Hidromorava

Faik beg Konica

/ 11 minuta lexim

Nga Shefik Shkodra- Prej njerëzve që kam njohur dhe të cilin e kujtoj me aq dëshirë është Faik beg Konica, njëri nga më të jashtëzakonshmit. Ai u lind para dyzet vjetësh në Shqipëri, në një familje e cila i mbeti besnike kultit të religjionit katolik. Ky shqiptar (Chkipe) qe edukuar e rritur në Francë dhe kur kishte përafërsisht 20 vjet, si besimtar i madh që ishte, deshi të bëhej murg në Manastirin Kartuzian.

Megjithatë, këtë nuk e bëri. Dhe pak nga pak besimi i tij jo vetëm që u bë asnjanës, por edhe u shndërrua në një antiklerikalizëm të vendosur, i cili të përkujton nga pak atë të Merime-ut. Vijoi studimet, po me që kishte një dashuri të madhe ndaj atdheut të tij, Shqipërisë, duke u kthyer njëherë në Turqi merr pjesë në një komplot që, sipas thënieve të tij, atje qe i dënuar dy herë me vdekje në mungesë të tij.

Kthehet në Francë, gjuhën dhe letërsinë e së cilës i njihte jashtëzakonisht mirë. Ndërkaq, liria që kishte ky vend, atij nuk iu duk e mjaftueshme, iku për t’u vendosur në Bruksel, në rrugën ‘Albania’ e për të themeluar aty një revistë erudite: “Albania”, ku ai angazhohej për politikë, e më tepër për letërsi, histori e filologji.

Në këtë mënyrë ai ia kushtoi një pjesë të madhe të jetës së vet Lëvizjes Shqiptare, duke pastruar gjuhën shqipe prej fjalëve të huaja e parazite. Kështu, ai për pak vite prej një të folme pijetoresh me detarë, e bëri një gjuhë të bukur, të pasur e të fisnikëruar.

Megjithatë, edhe liria që po e ndiente në Bruksel nuk ishte më e pëlqyeshme se ajo që kishte Parisi. Njëherë ai pat punë edhe me një agjent policie. Ai e pyet: “- Kombësia e juaj?” “-Unë jam prej Shqipërie (je suis d’Albanie)”. “- Ku banoni?” “Në rrugën Albania”. “- Çfarë profesioni keni?” “-Unë redaktoj Albaninë”. “- Për njëmend, e dini ju, mendoj se ju po talleni me mua”, tha agjenti dhe atdhetari shqiptar u deshtë ta kaloj natën në post komandën policisë.

I irrituar nga Brukseli, Faik beg Konica u nis për Londër. Braktisi shtypshkronjën e tij të bukur, e cila karakterizohej me shkronja platini e në të cilën ai vetë kishte kompozuar e shtypur vepra të vogla, sot fare të rralla. Kjo nuk zgjati shumë pasi ishte i vetmi punëtor dhe duke i përzier të gjitha shkronjat mund t’i bënte të papërdorshme.

Faik Konicën e njoha në Londër më 1903. Banonte në Oakley Crescent, City Road, E.C. Nuk e kisha parë kurrë më parë. Ai më kishte ftuar për t’i kaluar disa ditë tek ai dhe duhej të vinte të më priste në stacionin hekurudhor. Duhej një shenjë në mënyrë që ta njihja. Ishim marrë vesh që ai të bartte në thile të jakës një orkide. Treni im arriti me vonesë të madhe. Kur arrita në Stacionin-Viktoria pashë se të gjithë zotërinjtë që ndodheshin aty kishin nga një orkide në thile të jakës. Si ta njihja shqiptarin tim tash? Hipa në një karrocë dhe arrita tek ai mu në çastin kur po dilte të blinte orkidenë.
Qëndrimi im në Londër qe i këndshëm. Faik beg Konica kishte një pasion për gërnetën, oboan dhe bririn anglez. Në sallonin e tij kishte një koleksion të vjetër të këtyre instrumenteve prej druri. Në mëngjes, duke pritur kafjallin, gjithmonë me vonesë, zoti i shtëpisë më këndonte arie të vjetra me tinguj hundorë dhe rrinte ulur me shikim përtokë, me pamje serioze para tavolinës së vet.

