RCCOLA

Eurodeputeti Kukan liderëve kosovarë: Jeni të papërgjegjshëm

/ 2 minuta lexim

​Eurodeputeti dhe ish ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Eduard Kukan, në një intervistë për Radio Dukagjinin ka thënë se liderët e partive politike në Kosovë, në mënyrë të papërgjegjshme po humbin kohën kot. Kjo, sipas tij, mund t’i kushtojë Kosovës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

“Serbia do të ankohet, meqë janë ngadalësuar në procesin e integrimit, pasi nuk kanë asnjë partner në Kosovë”, ka thënë Kukan, duke shtuar se po ashtu po shtyhen tutje negociatat e Kosovës me BE-në.

“Po humbni kohë në një mënyrë të papërgjegjshme”, thekson ai.

Sipas tij, kriza po e dëmton rëndë imazhin e Kosovës, “ambiciet evropiane”, si dhe pozicionin “si një shtet në rajon”.

Uji Dea

Duke komentuar rolin që presidentja Atifete Jahjaga është duke luajtur për të zgjidhur ngërçin politik, Kukan ka pohuar se Jahjaga nga ndërkombëtarët shihet “si shumë aktive”, ndërsa mendon se zgjedhjet duhet të jenë opsioni i fundit për të tejkaluar ngërçin.

“Zgjedhjet kushtojnë shumë, ndërsa brengosem që po e njëjta situatë mund të dalë edhe nga këto zgjedhjet”, ka pohuar ish shefi i delegacionit për Evropën Juglindore, i cili është shprehur kategorik kundër ndërhyrjes se faktorit ndërkombëtarë në zgjidhjen e situatës politike në vend.

Kukan ka komentuar edhe publikimet e fundit qe kanë të bëjnë me korrupsionin në EULEX.

“Këto janë vetëm thashetheme. Nëse këto dëshmohen, atëherë kushdo që është i përfshirë duhet të përgjigjet. Por, duhet të bëhet një hetim fer dhe objektiv dhe të nxirret një përfundim i qartë. Atëherë, të gjithë ata që janë përgjegjës do të përballen me akuzat dhe përgjegjësitë”, ka potencuar ai. /Radio Dukagjini/