RCCOLA

Erdogan: Kosova dhe Turqia janë një

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Fjalimi i Recep Tayyip Erdogan ka nxitur brohoritje të mëdha të qytetarëve të Prizrenit . Aty Erdogan e ka quajtur Kosovën “atdhe të dytë” ndërkohë që Ramadan Mujën, të cilën e ka falënderuar për ftesën e ka quajtur “Ramazan”.

“Kulturat tona mund të jenë të ndryshme por ne i përkasim të njëjtës tokë” ka thënë ai. “Të dashur vëllezër të mijë kemi një histori kulturë dhe civilizim të përbashkët. Mos e harroni, Turqia është Kosovë , Kosova është Turqi …ne jemi aq shumë të afërt sa që edhe autori i himnit turk Mehmet Akif Ersoy është nga Kosova nga Peja”. “Kjo vjershë na bën pjesë të një populli dhe të një kombi. Jemi aq të afërt me njëri – tjetrin pasi njerëzit, popujt e këtij rajoni të kaluarën e kanë ndërtuar së bashku …atëherë si gjyshërit tani do të vazhdojmë edhe të ardhmen tonë”, ka shtuar ai.

Më pas Erdogan ka përfshirë edhe vende tjera të rajonit me të cilat Turqia dëshiron të rrugëtojë bashkë. “Kosova Shqipëria , Maqedonia dhe Bosnja do të shikojnë drejt së ardhmes do të ecim të gjithë së bashku pavarësisht se çfarë ngjyre kemi”, ka thënë ai Kryeministri Erdogan nuk e ka lënë pa e përmendur edhe situatën në Siri.

“Kur të ikim nga kjo botë na mbetet vetëm qefini, të gjithë kemi ardhur nga kjo tokë dhe do të kthehemi atje. Pse atëherë të gjithë këto debate mosmarrëveshje. Shikoni Sirinë 110 mijë vetë janë vrarë, përse”. Më pas Erdogan ka treguar se si Turqia e ka njohur e para pavarësinë e Kosovës.

“Ishte paradite në ora 10 i shikoja mesazhet për të parë nëse Kosova e ka shpallë pavarësinë e thirra z.Thaçi edhe i thash se ju kemi njohur”, ka thënë ai.

Thaçi: Marrëdhënie të përjetshme me Turqinë

Kryeministrat Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Recep Tayyip Erdogan aktualisht po qëndrojnë në Prizren ku pritet ti drejtohen qytetarëve të mbledhur në sheshin “Shadërvan” . Ata po shoqërohen nga kandidati për kryetar të Komunës së Prizrenit Ramadan Muja.

Kryeministri Thaçi në fjalimin e tij e ka falënderuar Kryeministri turk Erdogan për bashkëpunimin e mirë ndërsa ka thënë se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve do të jenë të përjetshme.

“I nderuari miku dhe Vëllau Erdogan mirë se ke ardhë në Prizren. Sot është një ditë e veçantë për Kosovën për Prizrenin kemi bërë përurimin e aeroportit më të mirë në rajon. Ju jeni njeriu i parë në botë që e keni njohur pavarësinë e Kosovës faleminderit . Ne do të kemi marrëdhënie të përjetshme të shkëlqyeshme me Turqinë . Zoti e Bekoftë Kosovën Shqipërinë dhe Turqinë.

Thaçi para të pranishmeve e ka quajtur Ramadan Mujën Kryetar aktual dhe kryetar të ardhshëm të Prizrenit duke bërë keshtu nje reference direkte ne lidhje me garen zgjedhore ne kete qytet.

Ndërkaq Ramadan Muja e ka falënderuar mysafirin nga Turqia për interesimin që po e tregon për Prizrenin.

“Ju falënderojmë si Prizren për interesimin tuaj që keni për zhvillimin e Prizrenit dhe përparimit drejt së ardhmes.Faleminderit që sot jeni këtu në Prizrenin tonë dhe tuajin sa herë që ne kemi nevojë të ecim përpara” ka thënë Ramadan Muja në fjalimin e tij.

Ai po ashtu ka theksuar se Przireni do të jetë urë lidhëse ndërmjet Kosovës Shqipërisë dhe shtetit mik Turqisë.

