Enca e vogël, por “sherrin” e madh
E njoftuam si një vajzë të re, të ëmbël dhe simpatike, e cila e provoi fatin në edicionin e parë të talent shout “The Voice of Albania”, por fatkeqësisht nuk arriti t’i kalojë audicionet e fshehta, pasi anëtarët e jurisë së këtij shou e vlerësuan zërin e saj ende të papjekur mirë, duke i sugjeruar këngëtares të presë edhe ndonjë vit dhe ta provojë sërish fatin në këtë garë.
Por, Enca nuk u dëshpërua. Ajo megjithatë e vazhdoi punën dhe përkushtimin ndaj muzikës dhe, siç duket, nuk ka gabuar.
Sot Enca është një ndër këngëtaret më të pëlqyera të skenës muzikore shqiptare, duke e formuar një bazë të madhe të adhuruesve. Pas lansimit të këngës “A po t’pëlqen”, e cila i ka marrë rreth 20 milionë klikime në Youtube, suksesi i Encës në muzikë vetëm sa po shkon duke u rritur.
Para një jave ajo e publikoi edhe videoprojektin e saj të ri me titull “Call me Goddess”, i cili u mirëprit nga fansat e këngëtares anembanë botës. E themi anembanë botës, pasi këngët e Encës nuk dëgjohen vetëm në vendet shqipfolëse, por edhe në shtete të tilla si Amerika, Kroacia, Arabia, Turqia etj. “Call me Goddess” është një këngë ritmike, e cila e sjell këngëtaren shumë seksi dhe provokative, bën të ditur emisioni Express i KTV-së. Brenda një jave, ky projekt i ka marrë 1 milion e gjysmë klikime në Youtube dhe kjo gjë nuk ka kaluar pa u vënë re nga këngëtarja, e cila e ka shfrytëzuar rrjetin social Instagram, për t’i falënderuar adhuruesit e saj për mbështetjen.
E kur jemi te Instagrami, nuk kemi si të mos e përmendim se Enca është këngëtarja shqiptare me më së shumti ndjekës në këtë rrjet social. Ajo i ka 774.000 ndjekës në Isntagram, të cilët e pëlqejnë dhe komentojnë çdo postim të saj.
“E vogël e vogël, por sherrin e madh”. Kjo fjali do ta përshkruante më së miri Enca Haxhian, e cila siç duket nuk ka ndërmend të ndalet së punuari. Ajo tashmë ka udhëtuar në Evropë, ku do të realizojë një sërë koncertesh, e pastaj do ta shohim se çfarë do t’u servojë adhuruesve të saj, gjatë stinës së ftohtë.
http://koha.net/?id=28&l=78735


