Ermali finalizon dy projekte të reja

I fokusuar tek finalizimi i videoklipeve të fundit, Ermal Fejzullahu rrëfen se është duke punuar furishëm edhe rreth albumit të rij, të cilin pritet që ta publikojë së bashku me ditët e nxehta të verës.
“Jam në përfundim të punës rreth realizimit të dy videoklipeve të reja të cilat shumë shpejt do t’i prezantoj. E përveç kësaj, përqendrimi im ka rënë edhe tek albumi im i ri, i cili po ashtu do të jetë shumë shpejt në duart e fansave të mi”, ka treguar këngëtari për Tribuna. Ndonëse puna rreth krijimeve të tij solo nuk ka të ndalur, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e realizmit të një dueti.
“Për bashkëpunime nuk është që nuk kam menduar, por për momentin nuk kam diçka definitive, edhe pse mundësia nuk përjashtohet për një angazhim të tillë”, ka nënvizuar ai.
Në pritje të angazhimeve bregdetare
Angazhimet profesionale nuk përfundojnë këtu. Këngëtari prishtinas ka bërë me dije se pjesë e planeve pasuese janë edhe prezantimet bregdeteve, angazhim ky që ndodh për çdo sezon tek ai.
“Angazhimet e mi të pandashme janë edhe mbrëmjet e ndryshme muzikore të cilat tashmë janë të pa evitueshme. Jam i ngarkuar nëpër mbrëmje të shumta muzikore të cilat mbahen nëpër vende bregdetare ku do të jem prezent për të kënduar secilën natë. Gjithashtu do të jem fuqishëm i fokusuar edhe gjatë verës.
Do të jem i pranishëm në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe të Malit të Zi, vende këto të cilat kanë qenë gjithnjë mikpritëse me mua. Aktivitetin tim atje do të filloj ta ushtroj nga data 1 korrik e deri në fund të gushtit”, ka bërë me dije për fund Ermali.