Evenimenti i radhës në Shoqatën e studentëve të Cyrihut

Toleranca dhe mirëkuptimi ndërfetar te shqiptarët. Të premten e kaluar Shoqata e studentëve organizoi një mbrëmje me debat rreth temës “Toleranca dhe mirëkuptimi ndërfetar te shqiptarët dhe historiku i saj në trojet shqiptare”. Për këtë debat ishin të ftuar zotëri Genti Kruja, drejtor i Kulturës dhe i Dialogut Ndërfetar në Shqipëri, si dhe zotëri Ali Zaimi, kancelar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Referati i parë u mbajt nga z. Kruja, i cili ceku disa pika nga historia shqiptare, të cilat dëshmojnë sesi toleranca dhe respekti mbizotëronin diferencat fetare gjatë historisë. Ndër të tjera z. Kruja ceku shembullin e burgjeve famëkeqe në kohën e komunizmit. Aty ku ishin të lidhur një prift dhe një hoxhë dhe kur e kishte kohën hoxha për t’u lutur, prifti u përkul bashkë me të. Ky ishte simbol i mirëkuptimit dhe dashamirësisë.
Në referatin e z. Zaimi dëgjonim për objektet e kultit që u përdoren nga të dy komunitetet fetare. Mesazhi i rëndësishëm ishte që feja myslimane përkrah tolerancën dhe paqen mes religjioneve të ndryshme. Edhe sipas kuranit, mosrespektimi i jomyslimanëve dënohet në ditën e gjykimit. Ndodhitë në kohët e fundit si sulmet terroriste/vetëvrasëse nuk janë të tolerueshme sipas fesë dhe nuk mund të gjejnë asnjë përkrahje brenda saj. Në fenë islame vlen parimi “Kush e vret një njeri, e ka vrarë gjithë njerëzimin” dhe po të shikohet nga aspekti i kuranit mund të thuhet që ligji i vendeve të Perëndimit, i cili i ka si bazë të drejtat e njeriut, është shumë më shumë në përputhje me librin e shenjtë sesa ligjet në shtetet arabe, si p.sh. në Arabinë Saudite.
Pas paraqitjeve të dy përfaqësuesve pasoi një debat me të pranishmit dhe si pika kryesore vlen të ceket se kuptimi i gjerë ishte se toleranca dhe mirëkuptimi ndërfetar nënkuptojnë si pikë kryesore parandalimin e tendencave radikale, të cilat shfaqen në trojet shqiptare. Një nga ato tendenca radikale dhe në kundërshtim me vlerat shqiptare të tolerancës ndërfetare u përmend rasti i hoxhës në gjaminë e madhe, dhe po ashtu profesorit fetar Shefqet Krasniqi, i cili me frymëzimin e tij të radikalizuar punon në kundërshtim me bazat e tolerancës ndërfetare në Kosovë, si për shembull, mallkimi i Nënë Terezës!(albinfo)