Fidanishtja

Elshani: Pas ligjit mbi amnistinë aktakuza e Salustros është e paqëndrueshme

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën Themelore në Gjilan ndaj grupit të njohur si “Lëvizja e lirisë” njëri nga avokatët mbrojtës Gafurr Elshani ka kërkuar nga trupi gjykues që të lirojë të gjithë të akuzuarit pasiqë sipas tij me ligjin mbi amnistinë kanë pushtuar të gjitha bazat ligjore dhe se aktakuza e prokurorit Mauricio Salustro më nuk është e qëndrueshme. Kryetari i trupit gjykues ka refuzuar kërkesën e avokatit me arsyetimin se Ligji ende ndodhet në procedim e sipër.

Nën masa të rrepta të sigurisë të hënën ka nisur procesi gjyqësor ndaj grupit të njohur të Dobrosinit si “Lëvizja e lirisë”. Të akuzuarit janë sjellur nën masa të rrepta të sigurisë dhe me duar të lidhura raporton rajonipress.

Në këtë proces gjyqësor janë dëgjuar disa incizime telefonike në mes të akuzuarve dhe pritet të shihen edhe sekuenca filmike.

Të hënën ndërkaq njëri nga avokatët mbrojtës Gafurr Elshani që mbron Qëndrim Rexhajn ka kërkuar nga trupi gjykues që po kryesohet nga gjyqtari i EULEX-it Arkadiusz Sedek që të gjithë të akuzuarve tu ndërpritet paraburgimi me arsyetimin se tani është aprovuar ligji mbi amnistinë dhe aktakuza e prokurorit Mauricio Salustro është e paqëndrueshme.”Zoti gjykatës kanë pushuar të gjitha bazat ligjore që të vazhdohet kjo aktakuzë pas aprovimit të ligjit mbi amnistinë. Prokurori duhet ta rishikojë aktakuzën sepse kjo aktakuzë është e paqëndrueshme më” tha Elshani.

Por kryetari i trupit gjykues Sedek tha se kjo kërkesë a avokatit është e parakohshme.”Ligji ende nuk është nënshkruar e as publikuar në faqen zyrtare dhe më vjen keq , por kërkesa e juaj është e parakohshme” ishte përgjigja e gjykatësit Sedek.

Sërish ka reaguar Elshani duke kërkuar që të paktën të ndërpriten seancat ndaj këtij procesi derisa të shpallet ligji mbi amnistinë , por Sedek tha se shumica e të pandehurve janë në paraburgim dhe nuk mund të pezullohen seancat.

Më pas prokurori i rastit Mauricio Salustro ka lëshuar disa telefonata në mes të akuzuarve dhe pritet të dëgjohen e shikohen mbi 50 CD që përmbajnë mesazhe, incizime e filmime në mes të akuzuarve në bazë të të cilave edhe është ngritur aktakuza.

Fidanishtja

Ndryshe aktakuza e EULEX-it e ngritur ndaj Valon Jasharit, Skender Jasharit,Gazmend Lakna, Gazmend Xhemshiri, Qendrim Rexhaj, Muhamed Aliu, Skender Selmani, Enver Musolli, Abdullah Zogaj dhe Jeton Shabani i ngarkon këta nëntë persona për veprat penale të terrorizmit, organizimi i grupeve terroriste , pjesëmarrja në grupe terroriste dhe mbajtja e paautorizuar e armëve.

Grupi “Lëvizja e lirisë” dyshohet se ka marrë pjesë në sulmet në punktin në Dobrosin të Bujanocit më 17 maj 2012, 28 qershor dhe 7 tetor 2012.

Aktakuza saktëson se tek ky grup janë gjetur dëshmi e prova përmes përgjimeve telefonike, fotografi e gjësende tjera që lidhen me aktivitetet e këtij grupi.

Sipas aktakuzës më 17 maj 2012 një postbllok policor në Dobrosin të Bujanocit është gjuajtur me armë zjarri dhe dy sulme tjera më 28 qershor dhe 7 tetor 2012. Përgjegjësia për këto tri sulme është pranuar nga grupi i quajtur si “Lëvizja e lirisë” përmes tri komunikatave të publikuara në faqe të ndryshme të internetit thuhet në aktakuzë.

Edhe Avokati Halit Azemi tha për rajonipress se aq shumë është e ngarkuar aktakuza e ngritur nga prokurori Maurizio Salustro saqë duhen vite të shikohen e dëgjohen ato CD të cilat realisht nuk përmbajnë ndonjë relevancë që ky grup të cilësohet si grup terrorist.

Madje Azemi aktakuzën e Salustros e ka quajtur abstrakte dhe pa prova të qëndrueshme./rajonipress/