Hanim mëngjesin në mënyrë shqiptare, do të thotë, pandërprerë. Në çdo të dytën ditë kishte krem me mazë, që unë nuk e shijoja fare, ndërsa ai e hante me kënaqësi. Të nesërmen kishte krem të ftoftë me badem, të cilin ma ka ëndja shumë, ndërsa ai nuk e hante. Të ngrënët zgjaste aq shumë sa asnjëherë nuk arrija të vizitoja asnjë muze të Londrës, sepse ne arrinim gjithmonë në çastin kur ato mbylleshin.

Megjithatë, ne bënim shëtitje të gjata dhe unë përfitoja nga rasti ta njihja çfarë shpirti i pastër e i edukuar ishte Faik beg Konica. Gati si të gjithë shqiptarët e racës së mirë edhe ky kishte një vesvese, e unë isha shumë i prekur nga miqësia që më dëshmonte edhe me atë se nuk e shihja fare se sa shpenzonte shumë. Vesvesja e tij manifestohej në mënyrën më të çuditshme. Nëse duhej të hynte në ndonjë shitore për të blerë gjësende, dilte prej andej me frikë se mos po vraponte shitësi pas tij, duke menduar se e ka vjedhur mallin: “Dhe vërtet, thoshte ai, si do ta dëshmoja se nuk e kam vjedh mallin?”

Kur e pashë në Londër, Faik beg Konica sapo i bënte reformë bibliotekës së vet; ai i kishte shitur të gjithë librat e përparmë për të blerë ato botimet angleze, teksti i të cilëve ishte shtypur me shkronja të ima, sa që duhej një thiersë për t’i lexuar. Kështu ai kishte bërë një bibliotekë të re, të madhe, që e mbante të tërën në një vitrinë. Ai nuk kishte ruajtur asgjë prej librave të vjetër pos fjalorit të Bejlit, të cilin e konsideronte dhe e kishte zgjedhur për mësues, dhe fjalorin e Darmesteter-it.

Hidromorava

Adhurimi më i madh i tij letrar ishte z. Remy de Gourmont. Kur e kam gjetur më vonë një prej portreteve të tij, ia dërgova e ai m’u falënderua shumë për këtë.
Faik beg Konica, sikurse ai tjetri Bejl, ka pasur gjithmonë ves pseudonimet. Ai i ndërronte shpeshherë. Gjatë kohës kur u njoha me të, ai quhej Thrank Spirobeg, sipas emrit të një heroi të romanit historik, të Léon Cahun (Leo Kahën) që është një prej kryeveprave dhe vepra më e mrekullueshme, e frymëzuar nga historia qytetare e shqiptarëve. Por, duke parë se tipografët ia shkruanin gjithmonë pseudonimin: Thrank Spiroberg, Faik beg Konica vendosi të nënshkruhej në këtë mënyrë.
Kjo nuk zgjati më shumë se dy-tri vjet; ai mori një pseudonim tjetër me të cilin nënshkroi një vepër shumë të begatshme e të shkruar shumë mirë që titullohet: “Ese për gjuhët artificiale” nga Pyrrhus Bardyli.

Në Londër kalova edhe ca kohë te Faik beg Konica, i cili ishte martuar dhe banonte në Chingford. Ishte pranverë, ne shëtitnim nëpër fushë dhe kalonim kohën duke shikuar lojën e golfit.
Pak para se të arrija, Faik beg Konica kishte blerë ca pula për të pasur vezë të freskëta; por, kur ato i kishte bërë, ishte e pamundshme t’i hante njeriu vezët e tyre. Me të vërtetë, si t’i hante vezët e pulave që i njeh e që i ushqen vetë?

Nuk vonoi shumë e pulat filluan t’i hanin vezët e veta dhe kjo e shqetësoi Faik Konicën, duke i shikuar këta zogj të mjerë me llahtari e duke mos guxuar më t’i lejonte të dalin nga koteci i tyre, ku ato ngordhin duke u grindur ndërmjet tyre, përveç njërës, e cila, pasi kishte dalë ngadhënjimtare, jetoi edhe ca kohë në vetmi. Të tillë edhe unë e kam parë. Ajo ishte bërë e egër dhe marrë; ashtu siç ishte e zezë dhe ishte dobësuar, i ngjante pastaj një korbi dhe para nisjes sime, pasi i kishte humbur pendlat, ajo ishte shndërruar në një lloj miu.

