Falltorja dhe votat nga varri!
Nga Arbana Xharra – Mesditë, heshtja ka mbuluar qytetin. Qytetarët janë shukatur me lumturinë e tyre. Në periferi, një lagje e harruar sjell falltoren, çmimin që duhet paguar prej 10 eurove për një seancë, e ka të shkruar në një copë letër të futur në kornizë, e cila qëndron mbi tavolinën prej druri të mbuluar me dantella, ku pret klientët e saj.
Në këtë çmim përfshihet parashikimi për shëndet dhe dashuri, ndërsa për ndonjë fatkeqësi që mund të mbijë, duhet shtuar edhe një pesëshe, e letrës mundësisht. Por, nëse klienti ka kërkesa shtesë, ajo ka tarifa të tjera. Bile muajin e fundit i është shtuar puna me të madhe, por jo nga klientë të zakonshëm, ajo vizitohet nga një kategori tjetër shumë më e pasur.
Falltorja ka nisur të qesë fall për politikanët, duke ua parashikuar atyre të ardhmen, u tregon se nga kush është i varur fati i tyre në politikë. E frekuentojnë nga të gjitha komunat, ka aq shumë kandidatë, sa që secili duhet caktuar termin paraprakisht.
Politikanët parkojnë veturat e tyre luksoze përpara shtëpisë së vjetër të falltores. Ndodh që ata të ndeshen përpara derës me kandidatët konkurrentë, por marria për secilin prej tyre, bën që ata të mos e hapin gojën.
Të pispillosur, me tesha kat, flokë të lëpirë me një anë, e të djersitur pasi vijnë nga tubimi parazgjedhor ku ja kanë dhënë edhe një valle, zbathin këpucët dhe me çorape të bardha të ngjitura për këmbë, futen fshehurazi në dhomën e errët.
Kalojnë përmes derës së stolisur me perde plot ngjyra, për t’u ulur përballë falltores. Ata kërkojnë nga ajo të dinë se si i kanë punët, sa i kanë gjasat për humbje e sa për fitore në këto zgjedhje.
Falltorja tund kokën kohë pas kohe, duke ua bërë me dije se jo gjithçka varet nga ata. U tregon se fati i tyre është i lidhur ngushtë me shefat që kanë sipër.
Por ua rikujton se edhe në këto zgjedhje kontribut mund t’u jap edhe dikush tjetër që nuk është në mesin tonë.
Falltorja u tregon se për këtë ka edhe seanca të veçantë, jo për t’u bërë ndonjë magji, por thotë se mund të komunikojë me botën tjetër atje ku pushojnë shpirtrat e të vdekurve tanë.
Homologët e saj, zonja Meri, e zhdukur, apo Burdushi, po ashtu, kanë shtrënguar duart me të vdekurit.
Kandidatët binden në këtë aftësi të falltores, sepse të vdekurit kanë vazhduar të na japin shenja se në fakt “ata janë gjallë”, bile sa herë që ka zgjedhje ata kontribuojnë në rezultatet finale.
Kandidatët nisin të besojnë, kur kujtojnë se në zgjedhjet e kaluara qofshin ato nacionale apo edhe lokale, të vdekurit kanë votuar për kryetarë komunash edhe për deputetë, disa prej të cilëve sot gëzojnë karrigen në Kuvendin e Kosovës duke iu “falënderuar” të vdekurve.
Më nuk kemi frikë prej shpirtrave të tillë, ata na shëtisin edhe nëpër qendra votimi, vota e të cilëve shkon ekskluzivisht për ata që e kanë merak zhvatjen e shtetit përmes pushtetit. Disa prej tyre tashmë kanë votuar për PDK-në, e disa për LDK-në, AAK-në edhe parti të tjera. Ata janë gjallë bile edhe për KQZ-në.
Ndërkohë, falltorja vazhdon t’u qesë fall jo vetëm politikanëve që ia kanë mësyrë pushtetit, por edhe atyre që kanë frikë se do ta humbin fuqinë që kanë. Por, këto ditë ajo ka nisur të ndihet e rrezikuar, ka dëgjuar se Partia e Fortë nuk do të neglizhojë të vdekurit, të cilët kanë kontribuar në zgjedhjet e kaluara.
Kjo parti ka folur për themelimin e Institutit të Sondazheve Paranormale, e që normalisht tingëllon më i besueshëm sesa falltorja nga dhoma e saj plot xhingla-mingla, që deri më tash ka marrë para të majme nga politikanët.
Ajo e di mirë se votat e të vdekurve i duhen shumë më 3 nëntor politikës. E asaj do t’ia ketë lakmi edhe Luciferi, nëse ia qëllon se kush ka fituar me votat e atyre që kanë ndërruar jetë.


