Hidromorava

Enio Jaço: SHBA-të mbështesin një proces më të shpejtë për integrimin e Ballkanit, marrëveshja Kosovë-Serbi kyçe për të gjithë rajonin

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden po përpiqet shumë të ndikojë pozitivisht në integrimin evropian të Ballkanit Perëndimorë si dhe po punon intensivisht me qeveritë e Kosovës dhe Serbisë për të arritur një marrëveshje, ka thënë Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Enio Jaço në një intervistë për Telegrafin.

Duke iu përgjigjur pyetjes se cilat janë prioritet e administratës Biden në Shqipëri dhe rajon, Jaço ka shtuar se kjo është një nga periudhat më intensive të përfshirjes së administratës amerikane në Shqipëri dhe rajon.

“Mendoj se është pak herët për të shkruar rezultatet në letër por mendoj që pas një periudhë 2-3 vjeçare do fillojmë të shohim progres të qartë në shumë aspekte”, ka thënë Jaço.

Jaço u shpreh gjithashtu se administrata amerikane në Shqipëri ka 3 prioritete.

“Fuqizimi i bashkëpunimit ushtarak – ku mendoj se ka arritje të mjaftueshme. Fuqizimi i institucioneve demokratike – ku fokus të lartë siç dihet ka reforma në drejtësi dhe lufta ndaj korrupsionit. Dhe së treti tërheqja e investimeve amerikane dhe hapja e rrugës për një klimë më të favorshme biznesi”, tha Presidenti i AmCham.

Uji Dea

“Mendoj se qeveria shqiptare duhet ta reflektojë këtë mbështetje me angazhim në transformime të dukshme, të besueshme brenda sistemit ekonomik dhe fiskal si dhe krijimin e kushteve tërheqëse për investime të mëdha afatgjata. Dhe kjo kuptohet vetëm kur rezultatet do bëhen të prekshme”, ka theksuar Jaço.

Duke folur për integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, Jaço ka thënë se vendet e rajonit duhet të kuptojnë që integrimi i rajonit është më i rëndësishëm se integrimi i vendeve individuale.

“Kjo do të thotë që sado të përpiqen vendet individualisht e kanë të vështirë të bëjnë progres të shpejtë integrimi në nivel individual, nëse i gjithë rajoni nuk është gati,” ka sqaruar Jaço.

“Këtu parashtrohen dy skenarë. Një i shpejtë – ku marrëveshja Kosovë-Serbi është kyç për të gjithë rajonin – dhe një i ngadaltë ku të gjitha vendet e rajonit të plotësojnë kushtet e pranimit gradualisht, çka kërkon kohë sepse të gjitha vendet duhet të kenë të njëjtin progres njëkohësisht. SHBA po mbështesin një proces më të shpejtë në shumë aspekte. Kriza në Ukrainë e bën gjithmonë e më të rëndësishëm reformën pa humbje kohe, sepse politikat Evropiane të integrimit mund të fokusohen diku tjetër!”, ka thënë në mbyllje të intervistës Jaço. /Telegrafi/