UBT

Faith no more

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Imer Mushkolaj-Për dështimin kolosal të investimit të Brukselit në Boris Tadicin, besimin e humbur se çështja e Veriut mund të zgjidhet shpejt dhe shpresën se mund të jetohet normalisht në këtë vend.

Shkaktoi skandal në Serbi javën e kaluar rock grupi Faith No More, teksa para publikut në Beograd këndoi këngën “Digging the grave”.

“Këtë këngë ia kushtojmë presidentit të sapozgjedhur të Serbisë, Tomislav Nikolic”, tha frontmeni i grupit, Mike Patton, në skenën (e stolisur me lule plastike varrezash) të festivalit Belgrade Calling. Një gjetje mjaft domethënëse, sa për t’ua kujtuar serbëve se kanë zgjedhur t’ua udhëheq vendin Tomë Varrmihësi, ish-drejtori i ndërmarrjes së varrezave, vojvoda çetnik i cili paprtimas u shndërrua në proeuropianin më të madh.

Grupi nga California po performonte në kryeqytetin serb një ditë pasi Nikolic ia dha mandatin për krijimin e qeverisë ish-zëdhënësit të Milosevic’it, Ivica Dacic, duke paralajmëruar kështu kthimin në krye të shtetit të koalicionit, udhëheqësit e të cilit mbollën tmerr, vdekje e gjenocid në vitet ’90.

Paralajmërimi për koalicionin u prit me skepticizëm nga ndërkombëtarët, sidomos nga amerikanët, të cilët shpejtuan që në Beograd të dërgojnë porosi të qarta dhe t’ua kujtojnë Nikolicit, Dacicit e të tjerëve si ata, se vitet ’90 nuk kthehen më.

Vetë emri i grupit Faith No More sikur solli ndërmend se garniturës së re politike që pritet të udhëheq Serbinë vështirë mund t’i besohet, duke pasur parasysh të kaluarën e tyre të errët. Madje, deri vonë ata ishin në “listën e zezë” dhe nuk iu lejohej hyrja në SHBA. Ndërkaq kënga për gërmimin e varreve ua kujtonte qindra-mijëra varre të hapura anembanë ish-Jugosllavisë, në emër të nacionalizimit dhe Serbisë së Madhe.

Dikush mund të thotë se Nikolic e Dacic kanë ndryshuar dhe nuk janë si më parë. Edhe mund të ketë të vërtetë në këtë konstatim. Por e kaluara e tyre mbetet po ajo dhe asnjëri nga ta nuk kanë shprehur fijen e pendesës.

Qytetarët e Serbisë kanë votuar për ndryshime, pas tetë vjetësh qëndrimi të Boris Tadicit në pushtet. Kanë votuar për ta ndryshuar për të mirë jetën e tyre. Dhe ndryshimi po i sjell në pushtet ata që dikur ua varrosën të ardhmen, por që tash kanë marrë flamurin e përparimit, integrimit, zhvillimit.

Ardhja në pushtet e tandemit Nikolic-Dacic është një dështim i Bashkimit Europian, që investoi me vite të tëra në një person – Boris Tadicin. Brukseli tash gjendet para një zgjidhjeje të vështirë: çfarë të bëjë me këta tipa? T’i tolerojë apo t’i sanksionojë? Por, para se të veprojë çkadoqoftë, duhet ta pranojë dështimin. Dështimin kolosal.

* * *

Para disa vjetësh, Lëvizja Vetëvendosje shpërndau nëpër Prishtinë fotografi të Pieter Feith’it me mbishkrimin “Feith No More”. Para pak ditësh, ndërkaq, u vendos që pavarësisë t’i hiqet mbikëqyrja dhe, rrjedhimisht, të mbyllet Zyra e ICO’së e diplomati holandez të mbetet pa punë.

Eco Higjiena

Vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar u cilësua madje historik nga udhëheqës kosovarë, pavarësisht se mbrapa la dështimin e madh – Veriun. ICO kishte mandat të drejtpërdrejtë të merrej me Veriun, por këtë nuk e bëri.

Përfundimi i mbikëqyrjes bën që tashmë Qeveria në Prishtinë të mos mund ta hedh fajin tjetërkund për zgjidhjen e kësaj çështjeje të komplikuar, pavarësisht faktit se nuk ka fuqi të veprojë e vetme.

A mund të quhet i suksesshëm dhe historik ky akt, nëse Veriu ende nuk është zgjidhur, nëse Pakoja e Ahtisaarit nuk është zbatuar deri në fund dhe nëse sovraniteti shtetëror nuk është shtrirë në mbarë vendin?

“Me përfundu mbikëqyrja pa zgjidhjen e çështjes së Veriut, është sikur me hy me jetu në shtëpinë e re pa ia qitë kulmin. Shiu i parë, edhe shpia s`ka me t’vytë ma”, komentoi një koleg imi në Facebook.

Do të duhet kohë derisa t’i vihet kulmi shtëpisë, e shiu do të jetë e keqja më e vogël.

Pieter Feith, ndërkaq, mandatin e mbaron me një damkë në CV’në e tij kosovare – hetimin e kryer nga EULEX lidhur me rolin e tij në zgjedhjen e guvernatorit të Kosovës. Një besim i humbur për punë me duar të pastra, siç pritej të vepronte.

* * *

Nuk besoj se Faith No More do të performojë ndonjëherë në Prishtinë, edhe pse emri i grupit do t’i shkonte fort një vendi, ku besimi ka humbur në gjithçka dhe një nga këngët e tyre titullohet “Pristina”.

E po të performonte, Mike Patton’i kreativ do të mund të zgjedhte, ta zëmë, që skenën ta stoliste me veshka e shpretka – natyrisht të plastikës, sepse është rrëfimi për trafikim organesh ai që i qiti hije të zezë Kosovës në botë.

Por, javën tjetër në Prishtinë do të performojë Unikkatili dhe, po t’i teket, mundet edhe ta këndojë këngën “N’rrot t’somes”. Sa simbolike për sunduesit në Bruksel, Beograd e Prishtinë.

Pas të gjitha atyre që kanë ndoshur e ndoshin çdo ditë, të vjen t’i çosh “n’rrot t’somes” ata që udhëheqin “Serbinë europiane”, ata që flasin për “ditë historike” të përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së një shteti që s’ka sovranitet dhe të tjerë që të bëjnë ta braktisësh vendin tënd. “N’rrot t’somes” edhe ky vend, nëse është ai që e kemi ëndërruar me shekuj.