Fundamenti

Evropë, edhe kosovarëve u takon liria e lëvizjes

/ 13 minuta lexim
Hidromorava

Nga Fahri Musliu – Emigrimi është një proces botëror i pandalshëm dhe bëhet kryesisht për shkaqe ekonomike, por edhe politike (luftërat apo sistemet diktatoriale), dhe Evropa si djep i qytetërimit dhe i lirive të njeriut, gjithmonë ka pasur mirëkuptim dhe i ka hapur dyert për shpëtimin e këtyre hallexhinjve (gjatë 25 viteve të fundit kështu kanë vepruar shumë qytetarë të vendeve të ish-bllokut komunist).

Mirëpo, emigrimi i kohëve të fundit i qytetarëve të Kosovës, në disa shtete të Evropës (jo ikje ilegale siç po e cilësojnë disa, sepse ikja është masive dhe në grupe e jo individuale) duket se e ka shtuar shqetësimin e zyrtarëve të vendeve ku ata po shkojnë me numër më të madh, por jo edhe ndërgjegjen e tyre. Sepse ata po i tuten këtij “fluksi” të cilin dikush e quajti edhe “ortek” (thuajse kosovarët janë borë), thuajse është “cunami” apo një “kolerë” vdekjeprurëse për këto shtete. Ama, ata nuk po e shtrojnë pyetjen sa janë shtetet (qeveritë) e tyre fajtore që kosovarët po e marrin këtë RRUGË TË FERRIT, duke shpenzuar edhe para e duke vënë edhe jetën në rrezik?!

Nuk është vetëm mjerimi shkaktar i ikjes, por…

Zyrtarët evropianë, secili nga këndvështrimi i vet (dikush duke i mëshuar thumbit e dikush patkoit), bëjnë analiza, prononcime, mbajnë leksione, bëjnë kërcënime se “me këtë emigrim Kosova do ta rrezikojë procesin e liberalizimit të vizave” (çka humb ai që nuk ka asgjë?)…, duke mos e shikuar fare realitetin në sy dhe duke dhënë vlerësime kuturu për këtë emigrim të kosovarëve, të cilët deri para disa muajve (sipas anketave të tyre) ishin populli më optimist në planet, dhe thuajse këta diplomatë nuk jetojnë në Kosovë e nuk e dinë gjendjen veç diku tjetër?

Por, edhe vlerësimet e tyre janë të ndryshme: Komisioneri i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johanes Hahn, ka thënë se “kosovarët po ikin nga mjerimi” dhe nuk është pajtuar me qeveritarët në Kosovë se “mungesa e lëvizjes pa viza për në Evropë është shkaktari i emigrimit”. Ai shtoi se “zgjidhjen duhet kërkuar në përmirësimin e rrethanave ekonomike, luftën kundër korrupsionit dhe përkujtoi se BE-ja për pesë vjetët e ardhshme ka ndarë 660 milionë euro”. Diagnozë pjesërisht e saktë se po ikin nga mjerimi, por janë edhe disa faktorë tjerë kryesorë zoti Hahn: paperspektiva, mosbesimi (në pushtet) vrasja e shpresës, mungesa e së drejtës për lëvizje të lirë (liberalizimi i vizave Shengen)…! Situata është alarmante dhe kërkon zgjidhje urgjente, sot dhe menjëherë e jo siç premtoni ju zoti Hahn se BE-ja do të ndajë 660 milionë për pesë vitet e ardhshme. Sepse deri atëherë në Kosovë ndoshta nuk do të mbetet njeri, dhe ato para mundeni lirisht t’ua jepni pushtetarëve për nevojat e tyre.

Ndërkaq, ministrja e Brendshme e Austrisë, Johanna Mikl-Leitner, gjatë një vizite në Prishtinë paralajmëroi kthimin e të ikurve madje duke e mbajtur edhe publikisht në një konferencë shtypi mbishkrimin “Nuk ka azil për kosovarët”!

