Facebook paditet për vetëvrasjen e 14-vjeçares

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Rrjeti Facebook po hetohet nga policia italiane, për shkak të vetëvrasjes së 14-vjeçares, Carolina Picchio, nga Novarra, në Italinë veriore. Picchio kërceu nga dritarja e banesës ku jetonte, pasi që në Facebook u shfaqën disa postime nënçmuese për të, dhe një video-incizim.

Lidhur me këtë rast, policia italiane tashmë ka marrë në pyetje katër adoleshentë, me moshë mes 15 dhe 17 vjeç, të cilët, pas një ndeje kishin postuar një video-incizim, në të cilin shihej Carolina derisa, e dehur, ishte shtrirë në dyshemenë e një banjoje. Ky video-incizim kishte qëndruar i postuar në Facebook për disa ditë, shkruan gazeta ‘The Telegraph’, transmeton Express.

Shoqata e Prindërve Italianë ka ngritur kallëzim penal kundër Facebook, për shkak të rolit të rrjetit social në vdekjen e vajzës.

“Është kjo hera e parë që një shoqatë e prindërve në Evropë ngre padi kundër Facebook”, deklaroi drejtori i kësaj shoqate, Antonio Affinita.

Sipas tij, ligjet italiane ua ndalojnë adoleshentëve që të nënshkruajnë kontrata, megjithatë, Facebook ka hyrë në raporte kontraktuale me persona të mitur, të cilat ndërlidhen me privatësinë e tyre, dhe atë pa dijen e prindërve.

UBT

Video-xhirimi në fjalë ishte shfaqur pak kohë pas ndarjes së Carolinas nga i dashuri i saj, i cili, disa ditë më vonë, e kishte shfrytëzuar atë që ta nënçmojë në Facebook.

Në dhomën e fjetjes të vajzës që humbi jetën tragjikisht, është gjetur një letër lamtumire, të cilën ia kishte dedikuar ish të dashurit. Në të shkruan: “A nuk mjaftoi ajo që më bëre? Shkaku yt unë edhe ashtu vuajta së tepërmi”.

E, pak para se të bënte vetëvrasje, Carolina Picchio postoi edhe një porosi tjetër në rrjetin Facebook: “Ju kërkoj falje nëse s’jam shumë e fortë. Por, ja që unë s’po mundem më”.

Gazeta pohon se, ka informacione që disa prej djelmoshave vazhduan të postonin ende porosi nënçmuese për Carolinan, madje edhe pas vdekjes së saj. /Telegrafi/