Hidromorava

Ermelinda Manos, shqiptarja që vesh yjet e Hollivudit

/ 10 minuta lexim
Uji Dea

Ajo ka bashkëpunuar me disa nga stilistët më të mirë të botës. Armani, Vogue etj. Është shqiptarja Ermelinda Manos, një vajzë e re që ka lindur në Vlorë dhe që kohët e fundit po çudit Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Fillimet e saj në botën e modës kanë qenë tek “Runway show” të Giorgio Armanit dhe “CHANEL” nga Karl Lagerfeld. Fillimisht, merrej me kombinimet e aksesorëve apo këpucëve me veshjet e realizuara nga stilistë të mëdhenj. Gjthashtu, ka punuar për mbrëmjen private të Oscar-it në vitin 2007. Ka punuar edhe për sfilatat e revistës “Teen Vogue”, për departamentin e “Nordstroms”, për Macy’s në mbrëmjen private me Elizabeth Taylor dhe për “Miss Universe 2010” në Las Vegas. Në një intervistë me gazetën “Shekulli ajo rrëfen rrugëtimin e saj nga fillimi e deri tek Hollivudi, për të cilin po punon aktualisht.

A ishin të vështirë hapat e parë në botën e modës?

Hapat e para ishin të vështirë, sepse unë nuk kam pasur ndihmë nga askush. Mbaj mend që në vitin e parë të shkollës së Artit kam punuar në industrinë e modës, që të fitoja eksperiencë dhe të ngjisja një nga një shkallët e suksesit, por gjithnjë me forcat e mia.

E mendonit ndonjëherë që do të kishit kaq sukses?

Akoma jam larg nga suksesi që dua të arrij. Mendoj se kam ende rrugë për të bërë dhe akoma suksese për të kapur.

A mendoni se shqiptarët vishen bukur?

Shqiptarët gjithmonë janë konsideruar si një popull që kanë ditur sesi të vishen bukur. Edhe kur nuk kemi pasur kushte, gjithmonë populli ynë e ka vlerësuar paraqitjen dhe nuk e ka lënë pas dore performancën fizike.

Sa e rëndësishme është të vishesh bukur?

Për mua është më e rëndësishme që të ndihesh mirë me atë çfarë vesh. E nëse ndihesh mirë, ndihesh edhe bukur.

A të ka shkuar ndonjëherë në mendje që të vish për një sfilatë edhe në Shqipëri?

Patjetër. Kjo është një dëshirë shumë e madhe e imja. Prej kohësh më vërvitet një projekt i tillë, një projekt ku të prezantoj punën time, në vendlindjen time. Tani keni një dyqan ku ofroni veshjet e realizuara nga vetë ju.

Sa e vështirë është të menaxhoni një dyqan njëkohësisht edhe të mendosh për të sjellë veshje të mira? Pra, të jeni menaxhuese dhe krijuese njëkohësisht?

Rrobat i shesim nga disa faqe interneti që shesin produktet tona edhe në dyqane të ndryshme në shtete të ndryshme. Menaxhimi apo ana e biznesit me anën e krijimit janë dy botë të ndryshme, dhe këtu është testimi i një dizenjuesi që ka sukses në këtë fushë. Është tepër e rëndësishme të dish kush je si kompani, çfarë duhet t’i ofrosh klientit, të jesh e fortë në krijim edhe në menaxhim. Përveç krijimit të fustaneve për firmën time, krijoj edhe për firma të ndryshme. Njëkohësisht, po punoj edhe për një kompani që prodhon filma në Hollivud. Është një kompani nga shteti i Nevadës. Aktualisht, po punoj me departamentin e kostumeve ku krijohen rrobat, uniformat apo veshjet e karaktereve, pra aktorëve të filmave.

Sa e vështirë është për ju të jeni e angazhuar në disa projekte njëkohësisht?

