RCCOLA

EULEX-i i mbledh “plaçkat”

/ 5 minuta lexim

Qeveria e Kosovës përfundimisht ka hartuar një strategji, sipas së cilës brenda dhjetë muajsh EULEX-it do t’i bartë “plaçkat” nga Kosova. Megjithatë, ky mision duket se do t’i lë disa “relikte” në Kosovë, siç është Task Forc Speciale (SITF), e cila është duke hetuar pretendimet e raportuesit Dick Marty. Kjo Task-Forcë madje do të qëndrojë në Kosovë për aq sa ka “çka të hetojë e çka të gjykojë” ndërsa Qeveria zotohet se do ta ndihmojë atë për një funksionim sa më të mirë.

Sipas planit qeveritar, misioni i EULEX-it do të punojë sipas mandatit aktual deri në qershor të vitit 2014 çka i bie se i kanë mbetur vetëm edhe dhjetë muaj. Deri në këtë kohë, qeveria pret që EULEX do t’i kryejë disa detyra, për të cilat është i thirrur, derisa punët që mbesin pa u kryer do të mbesin në duar të institucioneve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës, sipas strategjisë një kopje të së cilës e posedon gazeta, do të ndihmojë misionin EULEX në fazën e transicionit e cila do të përfundojë në qershor të 2014-tës. Institucionet e Kosovës, sipas planit, do të marrin pas qershorit të vitit lëndët civile që gjenden nëpër gjykata, ato të privatizimit, policinë kufitare, shërbimin doganor, kompetencat në Këshill gjyqësor e prokurorial, departamentin e mjekësisë ligjore, kompetencat në Prokurorinë Speciale dhe ato të policisë hetuese që e ndihmon këtë prokurori, kompetencat në hetimin e korrupsionit e të krimit të organizuar, mbrojtjen e dëshmitarëve, rastet e krimeve të luftës por edhe të tjerë sektorë ku është i përfshirë EULEX. Në tërë këto fusha, EULEX sipas planit qeveritar, do të përfundojë mandatin deri në qershorin e vitit tjetër, derisa i vetmi mekanizëm që do të vazhdojë së punuari pavarësisht përfundimit të mandatit të EULEX-it është Task Forca Speciale e cila po heton pretendimet e raportit të Dick Martyt.

“Ashtu siç është thënë më herët nga Qeveria e Kosovës gjatë negociatave të mëhershme rreth mandatit të EULEX-it, SITF duhet të vazhdojë shkëputjen graduale nga mandati i përgjithshëm i EULEX-it. SITF duhet të jetë në gjendje që të vazhdojë punën deri në një periudhë të pacaktuar kur të përfundojnë hetimet dhe gjykimet që mund të jenë”, thuhet në planin e qeverisë.

Përfundimi i mandatit të EULEX-it, sipas strategjisë, nuk duhet të ndikojë në punën e kësaj njësie derisa Qeveria e Kosovës premton se do të jetë e përkushtuar që të ofrojë ndihmën e nevojshme për funksionimin e saj.

Por ndryshe nga SITF, Zyra e Prokurorisë Speciale që është e thirrur të hetojë rastet më të rënda në vend e që vazhdon të udhëhiqet nga prokurorë evropianë, deri në 2014-ten parashihet që të kaloj në duar të vendorëve. Deri në qershor të 2014-tes, pritet që të rritet numri i prokurorëve vendës në këtë prokurori në mënyrë që deri në përfundim të mandatit të EULEX-it, kjo prokurori të jetë e fuqishme të merret me rastet për çka është e thirrur.

Hidromorava

Edhe rastet e korrupsionit dhe ato të krimit të organizuar, sipas qeverisë së Kosovës do të merren në duar të vendorëve.

“Qeveria e Kosovës nënvizon se derisa paketa e ligjeve antikorrupsion është pranë finalizimit, përkrahja në këtë drejtim nuk do të jetë e nevojshme pas qershorit të 2014-tes”, thuhet në planin e qeverisë.

Sa u përket hetimeve dhe ndjekjeve të rasteve të krimeve të luftës, Qeveria e Kosovës e inkurajon misionin EULEX që të jetë i përkushtuar dhe të përfundojë rastet sa më shpejt ngase sipas qeverisë, përfundimi i këtyre rasteve e ndihmon procesin e pajtimit. Sido që të jetë, pas qershorit të 2014-tes qeveria zotohet se institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje të ballafaqohen me këto raste.

Pavarësisht strategjisë së qeverisë dhe kohës e largimit të EULEX-it që parashihet me këtë strategji, EULEX nuk komenton për kohën se kur do të largohet nga Kosova por se do të largohen ata e thonë këtë.

“Misioni do të largohet, por ne nuk duam të lëmë pas institucione të dobëta e të prirura për ndërhyrje politike, si dhe një kulturë mosndëshkimi dhe korrupsioni. Debati rreth mandatit të EULEX-it nuk mund të jetë një proces i njëanshëm. Shtetet anëtare duhet të përfshihen, njëjtë si të gjitha autoritetet relevante të Kosovës. Ne jemi gjithashtu duke dëgjuar me kujdes zërat nga shoqëria civile. Ne do të reflektojmë me kujdes në atë që të gjitha palët janë duke thënë, dhe i mirëpresim të gjitha kontributet në këtë debat. Është e qartë që diskutimet janë në vazhdim e sipër për të arritur një transicion konsensual”, ka thënë zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.

EULEX, sipas tij, është duke punuar ngushtë me institucionet e Kosovës rreth planeve për përfundimin e mandatit të këtij misioni./zeri/