RCCOLA

Faji i Dukës

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Granit Xhaka ndihet viktimë e kritikave, fyerjeve dhe vërshëllimeve të pabaza që ia bënë tifozët shqiptarë para, gjatë dhe pas ndeshjes Zvicër – Shqipëri. Mesfushori kosovar e ka fajësuar presidentin e FSHF-së, Armando Dukën, për humbjen e talenteve shqiptarë, derisa shpreson që në të ardhmen Federata Shqiptare të tregohet më e shkathtë në kapjen e talenteve.

Granit Xhaka vazhdon t’u rezistojë kritikëve. Pasi vendosi të luajë për Zvicrën e jo për Shqipërinë, mesfushori kosovar e sheh veten si viktimë pa arsye. Javëve të fundit është përmendur shumë emri i tij, sidomos para, gjatë dhe pas ndeshjes që e zhvilluan Helvetikët me Kuqezinjtë.

Ai u vlerësua si tradhtar nga shqiptarët së bashku me Xherdan Shaqirin e Valon Behramin, që po ashtu kanë prejardhje nga Kosova. 19 vjeçari u fye dhe u vërshëllye nga tifozët në stadiumin e Luzernit, ku ekipi i Ottmar Hitzfeldit fitoi me rezultat 2:0.

“Kundër meje dhe disa prej shokëve të mi të skuadrës është zhvilluar një luftë e paprecedentë nga disa media sportive, gazetarë dhe kolumnistë, mirëpo zotëri Armando Duka ia ka me borxh. Ai është përgjegjës për humbjen e shumë talenteve”, ka thënë futbollisti prishtinas për ueb faqen gjermane welt.de.

RCCOLA

Për ta zgjedhur përfaqësuesen zvicerane ka vendosur vetë Xhaka, pasi që Federata Shqiptare e Futbollit me në krye Armando Dukën është treguar shpesh e ftohtë dhe e painteresuar.

“Shqipëria ka talente të mëdhenj në tërë botën. Uroj që këtyre djelmoshave të mos u ndodh e njëjta gjë sikur mua. Federata e Futbollit e Shqipërisë kur më ndiqte Federata e Zvicrës, është treguar e paaftë dhe e pavendosur sa duhet, duke i lënë gjërat në gjysmë të rrugës”, përfundoi futbollisti i Borussia Monchengladbachut.

Xhaka, Behrami, Xhemajli, Shaqiri dhe Mehmedi janë pesë futbollistët shqiptarë, të cilët e përfaqësojnë Zvicrën aktualisht.