Gjendem aktualisht midis firmës së veshjeve të mbrëmjeve të kompanisë sime dhe veshjeve të firmave të ndryshme. Po punoj për krijime të reja, që nga rrobat e banjës, që tani kanë sezonin, po punoj për rrobat e thjeshta, kasuale për kompani të ndryshme dhe po punoj për krijimin e veshjeve të karaktereve të filmave. Është e vështirë dhe është një super menaxhim i madh, por çdo ditë është një proces që të mëson gjithnjë e më shumë.

Sa ju ka mbështetur familja juaj për të qenë e suksesshme?

Familja ime, prindërit edhe tre vëllezërit e mi janë e gjithë fuqia ime. Ato janë pas çdo suksesi që kam, ata më kanë mbështetur në çdo hap, në çdo ëndërr që kam pasur dhe kam. Mund të them me plot gojën që ata janë një motiv i fortë për çdo ëndërr që mundohem ta bëj realitet pa i zhgënjyer në asnjë mënyrë ata.

Mes filozofisë dhe modës

Ju jeni diplomuar për filozofi. Sa lidhje ka filozofia me botën e modës?

Hidromorava

Arsyeja pse zgjodha filozofinë ishte kur nuk ndoqa më shkencat politike. Më pëlqente të lexoja filozofi që e vogël, edhe duke u rritur në Greqi, filozofinë e kemi bërë në çdo klasë. Është një dëshirë që lind krejt natyrshëm te një njeri që është rrahur me filozofinë. Me fushën e modës ka pak të lidhje, sepse inspirimi te çdo koleksion vjen nga ndikimet e jetës, çdo vështirësi, çdo lumturi, çdo ndjenjë përcillet përmes një veshjeje të caktuar. Firma ime është për një femër që është e sigurt në vetvete, për një femër të qartë dhe të sofistikuar. Çdo veshje që stiloj ka të bëjë nga pak me filozofinë e femrës së sotme dhe me filozofimë time. Për shembull, koleksioni Pranverë – Verë 2014 është në kontekstin “Immigration Reform” dhe “Dream Act”.

Mendoni se keni sot sukses edhe falë arsimit tuaj?

Shkolla të ndihmon për të hapur horizont, por çdo sukses që kam vjen thjesht nga dedikimi me të cilin punoj dhe nga vetësiguria dhe besimi që kam në produktin që krijoj. Unë jam gjithnjë e qartë me veten për çfarë dua të krijoj dhe përse. Talenti është gjë e mirë, por nuk të çon në asnjë vend po nuk punove fort dhe të jesh tepër e dedikuar. Këtë profesion që kam zgjedhur nuk e kam rastësi apo për hobi. E kam pasur ëndërr që kur kam qenë e vogël. Krijoja rroba të ndryshme, kështu, ndërsa tani kjo është kthyer në punë që dua të bëj gjithë jetën.

A keni menduar ndonjëherë se do t’i riktheheni kësaj dege, jo më për t’u arsimuar por për të punuar?

Në degën e filozofisë punoj çdo ditë duke lexuar libra dhe duke e pasur si frymëzim pas çdo koleksioni.

Ka qenë më e vështirë shkolla e modës apo ajo e psikologjisë?

Të dyja janë të vështira. Shkolla e artit nuk është thjesht të mësosh të përdorësh një makinë qepëse (edhe atë nuk është e lehtë ta mësosh dhe për fat kam ditur të qepja, vizatoja dhe të krijoja që e vogël), por është mësim menaxhim biznesi me blerësit, shitësit, prodhuesit, ligjet e tregut në çdo shtet të botës që bën shitje, blerje, ligjet e prodhimit, ana legale, ana tregtare, të dish çfarë krijon edhe për kë apo edhe për çfarë. Shumë njerëz tani bëhen designers, por nuk kanë sukses sepse bëhen designer për titull, edhe jo për tërë kuptimin që ka të jesh një designer, të jesh i lidhur me klientin, të dish kush është ai, të dish kush je vetë si designer përpara se të krijosh për të tjerë.

