RCCOLA

EULEX ndihmon në kompletimin e dosjes së Naser Kelmendit

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës ende nuk kanë dërguar në Prishtinë, dosjen e lëndës së Naser Kelmendit, i cili u arrestua ditë më parë në Kosovë, në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar.

Vendimi për ekstradimin e të shumëkërkuarit nga autoritetet boshnjake, pritet të merret pas një kërkesë zyrtare që duhet të bëjnë autoritetet në Sarajevë, ç’gjë ende nuk është plotësuar.

Në anën tjetër, as Prishtina zyrtare nuk ka njoftuar formalisht autoritetet boshnjake për kapjen e Naser Kelmendit.

Zyrtarë të misionit evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, i thanë Radios Evropa e Lirë se EULEX-i po i ndërmjetëson këto raporte, të cilat janë të komplikuara për shkak të mos njohjes reciproke të Kosovës dhe Bosnjës.

“EULEX-i po lehtëson dhe po ndërmjetëson kontaktet ndërmjet BH dhe Kosovës, me qëllim që të sillet dosja e ekstradimit”, i tha Radios Evropa e Lirë, Françoise Lambert nga zyra e EULEX-it për medie.

Naser Kelmendi është arrestuar të dielën mbrëma në orën 20:00, në lagjen Mati 1 të Prishtinës.

Bashkë me të është kapur edhe Fuad Nikçi, i cili dyshohet se ka ndihmuar Kelmendi të fshihet nga autoritetet.

UBT

Nikçi thuhet të jetë shtetas i Malit të Zi, 32 vjeçar, kurse vetë Kelmendi qenka deklaruar para vëzhguesve të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut se është shtetas i Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Behxhet Shala nga KMDLNJ, i cili ka thënë se në rast të gjykimit, Kelmendi ka kërkuar të gjykohet në Kosovë.

Kelmendi një afarist me prejardhje nga Peja, ka nënshtetësi të Bosnjës dhe Hercegovinë dhe si i tillë gjendet edhe emri i tij në listën e zezë të administratës amerikane.

Në bazë të ligjeve të Kosovës, Kelmendi do të qëndrojë për 48 orë në paraburgim, brenda të cilës kohë, ai duhet të dërgohet para gjykatësit.

Për ekstradimin e tij në Bosnje, autoritetet e atjeshme duhet të bëjnë një kërkesë formale, e cila si dosje duhet t’i dërgohet gjykatës për të marr një vendim për apo kundër.

Gjykata ndërkaq, në bazë të ligjit për bashkëpunim ndërkombëtar juridik në çështjet penale, mund të urdhërojë mbajtjen e Naser Kelmendit edhe për 40 ditë të tjera, përderisa nuk kompletohet dosja e tij për ekstradim. /Telegrafi/