KKGJILAN

EULEX, mos ik!

/ 3 minuta lexim

Strategjia e Qeverisë së Kosovës për “përzënien” e misionit EULEX nga Kosova në qershor të vitit tjetër, pritet me shqetësim të madh nga shoqëria civile, e cila vlerëson që Kosova nuk mund të mbijetojë si e vetme e të kalojë sfidat që e presin në rrugën e saj. E vetmja gjë që Qeveria e Kosovës e ka “dëgjuar” shoqërinë civile, është rekomandimi që të mendohet për përfundimin e misionit EULEX, por jo edhe mënyra se si Kosova e ka paraparë që t’i marrë kompetencat ekzekutive në rastet e hetimit dhe ndjekjes së korrupsionit, krimit të organizuar, krimeve të luftës e shumë të tjera.

Një strategji dalëse për misionin EULEX, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, do të duhej të ekzistonte në momentin kur ka ardhur misioni EULEX në Kosovë me ftesë të institucioneve të Kosovës. Në atë moment, sipas Shpend Kursanit nga KIPRED, Kosova është dashur të dijë se pse po vjen misioni evropian, sa do të rrijë e kur do të shkojë.

“Të gjitha këto kanë munguar në substancë”, thotë Kursani duke e parë si të pazbatueshme strategjinë e qeverisë për përfundimin e mandatit të EULEX-it. “Përpos të metave që i ka, ky plan po vjen nga një qeveri me kredibilitet shumë të ulët për të rekomanduar një gjë të tillë. Një propozim i tillë duhet të dalë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, i konstituuar nga vota e lire e qytetarëve të Kosovës, dhe i pakapur nga krimi siç janë të kapura shumë karrige në Kuvendin e tanishëm”, thotë ai.

Eco Higjiena

Kalimi i kompetencave tek vendorët, siç është paraparë me planin qeveritar, sipas tij, është gjithashtu i pamundshëm, ngase institucionet që duhet të jenë të pavarura, nuk lejohen që të jenë të tilla në Kosovë. “Po të lihen institucionet e pavarura në Kosovë vërtetë të pavarura, pra pa presione dhe ndërhyrje, mendoj që Kosova është e gatshme. Por, jo me këtë lloj qeverisje ku në asnjë rast nuk ka dëshmuar që ka vullnetin ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin”, thotë Kursani nga instituti KIPRED.

Largimi i EULEX-it në mënyrën se si e ka paraparë qeveria, sipas tij, do të rrezikojë edhe situatën e sigurisë në vend ngase, sipas tij, natyra kriminale do të përbrendësohet në të gjitha institucionet e Kosovës dhe se rreziku nuk është vetëm për shtetin, por për secilin qytetar të ndershëm.

E kërkesa e qeverisë për përfundimin e mandatit të EULEX-it, sipas Florian Qehajës nga Qendra kosovare për studime të sigurisë, është e paargumentuar. “Qeveria duhet t’i përgjigjet një pyetjeje të thjeshtë se a janë prokurorët dhe gjyqtarët kosovarë të gatshëm dhe të aftë të mbulojnë rastet e EULEX-it? Unë mendoj që përgjigja është negative duke pasur parasysh refuzimin që u bëjnë prokurorët dhe gjyqtarët kosovarë veprave të rënda kriminale dhe rrjedhimisht përcjelljen e tyre tek prokurorët e gjyqtarët ndërkombëtarë”, thotë Qehaja, teksa ndan mendimin që EULEX duhet të vazhdojë së qëndruari në Kosovë deri në 2016-ten. Në sferën e policisë dhe të doganave, do të duhej të kishte strategji dalëse të EULEX-it por jo edhe në gjyqësor.( Zëri)