Kurse ambasadori i Holandës në Prishtinë, Robert Bosch, stilin e jetës së të rinjve kosovarë e ka krahasuar me ata të Maqedonisë, Shqipërisë, por unë do të shtoja edhe si të shteteve tjera të Evropës, ama të cilët nuk po iknin askund. Por, Zoti ambasador ka harruar një gjë: të gjithë ata të rinj të këtyre vendeve e gëzojnë lirinë e qarkullimit edhe nëpër vendet evropiane ku po njihen me kulturën, traditën, mentalitetin e këtyre vendeve anëtare të të cilave janë apo duan të jenë. E të rinjtë kosovarë ku po udhëtojnë zoti ambasador – në Shqipëri, Serbi, Maqedoni, Mal të Zi… dhe si do ta njohin ata Evropën nëse nuk kanë të drejtën e udhëtimit të lirë? Ata janë të izoluar dhe në karantinë falë udhëheqësve të vet, por më tepër falë shteteve të BE-së të cilat nuk i vret ndërgjegjja që një popullatë të tërë të Kosovës, të të gjitha nacionaliteteve, i ka futur në izolim si disa shtete të Lindjes në kohën e diktaturës komuniste, i konsideron si qytetarë të rendit të dytë, siç janë konsideruar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. A e kanë merituar këtë qytetarët e Kosovës, a janë ata pjesë e familjes evropiane, me gjithë faktin se ju thoni se “nuk janë përmbushur standardet për liberalizimin e vizave Shengen, dhe nuk është fajtor mosliberalizimi i vizave”. Po kush na qenka fajtor për këto standarde zoti ambasador, qeveritë e deritashme të Kosovës apo ju nga BE-ja dhe bashkësia ndërkombëtare meqë 16 vjet e keni pushtetin faktik në Kosovë? Thoni këtë hapur dhe pa gjuhë diplomatike.

Ju, zoti ambasador, shtroni habitshëm pyetjen përse po ndodh kështu, ashtu sikurse në janar u habit ambasadorja amerikane në Prishtinë, zonja Jakobson “me shkallën e lartë të korrupsionit”, sepse ajo nuk paska ditur për këtë. E çuditshme! A thua vallë ku po jetoni ju që nuk i keni këto njohuri edhe pse i përfaqësoni shtetet tuaja në Kosovë? Apo keni angazhime dhe halle tjera më të mëdha, kurse telashet e Kosovës e të qytetarëve të saj nuk ju interesojnë fare?

Zoti ambasador, gaboheni kur konstatoni se “këtu (pra në Kosovë) papritmas filloi një fushatë, njerëzit filluan të flisnin me njëri-tjetrin të krijonin storie fantastike dhe po ashtu kemi përfshirje të krimit të organizuar që i shtynë njerëzit të largohen, sepse i pret një jetë më e mirë…Trafikantët kanë shpikur teori të tilla që nuk ekzistojnë. Është një gjë e keqe e organizuar. Është e keqe për ata që po i lëshojnë vendet e punës, shesin shtëpitë, sepse të gjitha do të kthehen, do të humbasin para e kohë. Kjo ikje do të prodhojë mendime negative edhe për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën”, vlerësoni Ju.

Mobi Casa

Asgjë nuk qëndron nga kjo që keni thënë ekselenca juaj, dhe këto janë mendime amatoreske mos të them prej diletanti. Një gjë të tillë me siguri nuk keni mundur ta dëgjoni t’ua thotë ndonjë pushtetar, politikan apo dikush tjetër i Kosovës, por këtë po ua them unë, qytetar i zakonshëm me ndërgjegje e përgjegjësi të lartë qytetare, profesionale e intelektuale. Sepse këtë dukuri të ikjes e kam të njohur kaherë e madje edhe shitjet e vizave Shengen që i bëjnë zyrtarë të disa ambasadave me para të majme.

