Fakultetet teknike kërkojnë të bëhen universitet i pavarur nga UP-ja
Një grup profesorësh të tri fakulteteve teknike: Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, si dhe Inxhinierisë Mekanike, ka dërguar një kërkesë në Ministrinë e Arsimit që t’iu lejohet të kthehen në një universitet, të pavarur nga ai i Prishtinës, shkruan sot Koha Ditore.
Ata janë arsyetuar se është bërë nevojë e tregut të punës që të ketë sa më shumë profile teknike dhe inxhinierike, dhe se kjo do të bëhej e mundur nëse fakultetet ekzistuese do të ndaheshin në degë dhe do të vendosnin vetë për vete, në cilësinë e një universiteti të mëvetësishëm.
Por ministria së cilës i është dorëzuar kjo kërkesë nuk u ka dhënë përgjigje pozitive.
Kreu i kësaj ministrie, Arsim Bajrami, ka thënë për “Kohën Ditore” se këto janë çështje serioze dhe kërkojnë analiza të thella para se të merret ndonjë vendim. E ky vendim do të merret tek pas miratimit të ligjit të ri për arsimin e lartë. Ndërsa kjo është kërkesa e tretë që po i dorëzohet MASHT-it brenda pak muajsh, ku fakultetet të cilat janë në kuadër të Universitetit të Prishtinës po synojnë të shndërrohen në universitete të pavarura, publike.
http://koha.net/?id=27&l=59380


