Enver Hoxhaj mbyll një fushatë model: Me program, argumente dhe afër qytetarëve në çdo cep të Kosovës
Prishtinë – Pas disa ditësh të tëra e takimesh intensive me qytetarë në qytete, fshatra dhe lagje anembanë Kosovës, kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, ka përmbyllur një fushatë zgjedhore që u karakterizua nga komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët, prezantimi i argumentuar i programit politik dhe një qasje korrekte e konstruktive në garën elektorale.
Gjatë gjithë fushatës, Hoxhaj ishte ndër kandidatët më aktivë në terren, duke zhvilluar dhjetëra takime me qytetarë të profesioneve dhe grupmoshave të ndryshme. Në secilin takim ai prezantoi vizionin e tij për zhvillimin e Kosovës, forcimin e institucioneve demokratike, rimëkëmbjen ekonomike dhe fuqizimin e partneritetit me aleatët strategjikë të vendit.
Njohës të proceseve politike vlerësojnë se fushata e Hoxhajt u dallua për tonin e matur, debatet programore dhe respektin ndaj kundërshtarëve politikë, duke shmangur gjuhën përçarëse dhe duke u fokusuar në temat që preokupojnë qytetarët.
Kudo që ishte i pranishëm, ai u prit nga qytetarë të shumtë, të cilët shprehën interesim për idetë dhe projektet e prezantuara. Pjesëmarrja e madhe në tubime dhe takime u konsiderua tregues i besimit që një pjesë e elektoratit vazhdon të ketë ndaj përvojës së tij politike dhe institucionale.
Në mesazhin e tij përmbyllës, Hoxhaj ka falënderuar çdo qytetar që e mbështeti gjatë këtij rrugëtimi, duke theksuar se besimi i votuesve mbetet obligimi më i madh për çdo përfaqësues politik.
“Faleminderit secilit qytetar për mbështetjen, respektin dhe besimin e treguar. Vota për mua dhe për PDK-në është votë për një Kosovë demokratike, të zhvilluar dhe të sigurt në rrugëtimin e saj euroatlantik”, ka deklaruar Hoxhaj.
Ai ka ritheksuar gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së vlerave mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës, duke shprehur respekt dhe mirënjohje për kontributin e figurave të luftës çlirimtare, përfshirë ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe të shtetit, të cilët, sipas tij, kanë luajtur rol të rëndësishëm në rrugën e lirisë dhe pavarësisë.
Me optimizëm të lartë dhe besim në verdiktin qytetar, Enver Hoxhaj ka hyrë në ditët përfundimtare të procesit zgjedhor, duke e konsideruar mbështetjen e marrë gjatë fushatës si një sinjal të qartë se qytetarët po kërkojnë stabilitet, përvojë dhe vizion për të ardhmen e Kosovës./rajonipress/