Së pari, po ju them qartë, se kjo nuk është kurrfarë fushate, por është një proces që është duke u zhvilluar gjatë kohë dhe para katër vitesh edhe 18 shqiptarë përfshirë edhe fëmijë me prindër, e kanë humbur jetën në lumin Tisa të Serbisë, duke ikur për një jetë më të lumtur si synim dhe e drejtë elementare e çdo njeriu. Për këtë ju nuk u shqetësuat fare sikur që nuk u shqetësuan e turpëruan apo nuk dhanë përgjegjësi as pushtetarët e Kosovës. Pra nuk ka fushatë e as përfshirje në krim, por është mbushje e kupës dhe çdo gjë është bërë e padurueshme; njerëzit jetojnë me vite në varfëri, skamje, pa punë “duke pritur ditë më të mira”. Apo duke e pritur Godonë, i cili nuk do të vijë kurrë! “Por ato ditë të mira” janë vetëm për kastën politike, familjarët, të afërmit e klanet e tyre, si dhe për ju që po jetoni në Kosovë me para të majme e shpenzime të vogla.

Pse BE-ja vazhdon t’i trajtojë kosovarët si qytetarë të rendit të dytë

Qytetarët e Kosovës, jo vetëm shqiptarë të moshave të ndryshme, por edhe të nacionaliteteve tjera, nuk po shohin perspektivë, e kanë humbur besimin, kasta politike plot 15 vjet ua ka vrarë shpresën. Me shpresë dhe luks sot në Kosovë jetojnë pushtetarët, familjet e tyre, mafiozët, kriminelët e oligarkët, që paradoksalisht kanë viza diplomatike, të cilat i shfrytëzojnë edhe për bartjen në të zezën të parave të vjedhura nga populli fukara i Kosovës për t’i dërguar në vende të sigurta apo ishuj që janë parajsë për këta persona dhe pasurinë e tyre… Si do të vepronin qytetarët tuaj, në radhë të parë rinia, e cila nuk sheh dritë në fund të tunelit? E kur tek ju rritet papunësia vetëm edhe një për qind apo ngrihen çmimet ju protestoni kundër pushtetit… Këtu kjo nuk po ndodh, por edhe sikur të ndodhte efekti do të ishte hiq. Sepse çdo gjë mbulohet me “rrezikimin e demokracisë së shtetit, të patriotizmit të rrejshëm dhe ata që shprehin pakënaqësi shpallën tradhtarë e antikombëtarë, antishtetërorë. Sepse qeveria është edhe popull, edhe komb, edhe shtet – por jo pushtet në shërbim të popullit.

Prandaj kosovarët e kanë zgjedhur këtë zgjidhje të dhimbshme e madje duke sakrifikuar edhe jetën. Kjo është RRUGË E FERRIT, zoti ambasador, se ju nuk e keni përjetuar as nuk i keni takuar ata njerëz sikurse që nuk i kanë takuar as pushtetarët e Kosovës, sepse frikohen nga e vërteta, sepse nuk kanë çka t’u ofrojnë atyre hallexhinjve, sepse nuk kanë si t’i arsyetojnë pasuritë e veta marramendëse të fituara brenda nate duke e plaçkitur popullin. Ju të gjitha i keni ditur këto, por i keni mbështetur ata pushtetarë dhe korrupsionin e krimin më të lartë në Evropë, se ju ka konvenuar rehatia sociale. Por e shihni, se po vërtetohet thënia e vjetër: popullin mund ta mashtrosh disa herë, por nuk mund ta mashtrosh gjithmonë! Çdo gjë e ka fundin…!!!

Është e vërtetë, zoti ambasador, se në këtë ikje janë të përfshirë trafikantë e mafiozë të ndryshëm. Ata kështu veprojnë kudo në botë, edhe në vendet e zhvilluara evropiane, madje kemi edhe qentë e luftës që shkojnë në fushëbeteja të ndryshme si mercenarë, për para. Por , a e dini ju se çfarë është kontributi i shteteve tuaja anëtare të BE-së, për krijimin dhe funksionimin e këtyre kontrabandistëve e mafiozëve në rastin e qytetarëve të Kosovës, apo për një shkallë të tillë të krimit e të korrupsionit? Sigurisht se e dini. Sepse a do të ekzistonin ata mafiozë e këto dukuri kriminale sikur ju të silleshit ndryshe ndaj qytetarëve të Kosovës: sikur t’i kishit trajtuar ndryshe, sikurse edhe të gjitha vendeve dhe popujve tjerë të Ballkanit t’ua mundësonit qarkullimin e lirë me liberalizimin e vizave Shengen. Apo ndoshta u frikësuat se kosovarët janë të sëmurë nga ebola e do ta infektonin krejt Evropën?!

