Enver Shabani sakrifikuesi i “Hidromoravës” që kujdeset për qytetin
Gjilan – Enver Shabani ka 15 vite që punon si punëtor në kompaninë “Hidromorava”. Thotë se këtë profesion e kryen me shumë nder, përkushtim dhe i gatshëm në çdo kohë të përgjigjet në kërkesat e qytetarëve, lagjeve të qytetit dhe fshatrave.
Kur shpërthen ndonjë gyp kanalizimi apo kur kundërmon era nëpër lagjet e qytetit atëherë të gjithë drejtohen tek Enver Shabani.
Shabani është punëtor me një përvojë mbi 15 vjeçare dhe thotë se punën e bënë me zell e dashuri. “Pavarësisht se është punë që ndeshemi me lloj lloj kundërmimi dhe papastërtie unë me kolegët e mi punojmë me ndërgjegje dhe u dalim në ndihmë qytetarëve dhe të gjithë atyre që kanë nevojë për ne”.
Shabani thotë për rajonipress se puna që bëjnë është tepër sakrifikuese dhe sfiduese. “Nuk është e lehtë të punosh me kamion tërë kohën në vende të ndyta dhe të rrezikshme. Ne japim maksimumin nga vetja, por fatmirësisht pritemi mirë nga qytetarët”.
Shabani me shokët e tij janë heronj të qytetit sepse ata japin maksimumin që Gjilani të kundërmon sa më pak ose që prishjet eventuale të rregullohen shpejt./rajonipress/


