Fundamenti

Erë e keqe

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Ibrahim Rexhepi-Promotori i të gjitha të këqijave të këtij vendi vjen nga maja e piramidës së pushtetit: Zëvendësministri me disa deputetë i bëjnë shantazh zëvendëskryeministrit, një zëvendësministër tjetër tregton me vulën e shtetit, një ish-ministër shantazhohet me sms-mesazhe të montuara…

As turistët më kureshtarë më nuk kanë motiv të madh ta vizitojnë Kosovën. Për të investuar në këtë shtet më nuk do ta vijnë biznesmenët që krahas fitimeve kishin vullnet të ndihmojnë këtë popullatë, që vazhdon të zhytet në mjerim e në skamje. Këtu do të vijnë vetëm ata që kanë nevojë të bëjnë punë të pista- të korruptojnë krerët e shtetit, të pastrojnë paratë, të falsifikojnë dokumente me vulë të shtetit apo nëse duan që me pak para të ndryshojnë edhe hartën gjeografike të këtij vendi.

Mediat janë përplot lajme për afera korrupsioni , të cilat tash janë betonuar në majën e piramidës së pushtetit. Tash më nuk është lajm nëse është korruptuar një burokrat në sportel apo polici që toleron vozitësin e padisiplinuar, profesori që tregton me nota ose “akademiku” që blen titullin… E keqja qëndron më lart. Ndonëse shumë prej lajmeve ende presin konfirmimin nga drejtësia, megjithatë “ku ka tym, ka edhe zjarr”.

Korrupsioni, shkelja e ligjit, keqpërdorimi i pozitës në institucione shtetërore për përfitime personale, mungesa e vullnetit që shpenzimi i parasë publike të bëhet për krijimin e të mirave të përgjithshme dhe mosdashja për funksionalizmin e shtetit ligjor janë tiparet thelbësore të atyre që nuk dinë asgjë tjetër pos të mashtrojnë popullatën me premtime se do të ndërtojnë shtetin dhe një shoqëri moderne e me perspektivë.

Për fat të keq të atyre që ende besojnë në këtë udhëheqje, por edhe të atyre që mbajnë shpresë se një ditë do të bëhet mirë, gjërat vetëm sa janë duke u përkeqësuar. Ky vend po shndërrohet në një moçal që vazhdon të kundërmojë dhe të infektojë.

Për këtë flasin shumë shembuj.

I pari: Një ish- zëvendësministër bashkë me dy deputetë e një biznesmen shantazhojnë zëvendëskryeministrin dhe një biznesmen me qëllim të përfitimeve materiale. Në këtë storie të zezë përmenden milionat dhe patundshmëri me vlera të mëdha. Rasti ende qëndron në nivelin e asaj “e kam thënë, s’e kam thënë”, por megjithatë deklaratat e tilla janë dhënë para autoriteteve përgjegjëse dhe gjithsesi lënë dyshimin se vërtet diçka ka ndodhur.

I dyti: Një ish-zëvendësministër së bashku me disa të tjerë nga institucionet shtetërore dyshohen se kanë keqpërdorur pozitën dhe vulat shtetërore me qëllim që “paguesve” t’u sigurojnë viza për në SHBA. Është e qartë se ka pasur individë që nuk kanë hezituar të paguajnë 20 mijë euro. Më mirë të japin këto para dhe të hipin në aeroplan e të zbresin në truallin amerikan sesa të paguajnë një çmim më të lirë dhe të shkojnë përmes kanaleve meksikane e atij të Rio Grandes, ku mund ta lënë edhe jetën.

RCCOLA

I treti: Ish-kryetari i një gjykate së bashku me një ekip të tërë të gjykatësve e avokatëve dyshohen se institucionin për drejtësi e kanë shndërruar në laborator për transformimin e pronës shoqërore në atë private. Krejt kjo duket si një zhvillim normal, sikur të mos ishin në pyetje miliona të shumtë dhe veprimet e paligjshme. Edhe ky rast duhet të zbardhet edhe më tutje, por ai ka depërtuar deri te opinioni, i cili nuk ka dyshime për të vërtetën e tij.