Zoti ambasador, a nuk jeni të vetëdijshëm se ju në BE sot po i trajtoni kosovarët si qytetarë të rendit të dytë apo të tretë, sepse ju po ua cenoni të drejtën më elementare njerëzore të qarkullimit të lirë për çka Evropa është e njohur në botë si djep i këtyre lirive? A jeni të vetëdijshëm se me fajin tuaj janë krijuar bandat mafioze e kontrabandiste (të gjithë janë të pajisur me nga disa pasaporta të shteteve evropiane) dhe shqiptarët po paguajnë shuma të mëdha të parave për të shpëtuar nga varfëria e mjerimi, sepse nuk kanë rrugëdalje tjetër. Ju këtë nuk ua keni mundësuar qe 15 vjet e tash premtoni kulla e pallate. E dini se me qëndrimet tuaja po i detyroni shqiptarët dhe qytetarët tjerë të Kosovës që ta marrin RRUGËN E FERRIT duke kaluar me frikë kufirin e Hungarisë apo ndonjë tjetër, duke e vënë në rrezik jetën e tyre. Po ju e dini fare mirë se po t’ua kishit lejuar kosovarëve liberalizimin e vizave Shengen, si edhe të gjitha shteteve tjera të Ballkanit, me siguri ata nuk do të iknin në këtë formë, por do të udhëtonin legalisht, duke u regjistruar në vendkalimet kufitare të Shengenit dhe ju do të kishit kontroll të plotë me lëvizjen e tyre. Kështu dëmi është i dyfishtë: ata rrezikojnë jetën e paguajnë para, kurse ju nuk keni kontroll për numrin e hyrjeve të tyre në vendet tuaja. Kjo kosto, zoti ambasador, është shumë e madhe, sepse ju në fakt nuk po i përgatisni qytetarët e Kosovës, sidomos rininë, për t’u njohur me vendet, njerëzit, traditën, kulturën dhe me qytetarinë evropiane dhe për anëtarësimin e Kosovës në BE? Si të ndihen kosovarët ndryshe, pos si qytetarë pa të drejta elementare, si qytetarë të rendit të dytë të shënjuar e damkosur si “farë e keqe”!?

Këtë shkrim po e përfundoj me një vlerësim të një autori tjetër: “Shoqëritë e varfra dhe të mbetura në mjerim, si në Kosovë, shoqëritë me klasë sunduese oligarkike –kriminale-politike, si në Kosovë, shoqëritë e mbërthyera nga bandat që sundojnë dhe jetojnë si sheikë në kurriz të shumicës, si në Kosovë, shoqëritë ku mafia është vetë shteti, apo shtet-mafia, si në Kosovë etj., etj., nuk kanë nevojë për ta ‘zbuluar Amerikën’ se si të dalin nga mjerimi dhe si ta mbërrijnë mirëqenien e shoqërive të mirëqena siç janë shoqëritë në Evropën Perëndimore, në Amerikën Veriore apo në Japoni. Shekuj dhe dekada më parë edhe në vendet e lartpërmendura ka mbretëruar sundimi oligarkik i pakicës mbi shoqëritë e tyre. Edhe ato shoqëri dikur kanë jetuar në pabarazi politike, sociale, ekonomike, arsimore e kulturore, si sot në Kosovë. Por atëbotë shoqëritë e këtyre vendeve nuk janë zmbrapsur. Përkundrazi, janë organizuar, kanë vepruar dhe ua kanë marrë primatin oligarkëve, në të shumtën e rasteve edhe duke i përndjekur, burgosur, ose duke i margjinalizuar.”

Pra ju pushtetarë dhe diplomatë të BE-së mund të ndihmoni e të kontribuoni që edhe qytetarët e Kosovës të dalin nga kjo baltë e gjallë ku po fundosen nga dita në ditë. Sepse edhe kosovarët e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë dhe e duan jetën më të lumtur e më dinjitoze çfarë e kanë qytetarët e mbarë kontinentit evropian./koha/