Fundamenti

Evazion fiskal skandaloz, mbi 3 miliardë euro çdo vit në xhepat e mafio-oligarkëve

/ 8 minuta lexim
Fundamenti

Nga vlerësimet e dhëna në raportet vendore dhe ato ndërkombëtare, që flasin për ekonominë joformale në Kosovë, sillet ndërmjet 30-38 për qind të bruto produktit vendor, që përkthyer në shifra është rreth 2 miliardë euro në vit.

Shumë raporte theksojnë se ekonomia joformale është rritur, ndërsa edhe krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk janë zvogëluar fare. Përkundrazi, janë rritur së tepërmi, duke kapur shifra galopante e të frikshme. Së këndejmi, analistët thonë se është informaliteti fajtori, që ia ka shkaktuar dëmin më të madh ekonomisë së Kosovës, duke e bërë këtë nga politika dhe politikanët e inkriminuar së bashku me mafio-oligarkët e inkriminuar, me të cilët po e sundojnë së bashku Kosovën e nëpërkëmbur.

Ata vlerësojnë se një situatë e tillë e brishtë që e kemi në vend dhe që po dominohet nga ekonomia joformale së tepërmi po u konvenon pushtetarëve të inkriminuar, kur dihet se shumë politikanë kanë grumbulluar qindra miliona kriminalisht përmes kompanive të cilat i dirigjojnë dhe ua vjelin “tallin” e madh. Ndaj, analistët vlerësojnë se çdo vit 2-3 miliardë euro para të buxhetit të shtetit dhe të qytetarëve tanë, për fatin e keq, po përfundojnë drejt në xhepat e kontot e nëntokës kriminale dhe politikanëve të tejinkriminuar. Specialistët e kësaj fushe vlerësojnë se, në fakt, kjo është mënyra e pasurimit të pushtetarëve tanë që prej vitit 1999 e deri më sot, pasi pasuria e tyre fund e krye është e pajustifikueshme, ndërkaq që bënë milionat vetëm e kryesisht përmes informalitetit, kontrabandës dhe futjes nën kontroll të disa kompanive të mëdha kriminale ose “politiko-kriminale dhe mbi ligjin “, që kanë krijuar monopol të paparë e të pashembullt në çdo fushë, përfshirë edhe monopolet në import, në shërbime, por edhe në të gjitha fushat e tjera më fitimprurëse.

Informaliteti i lidhur me pasurimin e paligjshëm të pushtetarëve

Analisti Faton Mehmeti tha për “Kosova Sot”, se dukuria e informalitetit nga pas lufta ka marrë hov dhe po mban peng ekonominë, sepse përmes shkallës së lartë të informalitetit, që është afro 40 për qind, është duke i mbytur bizneset që nuk janë të lidhura me politikën. “Oligarkia ia ka zënë fytin vendit, sferës ekonomike për interesat e tyre. Kjo po ndodh, sepse informaliteti dhe ekonomia e fshehur gjithashtu janë rrezik për qëndrueshmërinë fiskale dhe tregun e punës. Kosova po zhytet në një krizë edhe më të madhe ekonomike, e ardhmja ekonomike e vendit nuk po duket të jetë e mirë”, theksoi ai.

Mehmeti vlerëson se mënyra e pasurimit të pushtetarëve tanë që prej vitit 1999 e deri më sot, dhe pasuria e tyre është e pashpjegueshme, sepse ata i bënë milionat vetëm e kryesisht përmes informalitetit, kontrabandës dhe futjes nën kontroll të disa kompanive të mëdha kriminale ose duke qenë edhe mbi ligjin, pasi kanë krijuar monopol të paparë e të pashembullt në çdo fushë, përfshirë edhe monopolet në import, në shërbime, por edhe në të gjitha fushat e tjera më fitimprurëse.

Edhe eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri tha për “Kosova Sot”, se një pengesë e madhe në rritjen e të hyrave të buxhetit është përhapja e ekonomisë joformale. “Republikës së Kosovës i nevojitet një sistem financiar i besueshëm si dhe një ekonomi tregu e qëndrueshme dhe funksionale. Për këtë arsye është e rëndësishme që të gjenden metoda efektive për të parandaluar ekonominë joformale.

Autorë dhe publikime të ndryshëm kanë përllogaritur se ekonomia joformale e Kosovës vlerësohet të jetë në mes të 40 për qind – 60 për qind, duke përdorur tregues sikurse janë numri i të punësuarve në ekonominë formale dhe joformale, numri i ndërmarrjeve të cilat punojnë në lëmin formal dhe joformal si dhe shifrat krahasuese të shteteve tjera”, theksoi ai. “Këto ditë kemi bërë edhe një hulumtim që ka nxjerrë në pah këtë shqetësim të bizneseve. 143 afaristë, nga gjithsej 250 sa janë anketuar, e shohin si pengesë ose 57.2 për qind e tyre e ndajnë këtë mendim, ndërsa nuk ka ndikim negativ e mendojnë 17.2 për qind e tyre dhe ka ndikim 25.2 për qind. Kjo do të thotë se ekonomia informale është prezente me të madhe në territorin e Kosovës, edhe pas shumë vjetësh të shtetësisë”, potencoi Beqiri.

