EULEX, tash ndryshe
Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit- EULEX po zvogëlon numrin e stafit dhe rolin e tij në rastet për krime lufte dhe korrupsion, por disa dyshojnë se Kosova vetëm do të mund të trajtonte ndjekjet e ndjeshme penale.
EULEX-i ende nuk po largohet, por është duke u zvogëluar dhe duke u bërë më pak i fuqishëm.
Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit i cili erdhi në Kosovë në vitin 2008 para shpalljes së pavarësisë, do të largojë rreth 30 për qind të stafit të tij prej 2,070 pjesëtarëve dhe do ta zvogëlojë buxhetin prej 111 milionë euro për rreth 20 për qind, në momentin kur më shumë detyra të tij t’ia kalojë autoriteteve vendore në mandatin e ri i cili fillon në tetor.
“EULEX-i do të punojë më shumë me Kosovën dhe më pak për Kosovën,” tha njëra nga zëdhënëset e EULEX-it përmes një emaili.
Gjatë punës së vet 6.5 vjeçare, EULEX-i ka pasur rol të zgjeruar shpesh edhe vendimtar në mbikëqyrjen dhe formësimin e drejtësisë dhe ligjit në Kosovë, si dhe sistemeve ekzekutuese përmes një numri të konsiderueshëm të gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve ndërkombëtarë të zbarkuar në vend.
Roli i tij kryesor ishte në menaxhimin e rasteve – të korrupsionit dhe krimeve të luftës – të cilat konsideroheshin të ndjeshme për autoritetet lokale.
Derisa Misioni do zë vazhdojë me hetimet ekzistuese, prokurorët e tij nuk do të mund të iniciojnë raste të reja sipas ligjit i cili u miratua në Kuvend, para se ai të shpërbëhej në prill dhe një marrëveshjes së Presidentes së Kosovës dhe Shefes së BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton.
Në ndërkohë gjyqtarët e EULEX-it do të jenë në numër përgjysmë më të vogël sesa homologët e tyre nëpër trupat gjykues. Stafi i EULEX-it do të jetë aty për të ‘monitoruar, mentoruar dhe këshilluar’ kolegët e tyre vendorë në detyrat e tyre të reja.
Megjithatë, këto vendime nuk janë që nuk do të mund të ndryshohen. Misioni i BE-të thotë se ‘mund të kërkojë që raste të reja të u caktohen prokurorëve të EULEX-it dhe të kërkojë shumicë të EULEX-it në panele të gjykatave në rrethana të jashtëzakonshme.”
Është hapi i parë madhor drejt objektives për të bartur ‘kompetencat ekzekutive’ tek autoritetet vendore deri në vitin 2016, kur të skadojë mandati i ri i EULEX-it.
“Ne vazhdimisht inkurajojmë dhe mbështesin akterët lokalë në marrjen përsipër sa më shpejt të përgjegjësive,” tha për BIRN, Maja Kocijancic, zëdhënëse e Eshtonit, përmes një emaili.
Sipas zëdhënësit të EULEX-it, deri sot, EULEX ka shqyrtuar rreth 2,500 raste penale, 350 prej të cilëve konsiderohen të jenë raste të korrupsionit të profilit të lartë, krime lufte dhe krime të organizuara, përfshirë edhe rastin për trafikim organesh Medicus.
Misioni gjithashtu ka shqyrtuar rreth 40,000 raste civile, kryesisht pronësore.
Derisa rastet më të ndjeshme – ato që kanë të bëjnë me ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – do të menaxhohen nga tribunali ndërkombëtar i sapothemeluar, theksi do të vihet tek institucionet e Kosovës që ato të vazhdojnë me punët e mbetura.
Derisa ka disa mbështetës entuziastë të EULEX-it në Kosovë, prania e tyre shihet si një pengesë për sovranitetin e vendit – ndërsa ka fare pak indikatorë se institucionet e vendit janë të gatshme të vazhdojnë punën vet, gjë që tregon për mangësitë e vet misionit.
“Asnjëherë nuk ekziston një kohë e duhur që EULEX-i të largohet, por duhet shfrytëzuar çdo sekond që institucionet vendore për sundimit e ligjit të jenë më të pavarura,” tha Shpend Kursani, analist nga Prishtina i cili ka analizuar misionin në detaje.
“Prania e EULEX-it me kompetencat që kishte deri tani nuk ka kontribuar për këtë, sepse vet EULEX-ot ishte një mision paralel përmbi institucionet vendore dhe asnjëra nga ato nuk ka përmirësuar punën e tyre,” tha ai, shkruan gazeta Jeta në Kosovë.


