Fundamenti

Estrada gëzohen për Ramushin

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Këngëtarët e estradës kosovare e kanë përjetuar po ashtu me gëzim lirimin e Ramush Haradinajt nga Haga. Ata në rrjete sociale thanë se ndihen të lumtur që Ramushi më në fund është liruar nga akuzat e Tribunalit. Ata kanë thënë se e drejta ka “triumfuar”.

Këngëtarë të estradës kosovare ishin ata që kanë vërshuar më së shumti rrjetet sociale ku kanë uruar Kosovën për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ata kanë shkruar se lirimi i ish-Haradinajt është një “triumf për drejtësinë”.

E lumtur për lirimin e Haradinajt ka qenë edhe këngëtarja Genta Ismajli, e cila disa vite me parë në bashkëpunim me Getin, kishte bërë edhe një këngë për Ramushin.

Kënga quhej “Krejt e dinë”.

“Genta ndihet mirë si krejt shqiptarët që e kanë pritur lirimin e tij. Nëse asaj i jepet rast, sigurisht se do të këndojë diku”, tha për Express, PR i Gentës, Adem Ramadani.

Por, nuk ishte vetëm Genta që bëri këngë për Ramushin, pasi që edhe këngëtarë të tjerë, në një mënyrë apo tjetër rregullisht ishin përgjigjur në ftesat që u ishin bërë për të kënduar në koncerte që organizoheshin në emër të ish-kryeministrit.

Pas lajmit në ora 9:57 për lirimin e Ramushit, rrjetet sociale ishin vendtakimet ku ata të nguteshin për të dhënë opinionet, por edhe urimet e tyre për lirimin e tij.

Dafina Zeqiri, si zakonisht edhe në këtë rast kishte gabuar në drejtshkrim, po megjithatë ishte njëra prej këngëtarëve të para që e uroi atë.

“Sot Festojm lirimin e te Madhit & Pafashmit R.H me shokë! E drejta triumfon. Gëzuar Kosovë”, kishte shkruar saktësisht Daffy.

Mobi Casa

Nuk kishte vonuar shumë dhe kishte ardhur edhe reagimi i ish-të dashurit të Dafinës, Ledri Vula.

Për dallim nga Daffy, Ledri kishte zgjedhur një fjalë angleze. “Welcome back R.H”.

Një reper tjetër, që tregoi se në të tilla raste duhet të jepen mesazhe të shkruara mirë dhe serioze ishte MC Kresha.

“Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi ka liruar nga të gjitha akuzat Ramush Haradinajn, Lahi Brahimajn dhe Idriz Balajn”, kishte shkruar Mc Kresha në Twitter.

Po ashtu gëzimin e saj e ka shprehur edhe këngëtarja Vesa Luma, e cila ka thënë se ndihet e gëzuar për lirimin e ish-komandantit të UÇK-së për rajonin e Dukagjinit, Ramush Haradinaj.

“Sapo u zgjova me një lajm të mrekullueshëm…lirimin e Ramush Haradinajt”, ka shkruar Vesa, e cila ka edhe një shpresë tjetër.

“Shpresojmë që të gëzohemi shumë shpejt edhe për Fatmir Limajn”.

Ndërkaq, këngëtarja Leonora Jakupi ishte këngëtarja tjetër, e cila e priti mirë këtë lajm duke marrë moton e Ramushit të shpërndarë nëpër reklama në kryeqytet “Faqebardhë”.

“Faqebardhë drejt Kosovës! Urime Kosovë, urime shqiptarë, lirimi i komandant Ramushit. Krenarë që të kemi”, ka shkruar Leonora.

Urime kanë pasur edhe këngëtarë të tjerë, kurse në orët e vona, shumica prej tyre kanë dalë për ta pritur atë në shesh dhe për të kënduar për lirimin e tij.