UBT

Faktorët që ju mbajnë zgjuar gjatë gjithë natës

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Nëse tërë natën vërtiteni nëpër krevat për shkak se nuk mund të flini, atëherë shikoni mirë këtë listë që ne po ju propozojmë. Me siguri do ta gjeni fajtorin e pagjumësisë tuaj për ta shmangur në të ardhmen…

Gjumi i mirë i natës është faktori kryesor për një ditë me energji, shëndet të mirë dhe pamje të freskët. Koha optimale për gjumin e natës është nga gjashtë deri në tetë orë, të pandërprera. Por, ekzistojnë shumë faktorë që e ndalojnë relaksimin e trupit tonë apo procesin e gjumit. Ndikimi i kafeinës është i njohur për të gjithë ne, por ka disa faktorë për të cilët nuk keni qenë të vetëdijshëm dhe të cilët janë armiq të vërtetë të gjumit. Ja se cilët janë ata:

Uria

Planifikoni ngrëniet dhe mos qëndroni të uritur, sepse papritur do ta gjeni veten në kuzhinë në mes të natës. Uria e rrit vetëdijen mendore dhe ajo mund të marrë orë të çmueshme nga gjumi. Kështu që mos flini pa ngrënë, por theksojmë se nuk duhet ta teproni, sepse edhe ngrënia e shumtë mund të kthehet në faktor kundër gjumit.

Nevojat personale

Është e vërtetë që një filxhan qumësht i nxehtë apo një kakao propozohet të pihet para se të flini, por një tjetër e vërtetë është se kjo mund t’ju shkaktojë probleme me cilësinë e gjumit. “Fshikëza e mbushur e urinës” është arsyeja pse ju mund të zgjoheni gjatë natës, prandaj zvogëloni konsumimin e lëngjeve në orët e vona.

Ndriçimi

Ndriçimi nga dritat e rrugës, televizorit apo kompjuterit mundet plotësisht t’ju zgjojnë nga gjumi. Prandaj, para se të shkoni në krevat, sigurohuni që dhoma të jetë sa më e errët të jetë e mundur.

Stresi

Vrasësi i vërtetë i gjumit është stresi. Ai nuk i lejon trurit të “fiket” dhe t’i dërgojë “porosi” organizmit për të fjetur. Piltates, joga, teknikat e lehta për frymëmarrjen apo ndonjë aktivitet tjetër duhet të bëhen “strehimi” juaj për t’jua hequr mendimet nga dita e lodhshme dhe nga problemet.

Celulari

RCCOLA

Telefonat në dhomën e gjumit nuk duhet të mbahen për shkak të sms-ve të papritura apo thirrjeve në mes të natës, të cilat padyshim do t’jua prishin gjumin. Por nëse doni që celularin ta mbani me patjetër pranë, atëherë të paktën (gjatë natës)lëreni atë në opsionin e padëgjueshëm.

Dysheku

Nëse me gjumin keni pasur probleme për një kohë të gjatë dhe nëse nuk e keni gjetur ende arsyen e këtij problemi, atëherë ne ju themi se shkaku gjendet në dyshekun tuaj. Ndaj kushtojini më shumë vëmendje blerjes së tij.

Ushtrime

Ushtrimet sugjerohen për një jetë të shëndetshme, në cilëndo kohë. Por lodhja, rrahja e shpejtë e zemrës dhe funksioni aktiv muskulor janë disa nga arsyet për të cilat nuk do të mund të flini nëse praktikoni ushtrime përpara gjumit.

Alkooli

Pirja e alkoolit para gjumit e dëmton atë. Në fakt, alkooli aq sa shpejt ju fut në gjumë të thellë aq shpejt edhe ju zgjon. Për këtë arsye shmangni alkoolin gjatë javës së punës, nëse nuk dëshironi ta kaloni ditën në zyrë të pirë!

Televizori

Nuk është vetëm ndriçimi nga televizori ai që ju pengon të flini. Edhe “zëri i tij” ndikon që t’i mbani sytë e zgurdulluar gjatë gjithë natës. Është e thjeshtë, shtypni butonin e vogël të kuq të telekomandës së televizorit…dhe në gjumë!

Kafeina

Të gjithë e dinë efektin e kafeinës dhe pirjes së kafes në orët e vona të mbrëmjes. Edhe po të flini pas kafes së nxehtë, nuk do të arrini të hyni në fazën e gjumit të thellë. Më mirë është ta shmangni atë dhe të gjitha pijet e tjera me bazë kafeine të paktën tre deri në katër orë para se të shtriheni për gjumë.