U ndjeva e paragjykuar në Greqi

Në këtë pjesë të intervistës “Shekulli” ju sjell rrëfimin e një vajze që është ndierë krenare edhe kur e kanë paragjykuar se ka qenë shqiptare. Ermelinda Manos tregon marrëdhëniet e saj me vendlindjen, Vlorën dhe vitet e para të shkollës në Greqi, përpara se të largohej për të jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Çfarë marrëdhënie keni ju me Shqipërinë?

Kam lëvizur nga Shqipëria kur isha 5 vjeç dhe e kam vizituar vetëm një herë kur isha 8 vjeç. Nuk kam pasur fatin ta vizitoj më vonë. Gjithmonë e kam pasur ëndërr që të vij edhe një herë. Për shkak të largimit, ashtu si shumë shqiptarë të tjerë, për shkak të emigracionit të vështirë dhe mungesës së letrave jam shkëputur nga vendlindja, por tani që arrita ditën e pajisjes me dokumente do të rikthehem në Shqipëri. Humbja e dokumenteve më bëri që të punoja më fort gjithë këto vite, derisa të arrija të hapja firmën time të veshjeve.

Sa e vështirë ka qenë për ju kjo periudhë?

Shumë e vështirë. Pa dokumente, ndonjëherë të duket se nuk ekziston. Këtë vit krijova organizatën e bamirësisë (non profit organization) e quajtur Empowered Act (www.empoweredact. org), të cilën e formova për të ndihmuar studentët emigrantë në Las Vegas. Do të doja shumë që dikush të më ndihmonte mua. E meqenëse mua nuk më ndihmoi askush, mendova që unë të fitoja ca fonde për t’i ndihmuar këta studentë të paguajnë për kartën e emigracionit, të cilën shumë familje nuk e përballojnë dot. Kam menduar që këtyre studentëve t’u ofrohen edhe këshilla sesi të integrohen në një botë ndryshe, në botën e shoqërisë amerikane. Këshillat ligjore janë shumë të nevojshme për një njeri ilegal, për një njeri që nuk ka dokumente. Çdo gjë që nuk e kisha vetë si emigrante, kur u rrita në Greqi, edhe në Las Vegas, po mundohem që t’ia siguroj studentëve emigrantë. Unë dua që hapat e tyre të jenë më të lehta për t’u hedhur dhe të dinë që nuk janë vetëm në këtë rrugëtim.

A ka pasur rast kur keni pasur turp të thoni që jeni shqiptare, apo në një farë mënyre jeni paragjykuar?

Nuk kam pasur asnjëherë turp që kam lindur dhe jam shqiptare, por jam paragjykuar shumë kur u rrita në Greqi dhe ishte paragjykimi i grekëve ai që më ka bërë gjithnjë që të ndihesha akoma edhe më shumë krenare për origjinën time, për vendin tim të lindjes. Gjithmonë jam ndier krenare që jam shqiptare dhe super krenaria që kam që jam vlonjate, më bën të punoj akoma më fort. Edhe pse jeni larguar shumë e vogël nga Shqipëria, ju dini shumë mirë të flisni shqip… Në shtëpi gjithmonë flasim vetëm gjuhën tonë shqipe dhe që e vogël kam lexuar dhe mësova të shkruaja shqip. Mësova duke lexuar gazetat shqip të babait. Nuk kam bërë shkollë në shqip, por e mësova atë nga familja. Edhe vëllezërit që janë më të rritur flasin shqip. Ne të gjithë komunikojmë me njëri-tjetrin vetëm shqip. Flasim anglisht vetëm kur kemi përballë një të huaj apo amerikan, por në shtëpi asnjëherë anglisht.

Dini të kërceni këngë popullore shqiptare?

Di të kërcej pogonishten shumë mirë, por më tepër di të këndoj këngë labe.

Po të gatuani ndonjë pjatë shqiptare?

Më pëlqen shumë byreku korçar me domate. Për të gatuar di të bëj byreqe dhe disa gjëra të vockla, por nuk jam profesioniste siç kam mamin.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.