Emrat e tre fshatrave të Dardanës në dokumente zyrtare shkruhen vetëm serbisht
Nga Sinan Sadiku – Tre fshatra të komunës së Dardanës në dokumente zyrtare, në bazën e të dhënave e të tjera, janë të shkruara vetëm në gjuhën serbe. Pra nuk shkruhen ashtu siç i shqiptojnë dhe i shkruajnë shqiptarët. Fjala është për fshatrat: Huboc, Kostadicë dhe, Bretulloc. Nëse njeriu e hap faqen e komunës dhe i lexon fshatrat që e përbëjnë atë edhe pse teksti, fjalët janë të shkruara në gjuhën shqipe, emrat e fshatrave në fjalë janë vetëm në gjuhën serbe. Pra nuk ka Huboc, por Boscë, nuk ka Kostadicë, por Konstandincë, nuk ka Bretulloc, por Bratulloc.
1. Fshati Huboc Unë, qysh si fëmijë, për të rënë nga Gjyrisheci në Dardanë, kam kaluar disa herë nëpër këtë fshat dhe kur e kam lexuar në dokumente zyrtare emrin Boscë më është dashur t`i pyes disa njerëz që ta di se për cilin fshat është fjala, sepse atë farë emërtimi serb nuk e kisha dëgjuar. Më ka rënë të kaloj disa herë nëpër atë fshat me njerëz të katundeve të ndryshme të Malësisë së Gallapit dhe të gjithë i kanë thënë Huboc. Pra është fjala për një fshat të cilit shqiptarët brez pas brezi i kanë thënë Huboc, e jo Bosce, siç i thonë serbët. Fakti që emrit serb të fshatit i është shtuar në mënyrë artificiale një ë shqiptare nuk ndihmon asgjë, përkundrazi artificializmi e bënë qesharak.
2. Fshati Kostadicë Në gjuhën serbe te emrat e fshatrave: Gmicë, Bushicë, Kostadicë, Dazhnicë e të ngjashme para c-së theksohet dhe shkruhet një n-ë. Pra emrat e fshatrave në fjalë në gjuhën serbe shkruhen: Gmince, Bushince, Konstandince, Dazhdince, etj. Kjo farë n-ëje nuk është e pranishme në të folmen e Gallapit. Po ju garantoj se edhe babai im, edhe gjyshi edhe babai i gjyshit, fshatit në fjalë i kanë thënë Kostadicë, njësoj si edhe fshatrave Gmicë, Dazhnicë etj.
3. Fshati Bretulloc Njësoj qëndron puna edhe me fshatin Bretulloc, fshat ky i banuar edhe me serbë e edhe me shqiptarë. E di që menjëherë pas lufte në nivel të Kosovës qe themeluar një Komision për Standardizimin e Emërvendeve të Kosovës. Qëllimi i komisionit ishte që emrat e vendbanimeve të serbizuara nga serbët (me qëllim të argumentimit të projekteve serbomëdha), të deserbizoheshin. Siç e dimë nga Komisioni në fjalë u janë ofruar propozime institucioneve për emërtimin e shumë fshatrave dhe qyteteve të Kosovës. Konsensusi i shqiptarëve që emërtimi i qendrës tonë komunale të jetë Dardanë e jo Kamenicë nuk u miratua nga institucionet kompetente, siç ngjau edhe me vendbanimet e tjera në nivel të shtetit.
Dihet propozimi i Komisionit ishte që emërtimi i vendbanimeve në të cilat serbët ishin shumicë ose popullatë e vetme të mbetej ashtu siç ka qenë. Megjithatë kjo nuk do të thotë që ato vendbanime të mos vazhdonin të quheshin nga shqiptarët ashtu siç janë quajtur deri atëherë, në rastet kur emërtimi në gjuhën shqipe ka qenë i ndryshëm nga emërtimi në gjuhën serbe. Sa ju përket fshatrave në fjalë në Huboc ka disa dekada prej kur nuk kanë jetuar shqiptarë, ndërsa fshatrat Kostadicë dhe Bretulloc kanë qenë dhe janë fshatra të përziera në të cilat jetojnë si shqiptarët ashtu edhe serbët.
Më kujtohet, kah mesi i viteve të tetëdhjeta pushteti antishqiptar në Maqedoni, pati vendosur që emërtimet e qyteteve dhe fshatrave të atjeshme shqiptarët ti shkruanin vetëm maqedonisht.
Pra shqiptarëve nuk ju lejohej që emrat e qyteteve si: Shkupi, Manastiri, Kërçova, Dibra etj. T`i shkruanin ashtu siç i kishin shqiptuar dhe shkruar gjithmonë , por të shkruheshin vetëm maqedonisht: Skopje, Bitolla, Kiqevo, Debar etj. Reagimet, pakënaqësitë dhe protestat e shqiptarëve ishin të shumta. Intelektualët shqiptarë, albanologët , ekspertët e fushave përkatëse shkruan shumë e shumë punime për ta argumentuar se vendimi i pushtetit maqedonas ishte i pabazë, ishte pjellë e albanofobisë dhe duhej të ndërpritej.
Thuaja nuk ka pas shqiptarë te i cili nuk pati shkaktuar pakënaqësi ai vendim shovinist i pushtetit maqedonas. Tani ndodhemi para absurdit që vet shqiptarët ta mohojnë vetveten, duke e pamundësuar shkrimin e emrit të këtyre tre fshatrave në gjuhën shqipe. Po e them se ta shkruash emrin e Hubocit Boscë është njësoj si ta shkruash emrin e Shkupit Skopje, të Manastirit Bitolla, të Ferizajit Uroshevac, ose të Hanit të Elezit Generall Jankoviq!
Më duket absurde që organet e komunës së Kamenicës siç janë: Kuvendi Komunal, Drejtoria e Kulturës, Komisioni për Kulturë, Kryetari i Komunës dhe intelektualët e shumtë nuk kanë marrë nisma që të korrigjohet ky gabim i cili duket se është bërë nga mosdija. Kuptohet kjo nuk i amniston organet komunale, sepse në drejtori dhe komisione është dashur të angazhohen dhe punësohen njerëz të dijshëm.
Nuk ka asnjë kuptim që ne vetë ta mohojmë gjuhën tonë./rajonipress/


