Eskavatorët zgjohen në prag zgjedhjesh, ndërsa Gjilani mbetet peng i premtimeve dhe projekteve të ngrira
Gjilan – Për vite me radhë, qytetarët e Gjilanit janë mësuar ta shohin të njëjtin skenar: sa afrohen zgjedhjet, zgjohen edhe eskavatorët, hapen kantierë të rinj dhe rikthehen premtimet për projekte të mëdha. Por sapo përfundojnë fushatat, ritmi i punimeve zbehet dhe projektet strategjike mbesin peng i vonesave të pafundme.
Një nga shembujt më domethënës është objekti i ri i administratës komunale, i cili vazhdon të ekzistojë më shumë në deklarata sesa në realitet. Gjilani sot po paguan çmimin e mungesës së vizionit zhvillimor, planifikimit afatgjatë dhe vendimmarrjes efikase, ndërsa qytetarët mbeten dëshmitarë të një stagnimi që po e lë qytetin prapa në garën për zhvillim dhe investime serioze.
Qyteti i Gjilanit po përballet me një periudhë stagnimi të thellë urban dhe institucional, ndërsa pakënaqësia e qytetarëve ndaj qeverisjes lokale po rritet dita-ditës. Në vend të projekteve madhore zhvillimore dhe investimeve strategjike, qytetarët po shohin vetëm ndërhyrje minimale infrastrukturore dhe improvizime të përkohshme që nuk adresojnë problemet reale të qytetit.
Kritikat më të mëdha drejtohen ndaj mungesës së vizionit dhe profesionalizmit në udhëheqjen komunale. Sipas njohësve të zhvillimeve lokale, Gjilanit po i mungojnë ekspertët, planifikuesit urbanë dhe kuadrot profesionale që mund të hartojnë e realizojnë projekte serioze për zhvillimin e qytetit.
Ndërkohë, në vend të rezultateve konkrete në terren, zyrtarët komunalë po akuzohen për fokus të tepruar në rrjetet sociale dhe marketing politik. Në prag të fushatës zgjedhore, qytetarët vlerësojnë se është shtuar propaganda institucionale dhe promovimi virtual i punëve, ndërsa realiteti në terren mbetet krejtësisht tjetër.
Një nga shembujt më të përfolur të dështimit institucional mbetet hapësira ku ishte paralajmëruar ndërtimi i objektit të ri të Komunës së Gjilanit. Vendndodhja vazhdon të mbetet e braktisur dhe e ngjashme me një gërmadhë urbane, ndonëse tabela me mbishkrimin “Këtu punohet” vazhdon të qëndrojë aty prej muajsh. Banorët thonë se prej kohësh nuk është parë asnjë aktivitet ndërtimor dhe as zhurma e makinerive që do të sinjalizonte nisjen reale të punimeve.
Pakënaqësitë qytetare tashmë po shndërrohen në kërkesë të hapur për përgjegjësi institucionale. Shumë qytetarë kërkojnë transparencë, llogaridhënie dhe një qasje të re qeverisëse që fokusohet në zhvillim konkret e jo në propagandë politike.
Sipas tyre, Gjilani ka nevojë urgjente për zgjuarje qytetare, reagim publik dhe presion demokratik ndaj institucioneve që janë të obliguara të punojnë në interes të qytetit dhe qytetarëve./rajonipress/