KAÇANIKU: SIVJET 3.7 MILIARDË EURO EVAZION FISKAL!

RCCOLA

Selatin Kaçaniku (“Konsumatori”) tha për gazetën”Kosova Sot” se fajëson partitë politike e politikanët dhe strukturat e tyre në institucione për nivelin alarmant të evazionit fiskal. ” Kosovës i mungojnë 2/3-at e buxhetit. Shprehur në valutë, janë rreth 3.7 miliardë euro që do t’i mungojnë buxhetit të Kosovës sivjet”, ka theksuar ai. Sipas tij, kontrabanda, vetëm me medikamente, nëpërmes vetëm një pike kufitare nga minimum 10 sosh pa i llogaritur të tjerat dhe ato të produkteve të tjera fitimprurëse, si: alkooli, duhani, telefonat e mençur, IT, ka vlerë prej 200.000 euro për një natë ose 72 milionë euro në vit, ndërsa fiskalizimi është larg. Shifra prej 30- 38 për qind nuk është reale dhe se është të paktën 80 për qind më e lartë. Natyrisht se dëmet janë të mëdha dhe të pariparueshme.

Inkriminimi i disa kompanive

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci tha për ‘Kosova Sot”se janë politika dhe politikanët e inkriminuar ata që ia kanë shkaktuar dëmin më të madh qëllimisht ekonomisë së Kosovës. “Duke bashkëpunuar me mafio-oligarkët e inkriminuar, të cilët po sundojnë Kosovën pa u trembur nga ligji, nga Kushtetuta, Policia etj”., u shpreh ai.

Sipas tij, është normale se u konvenon pushtetarëve të inkriminuar ekonomia joformale, për shkak se pasurohen kriminalisht përmes kompanive, të cilat i kanë nën kontrollin e tyre. “Nëse këto kompani nuk bashkëpunojnë, këto kompani do të falimentojnë brenda kohës se shkurtër”, vlerëson më tutje Grapci. “Jo 2-3 miliardë euro, por më shumë përfundojnë në xhepat dhe kontot e nëntokës kriminale dhe politikanëve të inkriminuar. Ky është një fakt i vërtetë, që nga viti 1999 pushtetarët tanë janë pasuruar deri më sot në mënyrë ilegale dhe nga bizneset ilegale, aq më tepër kur dihet se në fillim të viteve 1999 -2000, në Kosovë mbi 80 për qind të bizneseve kanë qenë të shkatërruara dhe të rrënuara”, ka thënë ai.

Ndërsa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj për “Kosova Sot” tha se një prej problemeve kryesore në shkatërrimin e ekonomisë së vendit është ekonomia joformale, që në Republikën e Kosovës është mbi 40 për qind, që do të thotë se bëhet fjalë për një buxhet njëvjeçar,që për çdo vit humb në vendin më të varfër në rajon. “Sidomos në artikujt që duhet të rrisin të hyrat buxhetore, siç janë cigaret, alkooli,kafeja,nafta dhe derivatet e saj, e në këto artikuj është kontrabanda më e madhe, sepse pas tyre ekzistojnë e kompanitë e udhëhequr nga njerëzit e fuqishëm të biznesit kosovar”, u shpreh ai.

Organet shtetërore të zbatojnë ligjet

Neziraj është i mendimit se Qeveria “Haradinaj” për të arritur buxhetin 3 miliardë euro,duhet urgjentisht, përveç rritjes së aktivitetit ekonomik duke e përmirësuar ambientin e biznesit dhe rritjes së investimeve publike,duhet urgjentisht që të rritë efikasitetin e Administratës Tatimore dhe Doganore si dhe tek çdo biznes të jetë i obligueshëm në përdorimin e arkave fiskale, e sidomos tek ato biznese që kanë qarkullim të produkteve që mbushin buxhetin e vendit. “Si mund të lejohet që edhe pas 10 vjetëve pavarësi ende shumë nga Pompat e shitjes së derivateve të naftës nuk janë të fiskalizuara, ndërsa ndërmarrjet që merren me ndërtimtari, ku edhe në këtë fushë ka fshehje më të madhe të tatimeve, nuk kontrollohet fare nga shteti”, theksoi ai. “Është koha e fundit që institucionet e Republikës së Kosovës, sipas rolit që e kanë me Kushtetutën e vendit, duhet që të angazhohen në luftimin e ekonomisë joformale dhe të kemi sundim të ligjit në këtë fushë’, vijoi më tutje analisti Neziraj.

(Kosova Sot