Evropianët heshtin për Gjykatën Speciale

Me përjashtim të britanikëve, shtetet e tjera evropiane nuk preferojnë të flasin për krijimin e të ashtuquajturës Gjykatë Speciale, e cila pritet të gjykojë pretendimet e raportit të Dick Marttit.
Ambasada Gjermane, e cila është pjesëmarrëse në të gjitha takimet që mbahen në Kosovë, për këtë qëllim ka qenë e prerë: “Nuk kemi koment” në pyetjet e gazetës.
Për dallim nga pjesëtarët e tjerë të vendeve të Quintit, përfaqëesuesit amerikanë dhe britanikë hapur dhe jo rrallë herë flasin për këtë çështje.
Ambasadorja amerikane, Tracy Jacobson, javën e kaluar i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ajo ka dëgjuar në media idenë që e “pasqyron këtë si tribunal për UÇK-në, gjë që është plotësisht e pavërtetë. Është gjykatë që ka mundësi që do të gjykojë akuzat kundër individëve. Nuk është vlerësim i luftës së 1999-ës, apo vlerësim i ndonjë grupi të caktuar; fushëveprimi i saj në të vërtetë është i kufizuar në pretendimet e ngritura në raportin e Marty-t”.
Dy ditë më parë, ambasadori britanik, derisa e komentonte letrën që presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, pritet t’ia dërgojë Brukselit, ka shkuar edhe më tej duke treguar se ku mund të vendoset edhe njëra prej dhomave të kësaj gjykate.
“Në pjesën e dytë të letrës së presidentes Jahjaga për naroneshen Ashton është propozuar krijimi i Gjykatës Speciale e cila do të funksionojë sipas ligjeve të Kosovës dhe e cila do të ketë dy seli, njërën në Prishtinë dhe tjetrën jashtë Kosovës, mbase në Hagë”, theksoi Cliff.
Ajo se ku do të mund të vendoset përfundimisht njëra nga dy dhomat e kësaj gjykate mbetët ende e padefinuar pasi deklarimin e ambasadorit Cliff, të mërkurën nuk ka pranuar ta komentojë as Ambasada Amerikane.
Gjykata e Veçantë ka mundësi të votohet në Parlamentin e Kosovës më 22 prill, ndërsa të dy dhomat e saj do të merren me të gjeturat e Task Forcës së Hetimeve Speciale që udhëhiqet nga prokurori amerikan Clint Williamson, e cila ka hetuar akuzat që janë bërë nga ish- senatori zviceran Dick Martty.
Ky i fundit ishte caktuar si raportues për Kosovën nga Këshilli i Evropës, për të hetuar akuzat për kidnapim, vrasje dhe trafikim organesh në Kosovë dhe Shqipëri, gjatë dhe pas përfundimit të luftës.
Për këtë çështje, marrë parasysh deklarimet e shpeshta të amerikanëve dhe britanikëve, “Zëri” ka dërguar nga dy pyetje edhe në ambasadat e tjera të Quintit.
“Zëri” kërkonte nga ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës që të komentonin vlerësimet e shumë njerëzve në Kosovë që nuk e duan krijimin e një gjykate të veçantë vetëm për shqiptarët.
Ambasada Gjermane ka kërkuar pyetjet përmes postës elektronike, ndërsa përmes telefonit ka thënë prerë se nuk duan të përgjigjen në pyetje, ndërsa Ambasada Franceze, deri në orët e mbrëmjes nuk ka kthyer fare email.
Në Kosovë, deri më tash pro krijimit të Gjykatës janë deklaruar PDK, AAK dhe LDK, ndërsa prej subjekteve politike, kundër është deklaruar vetëm Vetëvendosja.