Falja e PTK-së, në dorë të Qeverisë

Prishtinë – Kompania më fitimprurëse e Kosovës nuk është vlerësuar as me çmimin minimal të paragjykuar në buxhet nga Qeveria, që ishte 300 milionë euro. Për PTK-në, konsorciumi gjermano-amerikan ka ofruar çmimin më të lartë prej 277 milionë eurove, por me kusht që 35 milionë t’u kthehen sërish aksionarëve të rinj.
Çmimi më i lartë i ofruar në tenderin për privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës, prej 242 milionë eurosh, është nën parashikimet minimale, madje më i ulët sesa ishte paragjykuar në buxhetin e vitit 2013. Qeveria ende s’e ka thënë fjalën e vet, ndërkohë që dy parti opozitare, sindikalistët dhe ekspertët e ekonomisë e konsiderojnë ofertën të barasvlershme me falje.
Kompania gjermane “Axos GMBH”, në konsorcium me atë amerikane “Najafi Companies” dhe me teknologji nga “British Telecom”, ka ofruar 277 milionë euro për blerjen e 75 për qind të aksioneve të Postë-Telekomit të Kosovës. Por, vlera reale e ofertës së kësaj kompanie peshon 242 milionë euro, meqë 35 milionë euro do të ndalen nga kompania në rast se e njëjta vlerë e parave nuk është e ruajtur si bilanc pozitiv në PTK, në kohën kur kjo ndërmarrje kalon nën menaxhim privat.(Koha)