‘Facebook’-debati për demarkacionin
Për gati një vit, prejse është arritur Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, kryeministri Isa Mustafa i është shmangur debatit me opozitën dhe përfaqësuesit e banorëve të Rugovës. Këtë Marrëveshje ai e ka arsyetuar vetëm me disa statuse në “Facebook”.
Kryeministri Isa Mustafa nuk po e merr mundin që të dalë në terren dhe t’i prezantojë argumentet për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, ndonëse është bërë gati një vit prejse është nënshkruar Marrëveshja mes përfaqësuesve të dy qeverive.
Megjithatë, shefi i Qeverisë kosovare vazhdimisht e ka lavdëruar punën e Komisionit Shtetëror për shënjimin e vijës kufitare, por nuk ka dalë në terren për t’i prezantuar faktet për këtë Marrëveshje e as që ka shkuar t’i takojë përfaqësuesit e banorëve që pretendojnë se po u humben mijëra hektarë tokë, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Për këtë çështje, e cila ka ngjallur debat të ashpër në vend, Mustafa ka shkruar vetëm statuse në profilin e tij në “Facebook”, ndërsa i është shmangur debateve me opozitën dhe qytetarët.
Faton Abdullahu, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, thotë për “Zërin” se i pari i Qeverisë ka zgjedhur forma të ndryshme për të argumentuar se shënimi i vijës kufitare është bërë në dobi të qytetarëve të Kosovës./zeri/


