RCCOLA

EULEX-i shton praninë policore në veri

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Prishtinë – Në veri të Kosovës, me afrimin e datës 3 nëntor, kur do të mbahen zgjedhjet lokale, janë rritur aktivitetet e kundërshtarëve të cilët po bëjnë thirrje që zgjedhjet e organizuara nga institucionet kosovare të bojkotohen nga serbët lokalë dhe, siç thonë ata, të dështojnë ato.

Autoritetet e rendit thonë se në bazë të planit operativ, po merren edhe veprime për sigurinë e qytetarëve dhe garuesve në zgjedhje.

Në misionin evropiane për sundimin e ligjit, EULEX, thonë se në bashkëpunim me mekanizmat e tjerë, janë duke ofruar siguri.

Zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi thotë se pjesëtarët e policisë ndërkombëtare, në veçanti, do të jenë të fokusuar në veri të Kosovës.

“EULEX-i, në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in, do të mbështesë Policinë e Kosovës në ofrimin e sigurisë gjatë zgjedhjeve. Fokusi i EULEX-it do të jetë veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës. Për këtë arsye, EULEX-i do të rrisë praninë policore në veri”, tha Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Policia e Kosovës, ndërkaq, thotë se Drejtoria e përgjithshme e PK-së tashmë ka lëshuar urdhrin operativ për të gjitha drejtoritë rajonale dhe stacionet policore dhe është duke vepruar në bazë të atij urdhri. Zëdhënësi Baki Kelani shpjegon më shumë:

KKVITI

“Bazuar në planin policor, ne kemi ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që të ofrojmë siguri për të gjithë qytetarët dhe për të gjithë pjesëmarrësit që mund të jenë të përfshirë në një mënyrë, apo një tjetër, në procesin zgjedhor. Kjo siguri do të ofrohet edhe në pjesën e veriut të Mitrovicës. Atje kemi një bashkëpunim të mirë edhe me faktorin ndërkombëtar”.

Kelani tha se si në veri të vendit, sikundër edhe në pjesët e tjera të vendit, situata është e qetë dhe nuk ka pasur ndonjë problem sa i takon procesit zgjedhor.

“Situata në përgjithësi është e qetë dhe plani, ashtu siç ka filluar së zbatuari faza e parë, kalon në fazën e dytë e të tjera dhe kjo është duke shkuar ashtu siç ne e kemi paraparë. Ky plan parash ofrim të sigurisë, të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike në gjithë territorin e Kosovës”, tha ai.

Autoritetet policore të Kosovës kanë përsëritur se përgjegjësinë kryesore për sigurinë në veri e ka Policia e Kosovës, e mbështetur edhe nga EULEX-i.

Ndërsa, anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri kanë deklaruar se autoritetet e rendit duhet të shtojnë masat e sigurisë në mënyrë që të ketë fushatë zgjedhore dhe zgjedhje të qeta. Ata kanë vlerësuar, po ashtu, se për dallim nga pjesët e tjetër të Kosovës, në veri mund të ketë tensione me rastin e zgjedhjeve.