Fundamenti

Eni Vasili: Pse vendosa t’i kthehem ekranit

/ 8 minuta lexim
Eco Higjiena

Eni Vasili: Pse vendosa tTIRANE-Eni Vasili vendos: zgjedh “News 24”. Gazetarja e njohur firmos kontratën si autore dhe moderatore e emisionit politik të rrjetit informativ më të rëndësishëm në vend. “News 24” kthen kështu në atdhe një nga gazetaret më të kuotuara në tregun mediatik dhe moderatoren e njohur për debatet e nxehta politike të studios së saj. Jeta e re mes Milanos e Tiranës dhe projektet që refuzoi për t’u bërë pjesë e ekipit të “News 24”. Malli për profesionin, apo kontrata me shumë zero e “News 24”? Çfarë e bindi Eni Vasilin t’i rikthehet ekranit? Të gjitha këto, në një rrëfim ekskluziv për suplementin e së mërkurës, “VIP Pages”…

Eni, një rikthim i beftë në ekranet shqiptare, në “News 24”, pikërisht atëherë kur ne u bindëm që ti s’do të kthehesh më, për sa kohë në Itali punët po të shkonin më së miri… Pse kjo zgjedhje? Pse ky rikthim?

Së pari sepse unë nuk jam larguar asnjëherë. Unë kam qenë këtu, edhe pse jo fizikisht çdo ditë të vitit, kam qenë gjithmonë këtu. Dhe jo vetëm me vëmendjen dhe informimin për çdo ngjarje që ndodh në Shqipëri, por edhe me kontributin tim gazetaresk në të dyja anët e kufirit, për të përcjellë reciprokisht pak nga dy botët ku kam jetuar muajt e fundit, me qëllimin e qartë për të punuar sidomos për imazhin e Shqipërisë jashtë vendit, duke përdorur të gjitha lidhjet e mia profesionale në Itali, por edhe përtej saj. Në fakt kanë qenë drejtuesit e “News 24” që më kanë bindur, pas një negociate të gjatë disamujore për të marrë vendimin për t’u rifutur në merkaton e debateve politike. Këmbëngulja e tyre dhe besimi që kanë në bashkëpunimin tonë ma bëri të pamundur refuzimin e këtij impenjimi, duke më detyruar të lë njëkohësisht disa projekte që kam në Itali. Në fakt kjo është edhe arsyeja përse emisioni fillon pak me vonesë në krahasim me kolegët. Gjej rastin për të falënderuar drejtuesit e “News 24” për durimin dhe këmbënguljen në negociatën tonë.

Përveç nevojës për t’iu rikthyer publikut ku u rritët, kam idenë që ka ndikuar edhe oferta me shumë zero nga drejtuesit e “News 24”, apo gabohem?

Eksperienca më ka mësuar që bashkëpunëtorët duhen zgjedhur për vlerat njerëzore që bartin dhe sensin e së drejtës, analizat financiare vijnë më pas. Thënë kjo, oferta bujare financiare e “News 24” ishte sigurisht një shtysë e fortë në vendimin tim.

Vini tashmë në Shqipëri me një diplomë master në menaxhim të komunikimit, që e keni konkluduar me maksimumin e pikëve, 110, dhe si gazetare e revistës prestigjioze “Panorama” të grupit Mondadori. Nuk janë të shumtë gazetarët me eksperiencën dhe CV-në tuaj në Shqipëri…

Mendoj që çdokush nga kolegët e mi ka bërë ç’ka mundur për kualifikimin personal dhe nuk mund të komentoj për një gjë të tillë. Ajo që mund të them është se për mua ngritja profesionale dhe pasurimi i bagazhit teorik dhe praktik në lëmin ku punoj është shumë i rëndësishëm. Një koleg i medias, pak ditë më parë më tha se e konsideronte modesti shkëputjen time për studime në një moment kur karriera ishte në kulm. Nuk e ndaj këtë opinion me kolegun tim dashamirës, sepse besoj fort që sidomos teknologjia e informacionit e ka bërë tregun e komunikimit një treg shumë dinamik dhe e ka pajisur me një shpejtësi marramendëse në evoluimin e vet. Teknikat e komunikimit pasurohen sot me të njëjtën shpejtësi që shtohet lista e modeleve ‘Iphone’ dhe update-imi me këto ritme është i detyrueshëm.

Ndjeni keqardhje që i latë projektet dhe Milanon për t’iu rikthyer televizionit?

