UBT

Është çasti i fundit që të shpëtohet LDK-ja!

/ 3 minuta lexim

Nga Hafiz Gagica – Humbësi serik i disa zgjedhjeve në Kosovë, më 14 shkurt 2021, ia vulosi disfatën partisë dikur popullore dhe nacionale. Humbësi I cili së bashku me argatët servilë të tij, degraduan çdo vlerë kombëtare duke larguar nga LDK-ja njerëzit më meritorë të saj. Ky siç e dimë është Isa Mustafa!

Humbësit më të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve janë ata që e kanë penguar procesin e reformave në parti siç e kane dëmtuar edhe shtet-ndërtimin e Kosovës në 10 vitet e fundit, dhe për këto dëme trashanike qytetarët ua dhanë çmimin e merituar.

Prandaj Isa Mustafa, së bashku me ata që e mbajtën me çdo kusht në krye të LDK-së, e që mbrëmë do duhej të jepnin dorëheqje të parevokueshme që t’i hapin rrugën njerëzve të pa komprimituar si dhe kthimit të të gjithë atyre që i detyruan të largohen nga LDK-ja, sidomos atyre që ishin kontribuuesit dhe ruajtësit kryesorë të LDK-së .

Është harxhua shumë energji, kohë dhe mund për t’ia hapur rrugën ndryshimeve të domosdoshme në parti dhe sistemin autokrat qeverisës në Kosovën e lirë dhe të pavarur.

Isa Mustafa bashkë me Bujar Bukoshin, e kishte sponsorizuar grupin brenda LDK-së dhe jashtë saj për ta eliminuar Ibrahim Rugovën dhe rrethin e tij qysh në vitin 1995, por kishin dështuar me turp, për t’u riaktivizuar në vitin 2007 kur u ngjitë në zyrën e presidentit dhe të parit të Prishtinës, për të ardhë në krye të LDK-së tinëzisht në vitin 2010, duke e privatizuar partinë dhe duke e shndërruar në monopol të një grupi aksionaresh dhe profiterësh ekonomik.

Kosovarët durojnë shumë, por historikisht është dëshmuar se ata nuk falin, por as nuk lejojnë që pafundësisht të nëpërkëmben.

UBT

Tani, pas humbjes së djeshme të zgjedhjeve ata duhet të largohen nga zyrat e uzurpuara të LDK-së si dhe mos t’i turpërojnë më ato tri shkronja të arta të themeluesve kombëtarë dhe intelektualë të Kosovës, me në krye me dr. Ibrahim Rugovën.

Unë, vite më parë i kam kërkuar I. M. që të largohet nga kreu i LDK-së, ndërsa tani është shumë vonë të ikësh. Tani duhet të shkarkohesh dhe të japësh llogari për dëmet e mëdha që i ke shkaktuar Kosovës dhe LDK-së.

LDK-ja ka vite që përballej me parregullsi të mëdha, dhe tani asaj i duhen njerëz të guximshëm dhe reformatorë, në radhë të parë, ata që kanë dhënë gjithçka nga vetja e tyre për ta ruajtur dhe forcuar LDK-në, por edhe ata që u injoruan dhe u diferencuan.

Ngase, pa aktivizimin dhe kthimin e gjithë njerëzve të mirë të saj, ajo nuk do mund të reformohet dhe rikthehet në pozitën e saj të dikurshme.

Prandaj, forcat reformative dhe të pandikuara nga Isa Mustafa, sot duhet ta thonë fjalën e tyre duke shpallur zgjedhjet e lira dhe Demokratike në LDK!