Është vetëm 16 vjeç, impresionon me lojën e bukur
Futbollistëve me prirje të dukshme dhe që kanë krijuar emër në Zvicër, u është bashkangjitur edhe 16 vjeçari Andi Zeqiri.
Megjithë moshën tepër të re ai gjatë këtij sezoni është aktivizuar në dhjetë ndeshje me FC. Lausanne-Sport, kryesuese e tabelës në të ashtuquajturën Challenge League të Zvicrës, dhe favorite gati e sigurt për rikthim në shoqërinë e skuadrave më të mira të këtij vendi.
Debutimin në fanellën bardhë e kaltër të voduasve Zeqiri e ka nisur ndaj FC Neuchatel Xamax, ku paraqitja e tij është pëlqyer nga të gjithë.
Ai me angazhimin e tij maksimal në ushtrime e lojë po e fiton edhe me tepër besimin e trajnerit Fabio Celestini.
Trajneri Celestini i njohur nga të gjithë si mjaft parimor dhe i paanshëm me tepër vëmendje e përpikëri po e vrojton punën e Zeqirit të talentuar.
Ai parashikon një të ardhme të ndritshme dhe premtuese të Zeqirit, të cilin e konsideron edhe si frymëzues të brezave në vijim.
Zeqiri me pasionin e tij të njohur për futbollin ka qenë njëri nga kadetët më të dalluar edhe në Akademinë parapërgatitore të profesionisteve të futbollit në qytezën Payerne të Zvicrës.
Nën mbikëqyrjen e trajnerëve të autoritetshëm të kësaj shkolle Zeqiri i shkathët me mjaft sukses i ka kaluar të gjitha provat teorike dhe praktike.
Zeqiri duke shmangur me mjeshtëri mbrojtjen kundërshtare shënon gol tejet të bukur
Zeqiri duke shmangur me mjeshtëri mbrojtjen kundërshtare shënon gol tejet të bukur
Me përvojën e fituar në këtë çerdhe talentesh dhe me përvetësim të shumë elementeve të tjera në skuadrën FC Lausanne –Sport,atij shumë shpejt i është krijuar vend në njëmbëdhjetëshin më të mirë të grupmoshave U-17-të Zvicrës.
Në këtë grupim Zeqiri është treguar mjaft i suksesshëm . Ai në trembëdhjetë paraqitje ka shkëlqyer duke shënuar edhe katër gola që rrallëherë shihen në terrenet sportive.
Jashtëzakonisht i kënaqur me lojën e tij është ndarë edhe përzgjedhësi Stefan Marini, i cili formimin e shpejt të Zeqirit e konsideron si një arritje të madhe.
Ky djalosh me origjinë nga Talinoci i Muhaxhirëve të Ferizajt, aktualisht luan në seleksionin e grupmoshave U-19 të të Zvicrës.
Zeqiri falë lojës së tij të shkëlqyer kohëve të fundit ka zgjuar edhe vëmendjen e Medieve të shkruara dhe të atyre vizive në tërë Zvicrën.
Zeqiri në vëmendjen e medieve të shkruara dhe të atyre vizive në tërë Zvicrën.
Përzgjedhësi i kësaj kategorie Claude Ryf, si njëri nga ekspertët më të mirë dhe si analistë i dalluar i zhvillimeve të futbollit në Zvicër, e çmon lartë angazhimin e Zeqirit,të cilin në një të ardhme jo të largët e sheh edhe si vlerë të pazëvendësueshme të futbollit zviceran.
Ky shkrim është ilustruar me fotografitë e marra nga faqja zyrtare e FC. Lausanne-Sport, të cilat janë realizuar nga fotografi i mirënjohur Pascal Muller./albinfo/arif ejupi/


