Emri i lirisë, Adem Jashari

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

I dashur, fisnik e zemërgjerë. Kështu përshkruhet komandanti i përjetshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, emri i të cilit është gdhendur në trurin e çdo shqiptari për heroizëm, që lindi në datën prej më të rëndësishmeve për shqiptarët, 28 nëntorin e vitit 1955.

Para se të mbërrinte te ky imazh i pashlyer, Adem Jashari ishte rritur në një familje në gjendje të mirë financiare për atë kohë dhe e kishte shijuar jetën në gjirin e familjes të tij të madhe.

Themeluesit kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fisnikëria si virtyt i ishte vërejtur qysh në rini.

“Prej fëmijërie Adem Jasharin e njoh, qysh nga shkolla fillore. Kemi qenë së bashku në shkollën fillore “Azem Bejta” në Prekaz të Epërm dhe deri në momentin që ka rënë heroikisht kemi qenë së bashku sepse jemi të një gjenerate”, thotë shoku i klasës së tij, Fadil Mehmeti.

Ai tregon karakteristikat e Komandantit në kohën e rinisë së tij.

“Adem Jashari si nxënës ka qenë shumë i disiplinuar, ka qenë shumë I dashur, ka qenë person që gjithherë na ka përshëndetur i pari dhe me buzëqeshje, ka qenë veti e tij karakteristike sepse na është afruar gjithmonë afër shokëve, gjithherë kishte dëshirë të kishte sa më shumë shokë afër veti”, thotë Mehmeti.

Njeriu që pëlqente të ngiste motoçikletën, të vishej me stil, e i ngjante edhe solistëve të grupeve të rokut.

Familja Jashari në krye me babanë, Shaban Jashari, që kishte qenë edhe mësues në Prekaz, njiheshin për patriotizëm dhe ishin në sy tek autoritet shtetërore të kohës.

Ballafaqimin e parë me ta, familja Jashari e pati në fundin e vitit 1991.

Më 30 dhjetor të atij viti, shtëpia e tyre ishte rrethuar nga një numër i madh i forcave të sigurimit serb, që kërkonin dorëzimin e tij.

Rrethimi ishte thyer, për të nisur një rrugëtim që do ta përjetësonte.

Por, pos pushkës Jasharëve u shkonte edhe kënga.

Për Familjen Jashari e për komandantin, Ademin mburren gjithë vendi. Por, janë edhe bashkëfshatarët e tyre që u rritën në të njëjtat lugina e cakorre.

Edhe atyre Ademi bujar gjithmonë u kishte bërë përshtypje.

“Prej fëmijërie ai ka qenë i dashtun, i urtë, i sjellshëm me të gjithë por imponimi e boni te veten, agresori serb t’u na shtypë kështu që si në shkollë të mesme edhe këtu në Skenderaj, ai d.m.th. u kanë para meje, unë jam 59-sh e po i kemi njohë, fëmijët, Hamzën, Bacën Shaban, Rifatin, Ademin e kush ma shumë se ata nuk ka dhanë veç ishalla gjaku i tyre nuk humbet se ata kanë dhanë shumë për këtë popull”, thotë bashkëfshatari, Xhavit Rushiti.

Ishte momenti kur mjekërrmadhi i familjes Jashari mori një vendim.

Ai ishte i gatshëm çdo herë për të dhënë jetën për lirinë e Kosovës, për të cilën ishte angazhuar qysh në rini.

Uji Dea

Prandaj edhe kishte filluar që personazhet që njiheshin për bujari, t’i mblidhte afër vetës, për të krijuar atë që një ditë do ta çlironte vendin, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Njëri nga ta që vetë komandanti e kishte ftuar ishte Ali Januzi, për të bërë dikur edhe bashkëluftëtari i figurës kryesore të UÇK-së.

“Për të bëmat e Adem Jasharit qysh herët që prej vitit 1991, kur është bërë rrethimi, meqenëse atëherë duhet të jemi real nuk e kemi njohur por pastaj dal nga dale sipas shokëve dhe këtu po e potencoj në një qendër vrojtuese Ademi shpesh kish pas gravitu edhe ish pas taku me Ramadanin e një ditë mu Ramadani po me thotë se Ademi ka kërku me bisedu me ty (Alin) dhe për mos me zgjatë për herë të parë ka qenë më 1995 ka qenë tetori, ditë e hanë jemi shku në këmbe në Prekaz, jam hy në odë, jam taku me krejt familjen dhe ky ka qenë kontakti I parë me Adem Jasharin”, thotë bashkëluftëtari, Ali Januzi.

Pasi që Januzi nga bashkëpunëtor e bëri edhe shok të luftës, Ademit ia njohu nga afër edhe karakterin e tij fisnik, dhe e përshkruan si të qetë e të dashur.

Por në odë, fjala e tij dhe Hamzës dëgjohej.

“Ademi ka qenë shumë komunikativ. Ka qenë një person shumë i dashur. Ka qenë një njeri shumë i butë e i urtë. Ka qenë i dashur për të gjithë shokët që kanë shku edhe i ka pranu në odë me një fjalë mundem me thanë që oda e Ademit ka qenë shtab ku prej aty janë marrë urdhra, detyrat kanë dal prej odës së tij dhe pikërisht prej Hamzës dhe Ademit”, tregon Januzi.

Por, interesin e shqiptarëve luftëtarët asnjëherë nuk e kishin harruar.

Januzi së bashku me komandantin kishin vetëm një muhabet kryesor, atë të luftës, çlirimit të atdheut dhe dëbimit të armikut.

“Atëherë i kemi vazhdu kontaktet, kuptohet atëherë kemi bisedu kryesisht për luftë sepse e kishim kuptuar që vetëm me luftë kishim mundësi ta shpëtonim atdheun, vetëm me pushkë mundeshim ta largonim armikun shekullor nga trojet tona dhe bisedat gjithmonë kanë qenë rreth luftës se si me bo realizimin”, thotë Januzi.

Ademi Legjendar ra dëshmor më 7 mars të 1998-tës, bashkë me të edhe 58 anëtarë tjerë të familjes, pasi rezistencës përballë 7 deri në 8 mijë trupave të ushtrisë serbe.

Sulmit mizor i shpëtoi vetëm Besarta Jashari.

Shenjat e rezistencës së tyre kanë mbetur akoma.

Ky vend tashmë ka peshën më të rëndë në historinë e Kosovës.

Për ata të cilët kishin dashur këngën, tash këndohet.

Ata të cilët i kishin dashur e respektuar mysafirët, çdo ditë vizitohen.

Ata të cilët kishin dashur lirinë, lirinë e trupin ia dhanë Kosovës./RTVDukagjini/