Escobar flet për përfitimet/pasojat që do t’i kenë Kosova e Serbia nëse arrihet apo dështon marrëveshja

/ 3 minuta lexim

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se pret finalizimin e aneksit të zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë. Në rast se arrihet kjo marrëveshje, Escobar tha se të dy shtetet do të kenë përfitime, por paralajmëroi edhe për pasojat nëse palët nuk pajtohen, raporton Express.

Escobar ua ka bërë të qartë të dy shteteve se dështimi për arritjen e marrëveshjes ndikon direkt në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Shikoni, pasojat… fillimisht është se ne nuk ecim përpara në integrimin tuaj atlantik. Pra, për Kosovën, një nga pasojat është se Bashkimi Evropian pret që ajo të tregojë vullnetin e mirë për të qenë në gjendje të ketë një marrëdhënie paqësore me fqinjin e saj më të madh, përpara se të vendosë nëse ajo është e përgatitur për ta marrë kandidaturën në Bashkimin Evropian. Pra, kjo është një pasojë mjaft e madhe. Por, përtej kësaj, ka pasoja në mospasjen marrëdhënie paqësore me fqinjët tuaj. Pra, kjo nuk është një pasojë që ne do ta imponojmë, ky është vetëm një fakt i natyrshëm që Kosovës i duhet një marrëdhënie pozitive, miqësore dhe paqësore me Serbinë”, ka deklaruar Escobar në një intervistë për REL.

Eco Higjiena

Emisari i ShBA’së ka folur edhe për përfitimet që do t’i kenë Kosova e Serbia, në rast të arritjes së marrëveshjes.

Përveç përfitimeve në aspektin ekonomik, Escobar ka thënë se ka edhe përfitime politike, veçanërisht për Kosovën duke thënë se do të ndihmonte që të lëvizte më shpejt në strukturay evropiane.

“Do të filloj me më të rëndësishmen. Tregu më i madh për Ballkanin Perëndimor është Bashkimi Evropian. Dhe, kështu ajo që bën është se u jep investitorëve besimin se të dyja vendet po i afrohen atij tregu, po i harmonizojnë tregjet e tyre me kërkesat rregullatore dhe legjislative të BE-së dhe se çfarëdo investimi këtu, në Ballkanin Perëndimor, në fund të fundit është një investim në një treg evropian. Pra, kjo është më e madhja dhe kjo është pasojë e natyrshme e kësaj. Por, ka edhe përfitime të tjera, ka përfitime politike. Ajo hap derën që të dyja vendet të lëvizin më shpejt në strukturat evropiane, veçanërisht për Kosovën”, ka thënë Escobar./Gazeta Express