Vali Ranch

Erdogan u “keqpërdor” për fushatën e Thaçit

/ 4 minuta lexim

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka shfrytëzuar vizitën e “vëllait tij turk ”, Recep Tayyip Erdogan për të bërë fushatë në prag të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.

Organizimi i inaugurimit të terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ka mundur të shtyhet edhe pasi të përfundojnë zgjedhjet, por vizita e tij është kryekëput politike. Kështu kanë vlerësuar analistët dhe zyrtarët e opozitës.

Vizita e kryeministrit turk në qytetin e Prizrenit ka ngjallur reagimin e partive të tjera.

Deputetja nga partia më e madhe opozitare, LDK-së Vjosa Osmani, vlerëson se i gjithë organizimi i ceremonisë së inaugurimit të terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ka qenë “këmbë e kryere” për qëllime elektorale.

”Jo vetëm fjalimet që i shërbyen kryeministrit Thaçi për qëllime elektorale, por i gjithë inaugurimi ka shërbyer për të njëjtin qëllim, kur dihet se terminali nuk do të jetë në funksion deri në fillim të dhjetorit. Pra,përurimi ndodhi në kohë fushate elektorale dhe si i tillë u keqpërdorë nga Thaçi”, ka thënë ajo.

Por përtej kësaj, ajo tha se vizita e kryeministrit turk u keqpërdorë edhe në fjalimet elektorale në qytetin e Prizrenit.

“Keqpërdorimi i vizitës ndodhi edhe në Prizren, ku Thaçi iu drejtua kryetarit aktual, Ramadan Muja si kryetar i ardhshëm i Prizrenit. Ky është një keqpërdorim tipik sepse vizita nuk ishte e karakterit partiak,por ishte e karakterit shtetëror”, ka thënë deputetja Osmani, sipas së cilës abuzimet e tilla nuk mund të ndodhin në vendet demokratike.

E ndërkaq, deputeti nga Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha se vizitat e kryeministrave të shteteve, gjithmonë janë të mirëseardhura, por ajo e kryeministrit turk aq sa ishte e mirëseardhur, po aq u keqpërdorë nga kryeministri Thaçi.

Eco Higjiena

“Ai vërtet erdhi në një vend mik, por aq sa u keqpërdorë vizita e tij, u keqpërdorë edhe hapja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” gjithnjë në shërbim të fushatës elektorale. Përtej kësaj u keqpërdorë edhe prezenca e kryeministrave turk dhe atij shqiptarë, duke bërë thirrje të drejtpërdrejta ndaj kryetarit aktual të Prizrenit, Ramadan Muja, si kryetar i ardhshëm. Pra, nuk do shumë mend se kjo vizitë e kryeministrave Erdogan dhe Rama u keqpërdor në formën më banale nga kryeministri Thaçi”, ka thënë Selimi.

Ndërkaq,deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, duke iu referuar deklarimeve të kryeministrit turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili ka thënë se Kosova është Turqi, e Turqia Kosovë, tha se Kosova është vetëm e popullit të saj.

“Ajo çka kemi parë dhe lexuar se “Kosova është Turqi”, duhet të qartësohet fuqishëm se Kosova nuk është e askujt tjetër, pos e popullit të saj, popullit shqiptar dhe të tjerëve që jetojnë këtu. Kosovën e kanë dashur shumë pushtues, por liria e popullit të saj nuk mundi asnjëherë të mbahet peng i dëshirave të të tjerëve. Ne e konsiderojmë shtetin modern të Turqisë si shtet mik, por kjo mjafton me kaq”, ka thënë ai.

Se vizita e kryeministrit turk u keqpërdorë nga kryeministri Thaçi këtë e thotë edhe analisti politik, Halil Matoshi.

“Absolutisht kryeministri i Kosovës e ka shfrytëzuar vizitën e kryeministrit turk, e cila nga një vizitë biznesore u kthye në fushatë elektorale për partinë e Thaçit”, ka thënë ai.

Megjithatë, sipas tij, do të ishe më madhështore sikur inaugurimi i terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës të bëhej nga vendet e fuqishme të Bashkimit Evropian.

”Për Kosovën, qytetarët e saj, por edhe për zotin Thaçi do të ishte shumë më madhështore që dikush nga BE-ja , pra nga vendet e fuqishme të BE të vinte dhe të thoshte “BE është Kosovë dhe Kosova është BE” sepse, Kosova të vetmin qëllim dhe interes madhor e ka integrimin e saj në BE, pa përjashtuar marrëdhëniet bilaterale edhe me shtetin turk”, ka thënë Matoshi.

Zyrtarët e lartë të partisë së kryeministrit Thaçi nuk kanë dashur të flasin nëse vizita e kryeministrit të Turqisë , Recep Tayyip Erdogan u keqpërdorë për qëllime elektorale nga shefi i tyre i partisë./zeri/