Ndërkohë Ministri Mahir Yagcilar në fjalën e tij ndër të tjera iu ka drejtuar Erdoganit duke i thënë “Kosova ju do z.Kryeministër”

U përurua Terminali i ri në Aeroport

Përurohet në Prishtinë, terminali i ri aeroportit “Adem Jashari”, ku morën pjesë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ai shqiptar Edi Rama, kryeministri turk Recep Tayyip Erdoan, anëtarë të familjes Jashari, si dhe personalitete tjera të tre vendeve.

I pari që e mori fjalën ndër ta ishte Rama, i cili vlerësoi se emri i Adem Jasharit është emri i krenarisë së Kosovës.

UBT

Rama uroi Kosovën për progresin e bërë në këto vite pavarësi, duke u kthyer në një shembull për mbarë rajonin.

“Nuk mund të kishte një ditë më të bukur se kjo e sotme, plot krenari dhe plot diell për Kosovën, për të pritur një mik të çmuar dhe të përkushtuar sic është Edroan. Kryeministri turk është miku dhe vëllai ynë i pandarë në festa dhe në vështirësi, në ditë arritjesh, por edhe në kohë të vrenjtura, atëherë kur miqtë e vërtetë dallohen mbi të tjerët”, u shpreh Rama, duke i vënë theksin forcimit të bashkëpunimit mes shteteve të Shqipërisë, Kosovës dhe Turqisë.

Nga ana e tij, Erdoan vlerësoi arritjet e Kosovës në vitet e fundit, ndërsa theksoi se lidhjet miqësore mes Turqisë dhe Kosovës do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

“Shpresojmë për më shumë zhvillim të Kosovës”, u shpreh Erdogan.

Kryeministri turk theksoi angazhimin e vendit të rij për të kontribuar për një paqe të qëndrueshme në Ballkan.

Ndërsa në fund ishte Kryeministri Thaci, i cili kujtoi mbështetjen dhe kontributin e dhënë nga Erdoan për Kosovën e pavarur dhe për rritjen e numrit të njohjeve.

Thaçi vlerësoi këtë vepër të re, duke theksuar se aeroporti i Prishtinës ka numrin më të madh të pasagjerëve në rajon.

“Të bëjmë ç’është e mundur që qytetarët tanë të udhëtojnë pa viza, jo për të emigruar, por për të marrë përvoja të reja”, u shpreh Thaçi.

Aeroporti iu ishte dhënë me koncesion konsorcumit turko-francez “Limak Aeroport de Lyon”, në vitin 2010, për periudhën 20-vjeçare. Terminali ka një sipërfaqe prej 42 mijë metrash katrorë ndërkaq kostoja e investimeve është rreth 130 milionë euro.

Sipas marrëveshjes me Partneritetin Publiko- Privat ky terminal ishte parashikuar të ndërtohet 27000 metra katrorë, por Limak pothuajse ka dyfishuar këtë hapësirë duke e zgjeruar atë në 42000 metra katrorë përfshirë këtu edhe urat ndërlidhesë për udhëtarë nga 3 në 4.

Ajo që është pjesa më mbreslënëse e terminalit është përmendorja e Adem Jasharit në hyrje të tij. Pas ndërtimit të terminalit, aeroporti do të përpiqet të ketë edhe transport publik, me orar të caktuar për pasagjerët prej aeroportit në kryeqytet dhe anasjelltas.

Erdoan do të vizitojë dhe qytetin e Prizrenit ku do të shoqërohet nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Shqipërisë Edi Rama. Kryeministri turk ndodhet në Kosovë së bashku me bashkëshorten e tij, e cila do të ketë një axhendë të veçantë që do të përqendrohet në vizita në institucione të ndryshme shoqërore dhe kulturore.

Erdogan arrinë në Prishtinë

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, para pak qastesh ka arritur në airoportin nërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

Në pritje të kryeministrit turk ka dalë edhe Njësia ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Erdogan është pritur nga kryeministir i Kosovës, Hashim Thaçi.

Pas pak, kryeministri turk se bashku me atë të Kosovës dhe të Shqipërisë, Edi Rama pritet të bëjnë perurimin e terminalit të ri në Aeroportin “Adem Jashari” nga kompania “Limak Kosovo”.