I katërti: Kryesuesi i Kuvendit Komunal më të madhe në vend është nën arrest për shkak të dyshimit se për përfitime personale ka qenë i gatshëm të ndryshojë një plan urbanistik të një lagjeje të kryeqytetit. Dosja që është bërë publike nuk përmban asgjë tjetër, pos muhabeteve ndërmjet një ndërtimtari dhe një ndërmjetësuesi për rregullimin e punëve. Dyshimet për përfshirjen e “shefit” të KK-së dalin vetëm prej një propozim-vendimi që kurrë nuk është miratuar, që mund të ketë mundësi se ndërmjetësuesi dhe biznesmeni mund të kenë qenë në negociata pa dijeninë e tij. Por, rreth këtij rasti ende ka punë hetuesia. Opinioni, megjithatë, e ka të qartë se në kryeqytet ka përplot parregullsi në rrafshin urbanistik.

I pesti: Një dosje me përplot sms – porosi përdoret që edhe një herë të ulet në bankën e zezë një deputet dhe ish-ministër. Mesazhet përdoren si dëshmi për shantazhe, kërkesë për pagesa me qëllim të përfitimit të tenderëve, presione e trysni. Në fund është edhe dyshimi se mesazhet janë të montuara nga personi që ishte në polici e më pastaj kalon në PTK. Edhe këtu ende ka punë për hetuesinë.

Mjaftojnë këto raste për të pasur të qartë se kah po e çojnë këtë vend ata që ditën flasin për popullin e natën e vjedhin atë, ndonëse ka edhe shumë të tjerë.

Është shqetësues fakti se sa me lehtësi në këtë vend flitet e veprohet jashtë kornizave ligjore, sa me paturpësi kërkohen para, sa pa frikë përdoren mekanizmat për korrupsion dhe për shantazh. Falë kësaj, tash janë bërë legale të gjitha format që dëmtojnë rëndë imazhin e shtetit dhe tretin edhe fijen e fundit të shpresës se një ditë ai mund të duket ndryshe. Kjo për faktin se bartës të këtij imazhi të keq dhe mundësisë për hapjen e perspektivës janë pikërisht ata që plot gojën e kanë me luftë kundër të keqes, e në fakt vetë i prijnë asaj.

Raste e përmendura dikush mund t’i përdorë si fakt se në këtë vend kanë nisur të funksionojnë institucionet dhe ligji. Këtë për ngushëllim mund ta thonë ata që janë në këtë valle. Ndërkaq, si kundërpërgjigje është fakti se pse të gjitha këto raste duhet të hetohen nga strukturat e huaja të pranishme në Kosovë si është EULEX-i. Madje, të zgjedhurit nga populli duhet të mendojnë pse elektorati i tyre të gjitha ankesat që ka ia adreson këtij misioni, e jo atyre. Ata kanë humbur besimin në institucionet vendore, por në të njëjtën kohë kanë frikë t’u ankohen atyre, meqenëse mund të kenë pasoja.

Është edhe një moment mjaft i diskutueshëm. Ka mundësi që këto dhe rastet e këtilla të përdoren edhe si mekanizëm me qëllim të eliminimeve politike, të diskreditimit të personave me ndikim dhe me autoritet apo të shantazhojnë ata që gjithmonë të jenë peng dhe me dyshime për vlera të ulëta morale. Përndryshe nuk do të kishte asnjë arsye që gjykimi publik i këtyre personave të bëhej para se ta thonë fjalën institucionet kompetente për këtë. Apo që aq lehtë të hapen dosjet e hetuesisë, që ende mbajnë vulën e dyshimeve.

Por, si do që të jetë, është për alarm fakti se Kosova si vend i vogël është plot “peshq të madhej” dhe me institucione të brishta e të korruptuara. Ato në vend se ta luftojnë të keqen, atë e stimulojnë. Me këtë strukturë, ajo kurrë nuk do të bëhet shtet i qëndrueshëm dhe funksional. Së paku jo derisa krerët e shtetit përmenden për afera korrupsioni, drejtësia nuk guxon të merret me ta, ndërsa populli pret liberalizimin e qarkullimit dhe të ikë sa më larg prej këtu.