Faik beg Konica botonte “Albaninë” me një kujdes të madh. Mbi kopertinë kishte si shenjë stemën e mbretërisë së ardhshme të Shqipërisë të vizatuar prej një skulptori francez të talentuar, të cilit ia kam harruar emrin e i cili vdiq para disa vitesh në rrethinat e Nju-Yorkut nga rënia e një balloni. Kujdesi që kishte Faik Beg Konica për t’i redaktuar artikujt e vet dhe puna e ngadalshme e tij ishin shkak që revista të dilte gjithmonë me vonesë të madhe. Më 1904 dilnin numrat e 1902-tës dhe me 1907 dilnin rregullisht numrat e vitit 1904-tës. E vetmja ishte revista franceze L’Occident (Perëndimi) që mund të krahasohej në këtë pikë me “Albaninë”.

Kur shpërtheu Revolucioni Turk, Faik beg Konica mendoi se do të kthehej në atdheun e vet. Ai u nis papritmas për Amerikë, në momentin kur u nxit revolta shqiptare.
Herën e fundit ai më shkroi, para se të nisej për këtë rrugë, pastaj nuk më njoftoi më për punët e tij. E dija se atje në Amerikë ishte një koloni shqiptare e rëndësishme dhe e pasur. Mendoja se ajo (koloni) e kishte pritur me një ngrohtësi të posaçme ndërtuesin e gjuhës shqipe. Më vinte keq që nuk më lajmëronte për aventurat e tij, kur vitin e kaluar e gjeta rastësisht te një librari numrin e parë të një reviste me titull “Trumbeta e Krujës”, do të thotë La Trompette de Croya, e cila qe kryeqyteti i Skënderbeut. Aty pashë se Faik beg Konica jetonte në Sent-Luis, në Missuri, i cili kishte hequr dorë të shkruante në frëngjisht, të cilën e njihte shumë mirë, për t’u shërbyer me anglishten që e fliste keq.

I shkrova në Sent-Luis, por s’mora fare përgjigje. Mirëpo, këto ditë një letër e ardhur nga Çikago ma përkujtoi shqiptarin tim. Ajo ishte dërguar prej njëfarë Benjamin DeCasseres (një fjalë me dy shkronja të mëdha). Por, shkrimi mbi pliko nuk më bëri të dyshoja, ky ishte shkrimi i Faik beg Konicës me siguri, i formuar bukur me a-të e ngjashme me ato të shtypit e të cilat ishin kopje të marra nga shkrimi i Petrarkës. E hapa letrën. Ajo përmbante të shtypur një lloj prospekti në dy faqe, në anglisht, titulluar Prélude, kushtuar të gjithë atyre që e shtyn egoizmin tim luftarak. Kjo ishte një lloj poeme në prozë, plot fjali filozofike dhe të fytyrave biblike, ku janë përmendur Betoveni, Gëte etj. Kjo përshëndetje e jashtëzakonshme e dërguar nga Faik beg Konica për ata që i ka njohur dhe me të cilët ka ndërprerë të gjitha lidhjet e miqësisë, nuk më lë më kurrfarë shprese se do ta shoh serish.

Ai ka hequr dorë nga Evropa dhe nuk boton më “Trumbeta e Krujës”, ndoshta as Shqipëria nuk bën pjesë më në preokupimet e tij dhe kështu në mesin e pjesëtarëve afaristë të Miçigenit, ky pasardhës i brezit të Gjergj Kastriotit shëtit tash melankolinë e vet të Evropianit shumë të edukuar, të poetit të zhgënjyer, me vesvesen e tij i syrgjynosur dhe pa kurrfarë dyshimi, me katër vëllimet e mëdha të fjalorit të Bejlit.

Përktheu nga frëngjishtja: Shefik Shkodra

__________________
Shënim: Ky rrëfim për Konicën, më parë është botuar në revistën “Mercure de France”, nga Apoliner. Pas vdekjes së autorit është ribotuar në Anecdotiques” (Anekdotat) të G. Apoliner-it (1880 – 1918), të përmbledhura nga P. M. Adema, me shënime dhe komente. Në vitin 1965 e ka përkthyer në serbo-kroatisht dhe është botuar në “Gjurmime Albanologjike” të IA, në Prishtinë. Më 1985, autori i këtyre, e ka përkthyer në shqip dhe e ka botuar në revistën “Fjala”, në Prishtinë. Pastaj, është botuar nëpër të përkohshmet e ndryshme shqipe në mënyrë anonime.