EULEX i gatshëm të zbatojë marrëveshjet Kosovë-Serbi

Misioni Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, shprehet i gatshëm që të zbatojë edhe marrëveshjet e reja që do të dalin nga negociatat Kosovë-Serbi.
Gatishmërinë e shprehu shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt, gjatë një vizite në rajonin e Gjilanit, ku vizitoi gjykatën themelore të qytetit, ndërsa shkoi te kufiri Kosovë-Serbi, te Dheu i Bardhë.
Borchardt tha se marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit, po ecën me lehtësi dhe se nuk ka pasur asnjë telashe të raportuar në këtë drejtim.
“Këtu kemi të bëjmë me marrëveshjet lidhur me pikë-kalimet kufitare, apo administrative dhe kjo është duke shkuar me shumë lehtësi. Kolegët tonë nuk kanë raportuar për ndonjë problem të konsiderueshëm, kurse gjërat e vogla mund të zgjidhen. Natyrisht, ne jemi të gatshëm që t’i zbatojmë edhe marrëveshjet e tjera të arritura ndërmjet Prishtinës e Beogradit”, tha Borchardt pas takimit me policët kufitarë, transmeton KP.
Sipas një komunikate nga zyra e për medie e EULEX-it, thuhet se shefi i misionit ka thënë se prioriteti i EULEX-it është zgjerimi dhe thellimi i këtij partneriteti në fushat e tjera të Sundimit të Ligjit, ku është i përfshirë EULEX-i. /Telegrafi/