë të ndërsjellë. Së pari, nuk mund ta kuptojnë rëndësinë e arsimit njerëzit të cilët organizojnë vjedhje të votave. Ata vinë në pushtet përmes vjedhjes dhe mashtrimit. Për ta, vlerat morale, drejtësia apo vullneti i popullit janë “bullshit”. Në anën tjetër të të njëjtës medalje janë intelektualët falso. Ata që kanë marrë diploma fakulteti, që mbajnë Master apo edhe Doktoratura esencialisht të falsifikuara. Për ta dija, demokracia dhe sundimi i së drejtës janë vetëm fjalë përmes të cilave mashtrojnë. Në esencë dija e vërtetë, demokracia dhe drejtësia për ta janë “bullshit”. Dhe prandaj këto dy fenomene falsifikimi janë dy faqet e të njëjtës medalje. Nëse doni t’i gjeni se cilët janë këta njerëz, shihni kush i nënçmon dhe i përqesh njerëzit e drejtë, shihni kush i nënçmon dhe i përqesh profesionistët e aftë, shihni kush vjedh vota dhe buxhet dhe i gjeni njerëzit për të cilët po flas. Ju del lista e gjatë dhe impresive apo jo? Për t’i thjeshtuar këto që i thash po e sjell një shembull të një ngjarjeje aktuale. Para dy ditësh, në Zllakuqan të Klinës u gjet një kuti votimesh e hedhur para tri vitesh pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2010. Kjo kuti i zbulon disa fakte jashtëzakonisht brengosëse për procesin zgjedhor të vitit 2010, për të cilin edhe ashtu të gjithë e dinë se ka qenë i përcjellë me parregullsi të skajshme, brutale dhe banale.

FIDANISHTJA

Së pari, një kuti e hedhur votimi do të thotë se dikush e ka ndërruar kutinë origjinale dhe se ka pasur kutia falso. Kjo përbën shkelje të rëndë dhe nuk e di a ndodh në ndonjë vend tjetër. Së dyti, dokumentacioni përcjellës i kutive të votimit pas numërimit është falsifikuar e edhe më keq, në qendrën e numërimit nuk e kanë kuptuar se materiali është i falsifikuar. Kjo do të thotë se materialet janë të pa mbrojtura dhe se edhe në qendrën e numërimit, edhe në sekretariat të KQZ-së, edhe në qendër të votimit, edhe vet në KQZ ka njerëz të implikuar. Shumë prej tyre janë intelektualë falso. Brengosëse është mundësia e implikimit të zyrtarëve policorë, që e kanë bërë bartjen e kutive të votimit prej qendrave të votimit në qendrën e numërimit. U vërtetua pra se të gjitha thashethënat për ndërrimin e kutive të votimit nuk janë fare thashethëna, por të vërteta të ndrydhura për vite.

Forenzika mund të gjejë gjurmë në kuti. Mos u befasoni kur t’i shihni shenjat e gishtërinjve.

(Autori është nënkryetar i AAK-së. Kjo kolumne është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)