Kam hequr dorë nga disa projekte në Milano, por jo nga të gjitha.
Do të vazhdoj të jetoj mes Shqipërisë dhe Italisë për të ndjekur doktoraturën në Universitetin e Milanos, gjë për të cilën kam marrë edhe mbështetjen e plotë të drejtuesve të “News 24”, që e konsiderojnë pasurimin tim akademik si një aset edhe për ta.

Po kështu do të vazhdoj kontratën me revistën ‘Panorama’ në Itali, impenjim i cili nuk bie ndesh me kontratën për bashkëpunim me televizionin.

Të ndalemi pak më gjatë tek rikthimi në televizion dhe tek formati që do të sillni. Çfarë do të jetë italiane në këtë emision dhe çfarë shqiptare?

KKVITI

Asnjëra nga të dyja. Përpjekja ime është që të realizoj një produkt profesional në çdo element të vetin. Parimet e gazetarisë dhe etikës janë të njëjta për çdo cep të globit. Ajo që do të vazhdoj të ruaj me fanatizëm është integriteti profesional dhe personal. Me këtë nënkuptoj distancën e domosdoshme nga interesat politike dhe jo vetëm, gjë që jo rrallëherë e sheh në tregun e medias në Shqipëri.

I ke ndjekur zhvillimet politike? Ç’mendim ke për ngjarjet e fundit? Një qeveri e re për shqiptarët dhe një opozitë e re, që si ajo e shkuara bojkoton sallën e Kuvendit?

Ndjekja e aktualitetit është për mua tashmë një deformim profesional. E kam të pamundur të mos e bëj edhe atëherë kur nuk dua. Sa u takon komenteve politike, ato mund t’i gjeni në editorialet dhe shkrimet ku unë firmos në shtypin shqiptar dhe në revistën “Panorama”. Si moderatore preferoj të jem e baraslarguar nga çdo opinion dhe pozicionim personal. Është një vlerë që e kam konservuar me shumë mundim në gjithë karrierën time, gjë që jo gjithmonë ka qenë e thjeshtë në një kontekst të polarizimit të fortë politik siç është në Shqipëri.

Flasim për një media të zhvilluar, shumë televizione, gazeta, revista, radio… Pas fasadës së bukur, si mendoni, kemi një media në interes të pronarëve, apo të publikut?

Për fat të keq zëri i publikut gjendet gjithmonë e më pak në median tonë. Të gjithë flasin në emër të tij, përfshi edhe ne gazetarët, por pakkush e dëgjon realisht atë. Nuk mund të pretendosh të kesh një media të shëndetshme në një shoqëri që lëngon nga një mijë halle e derte si kjo e jona. Por mendoj sidoqoftë që media është një nga organizmat që ka evoluar më shpejt dhe më mirë në krahasim me shumë organizime të tjera institucionale dhe shoqërore në Shqipëri. Shikoni çfarë ndodh me shoqërinë civile: zëri i saj është gjithmonë e më i zbehtë. Shikoni çfarë ndodh me gjyqësorin apo çdo sistem të ashtuquajtur të pavarur, për të mos folur për vetë politikën.

Është e vërtetë që media sot ka shumë probleme, por është po aq e vërtetë që në të gjen mendimin e çdo pale, kahjeje, ngjyre e përkatësie. Falë disa penave rebele dhe të guximshme, për shembull, janë denoncuar skandale që kanë ndryshuar fatet politiko-institucionale të vendit. Kjo është një vlerë që medias i duhet njohur.

Cilat janë ato cilësi që e bëjnë një gazetar të mirë?
Integriteti dhe koherenca.

Në jetën tuaj profesionale keni intervistuar shumë politikanë, akademikë, artistë, gazetarë. Cili personazh ju ka lënë më shumë mbresa? Para cilit personazh keni mbetur pa fjalë?

Pa fjalë më ka lënë një nënë që kish humbur të birin nga një plumb pa adresë në vitin e vështirë 1997 dhe që qante në heshtje në pavijonet e QSUT-së. Pa fjalë më ka lënë dëshmia e një të sëmuri terminal dhe forca e tij për të besuar tek jeta. Pa fjalë më ka lënë një familje e tërë ngujuar në Torovicë dhe sakrifica e babait, që doli me vetëdijen që do të vritej për të shpëtuar të bijtë. Këta njerëz e të tjerë si ata më kanë lënë mbresa. Vuajtja, sakrifica dhe forca e tyre më kanë lënë pa fjalë.

Cili është ai personazh që ka refuzuar të vijë dhe që jeni betuar që nuk do ta intervistoni kurrë?

Nuk e kam takuar ende këtë personazh dhe shpresoj të mos e takoj./BalkanWeb/