FIDANISHTJA

Enver Hoxhaj: Një shtet, një zë, një qëllim – thirrje për t’i dhënë fund krizës dhe për ta ndryshuar Kosovën

/ 2 minuta lexim

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, ka përcjellë një mesazh të fuqishëm politik dhe mobilizues në prag të zgjedhjeve, duke theksuar nevojën për unitet qytetar, stabilitet institucional dhe një drejtim të ri për Kosovën.

Përmes sloganit “Një shtet, një zë, një qëllim”, Hoxhaj ka ftuar qytetarët që të bashkohen rreth vizionit për një Kosovë më të zhvilluar, më demokratike dhe më të fuqishme në raport me sfidat e brendshme dhe ato ndërkombëtare.

Gjatë gjithë fushatës zgjedhore, ai ka qenë ndër kandidatët më aktivë në terren, duke vizituar qytete, fshatra dhe lagje anembanë Kosovës, ku ka prezantuar programin e tij dhe të PDK-së, me fokus në zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit dhe rikthimin e besimit të qytetarëve në institucionet publike.

Në mesazhin e tij përmbyllës, Hoxhaj ka përsëritur thirrjen që Kosova të dalë nga kriza politike dhe institucionale, duke e konsideruar votën qytetare si mjetin më të fuqishëm për ndryshim.

“Një shtet, një zë, një qëllim. Stop krizës, ndrysho Kosovën”, ka porositur Hoxhaj, duke shprehur bindjen se vendi ka nevojë për një energji të re politike, për më shumë stabilitet dhe për një vizion që e bashkon shoqërinë rreth interesave shtetërore.

Me një fushatë të karakterizuar nga komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët, mesazhet programore dhe respekti për vlerat shtetformuese të Kosovës, Enver Hoxhaj ka kërkuar mbështetjen e elektoratit për të vazhduar angazhimin e tij në shërbim të zhvillimit të vendit dhe forcimit të institucioneve demokratike.

Ai mbetet optimist se qytetarët do të mbështesin vizionin për një Kosovë më të bashkuar, më funksionale dhe më të orientuar drejt zhvillimit, duke e kthyer votën e tyre në një mesazh të qartë për ndryshim dhe përparim./rajonipress/